Shprehia që duhet ndryshuar

Rrugës nga puna për në shtëpi ndalem në barnatore për të blerë një pako me vitamin C. Shitësja e sjellshme më shërben me shpejtësi dhe menjëherë e fut pakon e vogël në një qese të vogël plastike. Më duhet ta nxjerrë pakon nga qesja dhe ti them me mirësi se nuk më duhet një e tillë. Ajo më kupton. Edhe unë e kuptoj atë.

Pa arritur ende në shtëpi ndaloj në shitore ku duhet të blej një pako çaj sepse më ka mbaruar. Sërish lufta me qesen e plastikës: shitësi i sjellshëm e vendos çajin në qese, unë e nxjerrë dhe them që nuk më duhet një e tillë. Ai më kupton. Edhe unë e kuptoj atë.

Shitësit e japin qesen nga shprehia, sepse u duket se nuk e kanë shërbyer si duhet klientin po e përcollën me pakon në dorë dhe jo në qese. Është çështje shprehie dhe konsiderohet si pjesë e mirësjelljes. Është diçka e ngulitur në përditshmërinë tonë, po aq sa zakoni ynë shekullor mikpritja. Ashtu siç është e natyrshme t’i ofrosh kafe mikut, po aq e natyrshme është t’ia paketosh blerësit gjërat e blera në qese plastike.

Shprehitë nuk ndryshohen lehtë, por me vendosmëri ndryshimi është i mundshëm. Së pari duhet të dakordohemi që shprehia e përdorimit të qeseve plastike vend e pa vend nuk është një shprehi e mirë. Edhe ajo qesja e vogël që na japin për një pako në barnatore duhet të zërë vend në hapësirë dhe natyra duhet të mundohet me qindra vjet e sërish nuk do të arrijë ta tretë e ta asgjësojë. Edhe ajo qese e vogël është pjesë e plastikës e cila po e përmbyt planetin në të cilin po jetojmë. Edhe ajo qese e vogël do të zërë vend herët a vonë në një deponi të ligjshme ose të egër ku do të vazhdojë ta ndotë ambientin me dekada të tëra. Është koha t’i japim fund kësaj shprehie dhe të punojmë për t’u përmirësuar.

Vendimi që nga 1 Dhjetori çdo qese plastike do të kushtojë 15 denar duhet shikuar jo si vendim për të ngarkuar edhe më shumë buxhetin e qytetarit që përballet me inflacionin, por si vendim për të ngritur vetëdijen e qytetarit se jo gjithmonë na duhet një qese plastike, si përpjekje për ta reduktuar përdorimin e tyre. Është koha e fundit për të menduar opsionet që i kemi për të reduktuar përdorimin e plastikës, për të ricikluar plastikën dhe për ti ripërdorur në mënyrë të qëndrueshme resurset që i kemi. Një qese e mirë plastike që tash më mund ta kemi në shtëpi mund të përdoret edhe shumë herë të tjera. Nuk e kemi më luksin që të kemi qese plastike për një përdorim. Qeset tekstile që prindërit  tanë i përdornin për të bërë pazarin dekada më parë mund të fillojmë sërish ti përdorim (ashtu si që shumë nga ne ka kohë që i përdorim) dhe ky hap i vogël do të na bëjë të ndihemi më mirë me vetveten. Shprehitë ndryshojnë ngadalë, dhe në fillim do të harrojmë ti bartim me vete qeset që na duhen kur duhet të bëjmë pazar, por me kalimin e kohës do të mësohemi, si që janë mësuar njerëzit në vende shumë më të pasura e më të zhvilluara se ne, ku pagesat e larta për qese plastike janë realitet tash e sa vjet.

Por mbi të gjitha, ajo që duhet ta tejkalojmë është turpi i paarsyeshëm që e ndjejmë lidhur me qeset plastike, qoftë si blerës qoftë si shitës. Blerësit duhet ta tejkalojnë sikletin e pakuptimtë se po u paraqitën në shitore me qeset e veta të gjithë do i shohin me sy të keq si kursimtarë të paskrupullt. Nuk është çështja te kursimi, megjithëse edhe kjo gjë nuk duhet anashkaluar (10 qese plastike nga 15 denarë janë 150 denarë që mund të përdoren për diçka më të dobishme). Çështja është te vendimi që secili blerës duhet ta marrë në vetvete për të kontribuar sado pak në mbrojtjen e ambientit. Një vendim i tillë nuk duhet konsideruar në asnjë mënyrë i sikletshëm ose i turpshëm. Shitësit po ashtu duhet ta tejkalojnë sikletin e pakuptimtë se po e përcollën blerësin nga shitorja pa qese plastike kjo është diçka baraz me apokalipsën. Ata duhet të mësohen të mos japin qesen e plastikës automatikisht dhe as të mendojnë se ky është një detyrim i tyre. Me një përpjekje të përbashkët nga të dy anët kjo shprehi ka mundësi të ndryshojë. Me kalimin e kohës qeset e akumuluara do të mësohemi ti përdorim e ripërdorim dhe ky do të jetë normaliteti i ri.

Ne mund ta reduktojmë plastikën në jetën tonë duke vendosur të përdorim më pak qese plastike. Ne mund ti ripërdorim qeset e plastikës që tash më i kemi me bollëk në shtëpitë tona. Secili prej nesh mund të kontribuojë në krijimin e një ambienti të pastër dhe të qëndrueshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button