Stuart Peach do të jetë i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor

Kryeministri britanik Boris Johnson ka emëruar Sir Stuart Peach të dërguar të posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për zhvillimin dhe prosperitetin e rajonit. Sir Stuart Peach do ta marrë detyrën e re pasi të ketë dhënë dorëheqje nga detyra e Kryetarit të Komisionit Ushtarak të NATO-s, një rol të cilin e mban prej vitit 2018. Më parë ai ka shërbyer edhe si Shef i Shtabit të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, transmeton Portalb.mk.

“Si i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit, Sir Stuart Peach do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, me të tjerët në rajon, dhe aleatët në SHBA dhe Evropë, për të mbështetur dhe përforcuar stabilitetin rajonal. Puna e tij do të përfshijë gjithashtu promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërive të hapura, duke favorizuar luftën ndaj krimit të organizuar dhe sfidat e tjera të përbashkëta të sigurisë, si dhe inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara, si krimet e luftës dhe personat e zhdukur”, thuhet në kumtesë.

Lidhur me këtë të fundit, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë gjithashtu të udhëheqë punën për avancimin e barazisë gjinore dhe zbatimin e Iniciativës për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt. Në Bosnje dhe Hercegovinë, puna e Sir Stuart Peach do të mbështesë atë të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, i cili vazhdon të ketë mbështetjen e plotë të Britanisë. Për Serbinë dhe Kosovën, ai do të punojë me partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të dialogut Serbi-Kosovë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Mbretëria e Bashkuar është thellësisht e përkushtuar ndaj sigurisë në Evropë. Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë në më shumë se dy dekada. Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur sukseset e arritura përmes paqes dhe dialogut – nuk mund të lejojmë asnjë kthim në dhunën dhe ndasitë e së kaluarës. Përvoja dhe ekspertiza e gjerë e Sir Stuart Peach do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen dhe për të promovuar integrimin euroatlantik në këtë rajon kyç”, ka thënë kryeministri Boris Johnson, njofton ambasada britanike.

Mbretëria e Bashkuar po ndihmon gjithashtu në përgjigjen ndaj sfidave të tjera rajonale, duke përfshirë mbështetjen e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, dhe luftën ndaj grupeve të krimit të organizuar. Mbretëria e Bashkuar do të luaj një rol të rëndësishëm, duke punuar ngushtë me qeveritë e Rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Si Ambasadore e Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoninë e Veriut, fuqishëm e mirëpres emërimin e Sër Stjuart Piç si i dërguari special i kryeministrit për Ballkanin Perendimor. Në bashkëpunim të ngushtë me ambasadata britanike në rajon, Sër Stjuart do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe aleatët tanë për të mbështetur dhe forcuar stabilitetin rajonal. Emërimi i tij është kryesisht sinjal i forte i angazhimit të vazhdueshëm britanik për forcimin e marrëdhënieve me vendet e Ballkanit Perëndimor, për sigurinë dhe prosperitetin e këtij rajoni të rëndësishëm. E mirëpres bashkëpunimin tanë”, tha ambasadorja e MB-së Rachel Galloway.

Situata politike në Ballkanin Perëndimor është diskutuar në takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Riga, si dhe në takimin e Ministrave të Jashtëm të G7-s në Liverpool.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button