40 mijë përdorues të drogave në Kosovë

Rreth 40 mijë është numri i përdoruesve të drogave në Kosovë, ka thënë Safet Blakaj, drejtor i qendrës “Labyrinth”. Në KTV, Blakaj ka shprehur shqetësimin për moshën e re të përdoruesve, e sidomos të atyre të kokainës.

Sipas të dhënave që ka prezantuar ai, droga dominuese që ka qenë deri në vitin 2012, heroina, ka pësuar rënie të përdorimit viteve të fundit, por se shifrat ngelen të larta.

“Marihuana, është shumë e përhapur, dhe menjëherë pas saj, sidomos këtë vit, ka problem me përdorim të kokainës. Por me shpejtësi po bie edhe mosha e përdoruesve të kokainës. Më shumë të rinj po përdorin kokainë. Kjo s’ka qenë para 3-4 vitesh. Më herët kanë qenë rreth 40 vjeç, tani nën 30 e 25, e javëve të fundit janë shumë shifra shqetësuese, ka të mitur…”, ka thënë ai duke shtuar se ky është kthyer në trend në Evropë.

Sipas tij, viteve të fundit në gjithë botën kokaina ka rënë nga një drogë e njerëzve të shtresave të larta në shoqëri të mesme e edhe më poshtë. Viteve të fundit ai ka thënë se përdorim të heroinës ka pasur rritje te komunitetet romë, ashkali e egjiptianë.

Blakaj ka thënë se ka edhe bashkëatdhetarë nga diaspora që vijnë për trajtim në qendrën “Labyrinth”.

Sipas tij, numri i përdoruesve të drogave që pranon të regjistrohet në qendrën e trajtimit është shumëfish më i vogël se numri i vërtetë i përdoruesve. Ai ka thënë se përdoruesit i ndajnë në përdorues që s’kanë krijuar varshmëri, dhe ata “problematikë” me varshmëri të thellë.

Rreth 6600 është numri i përdoruesve “problematikë” të drogave në Kosovë, ka thënë Blakaj.

Blakaj është shprehur i lumtur që ka rënë ndjeshëm numri i vdekjeve si pasojë e mbidozës, por ka shtuar se shifrat ngelin shqetësuese për përdorim.

Ai ka thënë se heroina është drogë që shkakton më shpejt varshmëri, ndërsa kokaina megjithatë “jep mundësinë për t’u tërhequr”. Sipas tij, paranoja është simptomë kur dihet se ka filluar me të madhe varshmëria nga kokaina.

Viteve të fundit ai ka shpjeguar se është rritur numri i përdoruesve që janë paraqitur vetë për trajtim.

Sa i përket kanabisit te të rinjtë, Blakaj ka thënë se mosha mesatare e fillimit të drogave, kryesisht me marihuanë, ka rënë në 16 vjeç. Ai ka bërë të ditur se një përdorues në moshë të re, që e përdor marihuanën në baza ditore, do të ketë zbrazëti të madhe në jetën e tij në kuptimin logjik e psikik.

Shifrat e larta të përdoruesve të marihuanës te të miturit në shkolla, madje edhe në shkolla fillore, sipas Blakajt, duhet të nxisin institucionet për veprim më të shpejtë me programe parandaluese.

Ai ka thënë se në pandemi s’ka pasur rritje të numrit të përdoruesve, por ka shtuar se pengesat për qasje në drogë ka çuar në dhunë në familje.

Në fund, Blakaj ka thënë se me programin e qendrës të cilën ai e drejton është ulur dukshëm përdorimi i heroinës. Ka thënë se ka pasur shumë raste kur përdoruesit i janë kthyer tërësisht jetës normale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button