Nga 16 691 të shtrirë në spital për shkak të KOVID-19, 1 114 janë të regjistruar pas vaksinimit, sqarojnë nga hulumtimi i MSH-së

Vaksinat kundër KOVID-19 janë treguar shumë efektive edhe te popullata e Maqedonisë në parandalimin e sëmundjes së rëndë dhe vdekjeve. Nuk ka pas dallim të madh ndërmjet vaksinave nga prodhues të ndryshëm, sa i përket efektivitetit të tyre në parandalimin e vdekjes nga KOVID-19, por ka pas dallime në parandalimin e shtrirjeve në spital. Një dozë e vaksinës KOVID-19 nuk ka mjaftuar për të parandaluar pasojat e rënda të sëmundjes dhe theksohet rëndësia për të marrë të paktën dy doza të vaksinës, raporton Civil, përcjell Portalb.mk.

Siç ka informuar Ministria e Shëndetësisë, këto rezultate janë fillestare, preliminare, janë pjesë e hulumtimit që është duke u zhvilluar për efektivitetin e vaksinave në popullatën e Maqedonisë. Hulumtimin e udhëheq dr. Haris Babaçiq, Magjistër i Epidemiologjisë dhe doktorant në Institutin Karolinska (Stokholm, Suedi), në bashkëpunim me Zhaklina Çagoroska nga Drejtoria e Shëndetit elektronik në Ministrinë e Shëndetësisë.

Në analizën fillestare gjithëpërfshirëse për efektivitetin e vaksinave, kundër KOVID-19, në parandalimin e shtrirjeve në spital dhe vdekjeve të popullatës në Maqedoni, janë anketuar të gjithë përdoruesit e sistemit elektronik shëndetësor kombëtar “Termini im” nga dita e regjistrimit të vaksinimit të parë (15 janar 2021) e deri më 30 shtator 2021.

Në analizë janë përfshirë gjithsej 1.886.124 qytetarë të moshës 11 vjeç e më të vjetër, ku përfshihen 779.558 të anketuar të vaksinuar, të cilët kanë pranuar të paktën një dozë dhe 1.106.566 persona të pavaksinuar. Nga popullsia, të cilës iu ka ofruar vaksina (11 vjeç e më të vjetër), në periudhën e caktuar, 41,33% kanë qenë të vaksinuar me të paktën një dozë, shumica e të cilëve (37,78%) kanë qenë të vaksinuar plotësisht me dy doza. Shumica e të anketuarve kanë marrë vaksinën BNT162b2 nga prodhuesi “Pfizer/BioNTech” dhe vaksinën “CoronaVac” nga prodhuesi “Sinovac”.

Analiza tregon se, nga fillimi i epidemisë në Maqedoninë e Veriut (26 shkurt 2020) deri më 30 shtator 2021, në spital nga KOVID-19 janë shtruar gjithsej 30.136 persona, prej të cilëve 6.542 kanë vdekur (21,708 % e personave të shtruar). Mosha mesatare e personave të shtruar është 61 vjeç, ndërsa 56,5 % e tyre janë meshkuj. Nga momenti i shtrirjes në spital e deri te momenti i vdekjes kanë kaluar mesatarisht 14,8 ditë, ndërsa gjysma e të anketuarve kanë vdekur brenda tetë ditësh pas shtrirjes në spital. Të gjithë ata që ishin shtruar në spital para se të vaksinoheshin me dozën e parë janë klasifikuan si të pavaksinuar.

Prej 15.01.2021 e deri më 30.09.2021, nga gjithsej 16.691 të shtrirë në spital, 1.114 janë regjistruar pas vaksinimit, nga 701.148 të vaksinuar plotësisht (0,159 %), ndërsa nga 1.119.139 persona të pavaksinuar në spital janë shtrirë 15.577 persona (1.391 %). Vlerësimi i përafërt për efektivitetin e dy dozave të pranuara, të cilës do vaksinë, në parandalimin e shtrirjeve në spital ishte 88.727 % (95 % intervale të besueshmërisë (IB): 88,017- 89,400 %), thuhet në analizë.

Siç raportohet mosha më e vjetër dhe gjinia mashkullore ndjeshëm e kanë ulur efektivitetin e vaksinave, ashtu që ata të moshës 65 vjeç e më shumë kishin rreth 76 % më shumë rrezik për t’u shtruar në spital sesa ata nën 65 vjeç, kurse burrat kanë pasur rreth 23 % më shumë rrezik për t’u shtrirë në spital se sa gratë. Për shkak se popullsia e vaksinuar ishte mesatarisht pothuajse 10 vjet më e vjetër se ajo e pavaksinuar dhe për shkak se grupmoshave të ndryshme u ofroheshin vaksinat të prodhuesve të ndryshëm, vlerësimi i efektivitetit u përshtat për gjininë dhe grupmoshat (persona 65 vjeç e më shumë kundrejt atyre 65 vjeç). Kështu, efektiviteti i korrigjuar i dy dozave të çdo vaksine në parandalimin e shtrirjes në spital ishte 90,604 % (95 % IB: 90,018- 91,166 %).

Sipas analizës, dy doza të vaksinës Covid-19 “BNT162b2” të prodhuesit Pfizer/BioNTech treguan efektivitetin më të lartë në parandalimin e shtrirjeve në spital, e ndjekur nga vaksina ChAdOx1-S (prodhues “AstraZeneca”) dhe vaksina CoronaVac (prodhues “Sinovac“), të gjitha me efektivitet mbi 92%. Vaksinat “BBIBP-CorV” (prodhues Sinopharm) dhe Gam-COVID-Vac (prodhues “Instituti Gamaleya”) u treguan më pak efektive në parandalimin e shtrirjes në spital sesa tre vaksinat e mëparshme, megjithatë edhe ato treguan efektivitet të lartë, mbi 80 përqind.

Analiza e 65.837 personave, të cilët kishin pranuar vetëm një dozë të vaksinës, nga çdo prodhues, ka treguar efektivitet dukshëm më të ulët në parandalimin e shtrirjeve në spital për shkak të KOVID-19. Pas korrigjimit për gjininë dhe grupmoshat, ishte 40,918 % (95% IB: 35.912- 45.644).

Sipas analizës, në periudhën nga 1 janari 2020 deri më 30 shtator 2021 kanë vdekur gjithsej 42.970 nga 1.886.124 të monitoruar të moshës 11 vjeç e më të vjetër. Nga këto, 17.823 vdekje janë regjistruar gjatë periudhës së monitorimit të studimit, e prej tyre 3.947 kanë qenë vdekje të regjistruara nga KOVID-19 (22,145 %). Mosha mesatare e atyre që kanë vdekur nga KOVID-19 ka qenë 70 vjeç, gjysma e personave të vdekur ishin nën 71 vjeç, personi më i ri që ka vdekur ka qenë 15 vjeç, ndërsa më i vjetri 99 vjeç.

Nga gjithsej 3.947 vdekje të regjistruara nga KOVID-19 në periudhën 15.01.2021-30.09.2021, në 712.587 persona të vaksinuar plotësisht janë regjistruar vetëm 179 vdekje (0.0251 %), ndërsa në 1.106.574  persona të pavaksinuar janë regjistruar 3.640 raste të vdekjes (0.329 %). Kështu, siç është theksuar, vlerësohet se efektiviteti i përafërt i dy dozave të vaksinës nga çdo prodhues në parandalimin e vdekjes nga KOVID-19 ishte 92,39% (95% IB: 91,159- 93,486%).

– Mosha më e madhe dhe gjinia mashkullore ndikuan ndjeshëm në rrezikun e vdekjes nga KOVID-19, ku ata të moshës 65 vjeç e më shumë kishin rrezik pothuajse dy herë më të lartë të vdesin nga KOVID-19, ndërsa burrat kishin rreth 28% rrezik më të lartë se gratë për të vdekur nga KOVID-19. Analiza, pas korrigjimit për gjininë dhe moshën, tregon se efektiviteti i marrjes së dy dozave të vaksinës nga çdo prodhues në parandalimin e vdekjes nga KOVID-19 ishte 94,064% (95% IB: 93,661- 94,448%).

Sipas analizës, të gjitha vaksinat treguan efikasitet të lartë, mbi 91 për qind, në parandalimin e vdekjeve nga KOVID-19. Ndryshe nga analiza e mëparshme për parandalimin e shtrirjes në spital, vaksinat BBIBP-CorV (prodhues Sinopharm) dhe Gam-COVID-Vac (prodhues “Instituti Gamaleya”) treguan dallim shumë të vogël në mbrojtjen kundër vdekjes nga KOVID-19, krahasuar me vaksinat e tjera. Vaksina BBIBP-CorV (prodhues Sinopharm), siç vihet në pah, kishte efikasitet pak më të ulët se vaksinat e tjera në parandalimin e vdekjes nga KOVID-19, por dallim ishte i papërfillshëm.

Analiza e 66.942 personave, të cilët kishin pranuar vetëm një dozë të vaksinës nga secili prodhues, tregoi se efikasitet ishte dukshëm më i ulët në parandalimin e vdekjes nga KOVID-19, që e korrigjuar për gjininë dhe grupmoshat ishte 39,140 p% (95% IB: 34,476- 43,562).

Ministria përkatëse thekson se hulumtimi është në baza vullnetare, studiuesit nuk kanë konflikt interesi dhe nuk kanë marrë kompensim financiar për këtë hulumtim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button