Janë varrosur viktimat e aksidentit në Bullgari

I gjithë kreu shtetëror i Maqedonisë së Veriut në krye me presidentin Stevo Pendarovski, kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe kryeministrin Zorav, bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeparlamentaren e Shqipërisë, Liindita Nikolla, por edhe përfaqësues të lartë shtetërorë nga Bullgaria, bashkë me familjarë e media sot në Aeroportin e Shkupit i pritën me protokoll dhe nderime shtetërore trupat e viktimave nga aksidenti tragjik i autobusit të RMV-së në Bullgari, në të cilën humbën jetën 45 persona.

45 trupat e pajetë u sollën me dy avionë ushtarak bullgar, ndërkaq sipas protokollit shtetëror, pas arritjes së trupave, ushtarët e Armatës së RMV-së i bartën arkivolet e viktimave nëpër automjete të cilat arritën paraprakisht. Më pas, kreu shtetëror nga RMV, Shqipëria, Kosova dhe Bullgaria, nën shoqërimin e Gardës së Nderit të ARM-së, vendosën kurora lulesh dhe nderuan viktimat.

Pas nderimeve, automjetet u nisën drejt shtëpive të viktimave për t’ua dorëzuar familjarëve, të cilët brenda ditës do t’i kryejnë ritualet e varrimit.

Nga ana tjetër, në Sheshin “Skenderbeu” në Shkup, qytetarët kanë vendosur lule për viktimat e aksidentit.

Trupat e pajetë të viktimave sot u varrosën, sipas riteve fetare. Portalb.mk ishte në Studeniçan, një fshat i rrethinës së Shkupit, nga i cili ishte numri më i madh i viktimave nga kjo tragjedi.

Paraprakisht u njoftua se do të ketë kortezh mortor që parashihej të kalonte përgjatë bulevardit “Goce Dellçev”, megjithatë, pas reagimit të familjarëve ajo është anuluar.

“Ju njoftojmë se eshtrat e qytetarëve që humbën jetën në aksidentin e autobusit në Bullgari pas transportit të tyre në aeroportin e Shkupit, do të dërgohen menjëherë në shtëpitë e tyre dhe në varreza. Ky ndryshim vjen në përputhje me kërkesat e disa familjeve të viktimave, në mënyrë që trupat të dorëzohen para namazit të Xhumasë. Për qytetarët që duan të bëjnë nderime, mbetet mundësia që këtë ta bëjnë në sheshin “Skënderbej” nga ora 10 deri në 13:00”, thanë nga MPJ.

Kujtojmë se me 23 nëntor një autobus i Maqedonisë së Veriut i kompanisë “Besa Trans”, u aksidentua në autostradën Struma në Bullgari, si pasojë e të cilit humbën jetën 45 persona, ndërsa 7 të tjerë u lënduan. Fillimisht u raportua se kishte 46 viktima. Por, tre ditë pas aksidentit, prokuroria e Bullgarisë tha se, kishin gjetur 44 trupa, shtatë ndodhen në spital, ndërsa 1 person nuk e dinë se ky ndodhet. Një ditë pas kësaj deklaratë, pas kontrollit shtesë të autobusit të aksidentuar, u gjet edhe një viktimë, duke u konfirmuar se numri i viktimave është 45. Autobusi ishte në drejtim të Maqedonisë së Veriut, pasi që ishte nisur nga Stambolli ku udhëtarët kishin qenë për ekskursion.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button