Hekurudha edhe vitin e ardhshëm me orar të njëjtë, nuk do të ketë trena për Beograd dhe Selanik (Infografik)

Për të tretin vit me radhë nuk ka ndryshime në orarin e trenave të pasagjerëve në vend. Hekurudhat e RMV-së Transport edhe në vitin 2022 do të qarkullojnë me orar të njëjtë sikur sivjet, kështu që trena për Beograd dhe Selanik nuk do të ketë. Orari i ri, që hyn në fuqi më 12 dhjetor 2021, tashmë është paralajmëruar dhe me të parashihet qarkullim me 15 palë trena në ditë nga stacioni hekurudhor i Shkupit dhe do të vlejë deri më 10 dhjetor 2022, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Treni i vetëm në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve është treni i shpejtë për Prishtinë, i cili parashihet të niset nga Shkupi në orën 16:10, ndërsa nga kryeqyteti i Kosovës në orën 7:10. Megjithatë, ky tren nuk qarkulloi fare vitin e kaluar, si për shkak të situatës me pandeminë kovid-19, ashtu edhe për shkak të rikonstruksionit të hekurudhës në Kosovë dhe mungesës flotës së lokomotivave të Hekurudhat e RMV-së Transporti.

Infografik nga Portalb.mk
Infografik nga Portalb.mk

Në komunikacionin e brendshëm, ndërmjet Shkupit dhe Manastirit, do të ketë tre palë trena në ditë, që do të nisin nga Shkupi në ora 6:53, 14:30 dhe 20:05, ndërsa nga Manastiri në ora 3:15, 12:50 dhe 18:26.

Në linjën Shkup-Gjevgjeli-Shkup nga kryeqyteti treni do të niset në orën 6:23 dhe 16:55, ndërsa nga Gjevgjelia për në Shkup do të nisen në orën 4:40 dhe 16:55.

Nga Shkupi drejt Kërçovës dhe Koçanit edhe në vitin 2022 do të ketë një palë trena në ditë, nga kryeqyteti për në Kërçovë treni do të niset në ora 16:45, ndërsa nga Shkupi për në Koçan në ora 15:23. Në drejtim të kundërt, nga Kërçova niset në orën 5:30, ndërsa nga Koçani në ora 5:26. Njëlloj sikurse për në Prishtinë, nga maji i këtij viti trenat e udhëtarëve për në Kërçovë dhe Koçan nuk qarkullojnë fare për shkak të mungesës së flotës.

Ndërmjet Shkupit dhe Tabanovcës vitin e ardhshëm do të qarkullojnë katër palë trena në ditë, ndërsa në linjën Shkup-Veles-Shkup do të qarkullojnë nëntë palë trena në ditë.

Ndryshe, me propozim-buxhetin për vitin 2022, i cili aktualisht po shqyrtohet nga komisioni Parlamentar, për Hekurudhat e RMV-Transportit janë dedikuar 390 milionë denarë (rreth 6,3 milionë euro) si subvencione shtetërore për kompensim të shërbimeve me interes publik në transportin hekurudhor të udhëtarëve.

Meta.mk tashmë ka shkruar që studentët kërkojnë të rikthejnë biletat falas për udhëtim me tren. Kryetarja e Parlamentit Studentor të Universitetit UKIM, Eva Cvetkovska na tha se Ministria e Transportit dhe Lidhjeve u ka premtuar se do t’i marrë parasysh kërkesat e tyre me buxhetin e ri për vitin 2022.

Përpara pandemisë me kovid-19, të gjithë të rinjtë, nën moshën 27 vjeç, kishin të drejtë të përdornin bileta falas për të udhëtuar me tren pasagjerësh në çdo destinacion, çdo fundjavë të parë dhe të tretë të muajit. Përveç kësaj, studentët kishin të drejtë të udhëtojnë falas me tren çdo të enjte, ndërsa nxënësit e shkollave të mesme në vend mund të udhëtonin me tren falas çdo të mërkurë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button