Pollog, përfaqësim i ulët i grave në vendimmarrjen lokale (Infografik)

Gratë në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në vendimmarrje si në pushtetin ekzekutiv po ashtu edhe në atë lokal. Për këtë problem dhe mënyrat se si mund të sigurohet mbështetje sa më e madhe dhe reale për të gjitha gratë në vendimmarrje, me theks te vetëqeverisja lokale sot diskutuan përfaqësues dhe kryetarë komunash nga nëntë komunat e Pollogut përmes Institutit për Lidership dhe Politika Publike, së bashku me ambasadoren e Britanisë së Madhe, Rachel Galloway, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse barazia gjinore është në agjendën dhe “prioritetet” e partive politike, e njëjta nuk mund të thuhet se realizohet në praktikë. Këtë e tregojnë rezultatet e zgjedhjeve lokale të këtij viti, vetëm dy gra arritën të dalin fituese si të parat e komunës. Situata është pak më mire në listat e këshilltarëve komunal, por kjo rrjedhimisht vjen pasi aty ka kuota dhe përfaqësimi përsëri është minimal.

Pranvera Kasami
Pranvera Kasami

Pranvera Kasami, drejtuese e Institutit për Lidership dhe Politika Publike tha se një nga arsyet kryesore se përse kemi një dallim kaq të dukshëm mes grave dhe burrave qëndron në mosmarrjen seriozisht të grave nga vetë burrat kudo që ato përfaqësohen duke filluar nga vetë partitë politike.

Sipas analizës së Institutit për Lidership për  përqindjen e përfaqësimit të grave në këshillat komunale, Kasami tha se në shumicën prej komunave të Pollogut ka një rënie në përqindje, vetëm në një ose eventualisht dy evidentohet që rastësisht kanë një ngritje të lehtë.

“Kjo jep të kuptosh se nuk është punuar me interesin e nevojshëm për ta forcuar pozicionimin e gruas por kjo ndodh vetëm nga që obligohen përmes kuotave.” tha Pranvera Kasami.

Në infografikun e më poshtëm të përgatitur nga Portalb.mk mund të shihet krahasimi i përfaqësimit gjinor në këshillat komunal në vitin 2017 dhe 2021.

Infografik nga Portalb.mk/Fisnik Xhelili
Infografik nga Portalb.mk/Fisnik Xhelili

Për ambasadoren e Britanisë së Madhe në vend, Rachel Galloway kjo duhet të fillojë nga fuqizimi i vajzave për t’u dhënë atyre besim për të qenë aktive dhe për të udhëhequr, për të mbështetur nominimet e më shumë grave nga partitë politike në pozicione vendimmarrëse, në mënyrë që ato të jenë në gjendje të promovojnë politika që prekin komunitetet e tyre.

Rachel Galloway
Rachel Galloway

“Në zgjedhjet e fundit lokale në Maqedoninë e Veriut ne pamë se gratë nuk ishin të përfaqësuara në mënyrë të barabartë kudo në vend, jo sepse qytetarët nuk votuan për gratë, por sepse gratë nuk ishin të përfaqësuara  mjaftueshëm në listat e kryetarëve të komunave. Kjo është diçka që të gjitha partitë politike duhet të  punojnë për të përmirësuar përfaqësimin e grave në pozita të larta. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë barazinë gjinore, sepse vetëm kështu do të krijojmë një botë më të drejtë, më të sigurt dhe më të begatë ku të drejtat e njeriut mbështeten.” tha ambasadorja Galloway.

Për këtë, drejtoresha Kasami tha se ata bëjnë advokim edhe brenda sistemit legjislativ që kuotat të inkurajohen jo vetëm te listat për këshilltare komunale apo listat për përfaqësim në nivel parlamenti por edhe në nominimet për kryetarë komunash, gjegjësisht në ligjin për parti politike ose në ligjet tjera.

“Nga viti i ardhshëm do të ketë disa trajnime ku gra që janë në vendimmarrje dhe politikëbërje brenda vetëqeverisjeve lokale të jenë pjesë e trajnimeve, ideja është që të kontribuohet në një shoqëri sa më kohezive dhe me kushte më të barabarta për të gjithë. Si burrat ashtu edhe gratë duhet të ndihen komod që të manifestojnë dhe shprehin të gjithë potencialin dhe kapacitetin e tyre intelektual që ato kanë.” tha Pranvera Kasami.

Në bazë të ligjeve, të paktën 40% e listave për këshilltarë në asambletë komunale duhet të jenë gra, por sa i përket garës për kryetar komune, në ligje nuk ka kuota gjinore. Situata është më ndryshe atje ku ka kuota, si në listat e këshilltarëve. Në këto zgjedhje lokale, 55% e kandidatëve për këshilltarë ishin burra dhe 45% gra.

Çekuilibër i madh u vërejt te kandidatët për kryetar në 81 komuna në zgjedhjet lokale të këtij viti, vetëm 25 nga 299 kandidatë ishin gra, apo vetëm 8% nga numri i përgjithshëm. Ende më skandaloz është numri i grave të cilat fituan mandatin si të parat të komunës, nga 25 gra kandidate vetëm 2 arritën ta fitojnë betejën dhe të dalin fituese si kryetare komune.

Ndryshe, barazia gjinore mbetet një nga sfidat kryesore globale përfshirë edhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, kjo e fundit siç duket është munduar të zgjidhë këtë problem ndër vite. Kujtojmë që pjesëmarrja e grave në politikë është njohur si një e drejtë njerëzore e nevojshme për përparim global. Në nivelin global, ajo u njoh për herë të parë në 1956 dhe u garantua me Deklaratën Universale të së Drejtave të Njeriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button