E-shoqëri.mk: Përparimi me hapjen e të dhënave është nën pritshmëritë

Publikimi i të dhënave të hapura në vend po shënon një përparim cilësor krahasuar me fillimet e tetë viteve më parë, por fatkeqësisht nuk mund të thuhet se ky është ritmi i pritshëm, i kërkuar. Ndonëse shifrat janë shumë më të larta se në fillim, kjo nuk është e gjitha, thekson Dr. Irena Bojaxhievska.

“Ka shembuj pozitivë, si p.sh. “Financat e hapura” të Ministrisë së Financave, por kur çdo gjë bashkohet në një vend, nuk mund të konstatojmë se po shkojmë me ritmin që kërkohet, që pritet. Kur u promovua kultura “open data” (të dhënat e hapura) në Maqedoni, ne ishim ndër pionierët, mirëpo tani nuk kemi rezultate shumë mbresëlënëse”, thotë ajo.

Në prezantimin e saj në seancën e tretë të sotme të konferencës ndërkombëtare e-Shoqëri.Mk në temën “Demokracia në epokën digjitale: sfidat dhe mundësitë”, duke i prezantuar gjetjet nga analiza e bërë e situatës, Dr. Bojaxhievska theksoi se në vend, megjithatë, kultura e të dhënave të hapura nuk është zhvilluar mjaftueshëm.

Dr. Irena Bojaxhievska në konferencën e-Shoqëri.mk 2021. Foto: Meta.mk, 30 nëntor 2021

Siç tha ajo, ka iniciativa të institucioneve shtetërore dhe të pushtetit lokal për “hapjen e të dhënave”, megjithatë në një masë të madhe strategjia për të dhënat e hapura, gjegjësisht publikimi i të dhënave me spektër të gjerë në format të lexueshëm nga makina, shumë më shpesh shihet si një politikë e Ministrisë së Shoqërisë Informative dhe Administratës (MSHIA).

Domethënë, kjo më shumë kuptohet si një detyrë, e ndonjëherë institucionet nuk kanë kapacitet për ta realizuar këtë, theksoi ajo.

“Nga njohuritë që i kemi fituar gjatë viteve, disa institucione kanë rezistencë për t’i hapur të dhënat edhe nga frika se mos publikojnë diçka që nuk duhet publikuar për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale” – theksoi Bojaxhievska.

Ajo theksoi se sipas njohurive dhe përvojës në komunikim me institucionet, arritjet nuk do të ishin të mundshme pa angazhimin e organizatave të shoqërisë civile, të cilat ofrojnë trajnime dhe projekte, por me këtë nuk zgjidhet problemi – disa institucione nuk kanë burime të mjaftueshme njerëzore për t’i bërë të dhënat e hapura.

Qëndresa Sulejmani
Qëndresa Sulejmani, Drejtore e Programeve në Fondacionin Metamorfozis

Vetë futja e të dhënave zakonisht bëhet në mënyrë manuale dhe të pa sistemuar, dhe ky është një problem serioz, theksoi Bojaxhievska. Më shpesh edhe mbledhja e të dhënave që duhet të “hapen” për publikun bëhet në mënyrë manuale, gjegjësisht edhe kjo është manuale dhe paautomatizuar, gjë që e bën publikimin apo përditësimin e grupeve të të dhënave të publikuara të pamjaftueshëm dhe të rrallë.

“Vetë fakti që një person duhet t’i përditësojë të dhënat në mënyrë manuale nuk lejon që të dhënat e tilla të përditësohen shumë shpesh, kështu që ritmi është që përditësimi bëhet një herë në muaj apo në tre muaj”, tha ajo, duke shpjeguar se këto janë periudha shumë të gjata për disa subjekte që mbi bazë komerciale ose mbi ndonjë bazë tjetër do të krijonin grupe të dhënash ose disa mjete.

Konferenca e-Shoqëri.mk, sesioni i tretë

Edhe në Kosovë situata nuk është e shkëlqyer, tha Delvina Haxhijaha nga “Open Data Kosovo” (Të dhënat e hapura Kosovë). Ajo shpjegoi se që nga themelimi i organizatës së tyre në vitin 2014, arritja e parë e madhe që kanë arritur është krijimi i një sistemi elektronik për furnizimet publike, por edhe se punojnë në mënyrë intensive për hapjen e të dhënave jo vetëm në nivel qendror, por shumë më tepër në nivel lokal.

Sipas Llazar Pop Ivanov nga ekipi i “Accelerator Lab Team” nga Shkupi, i cili punon në kuadër të UNDP-së dhe në kohezion me ekipe të tjera të tilla në 91 vende të tjera, një nga arritjet e mëdha në fushën e të dhënave është se duke punuar shumë dhe kryesisht duke mbledhur të dhëna, ata kanë arritur të krijojnë një hartë për rajonin e Shkupit ku mund të ndiqet se sa bio-mbeturina janë krijuar nga objektet hotelierike në Shkup. Kjo, tha ai, është e dobishme jo vetëm për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe për të kuptuar se si është gjendja me mbeturinat, por edhe për disa kompani që mund t’i përdorin ato mbeturina.

Konferenca ndërkombëtare e-Shoqëri.mk në temën “Demokracia në epokën digjitale: sfidat dhe mundësitë “ vazhdon edhe nesër, dhe do të përfundojë të enjten. Në kuadër të konferencës organizohet edhe një hakaton për të dhënat e hapura.

Ndryshe, edicioni i sivjetshëm i konferencës e-Shoqëri.mk do të zgjasë 4 ditë dhe përbëhet nga 7 sesione, 2 fjalime frymëzuese, 2 trajnime dhe 1 punëtori, dhe kryesisht do të diskutohet për gjendjen e demokracisë sot, si dhe për atë se si teknologjia e formëson përkufizimin e qeverisjes së mirë dhe angazhimin qytetar në kushtet e sotme. Gjithashtu do të diskutohen edhe sfidat e epokës digjitale me fokus të veçantë në dezinformimin dhe sigurinë në internet. Aktivistë, ekspertë, gazetarë, nëpunës shtetërorë dhe mbështetës nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë do t’i ndajnë pikëpamjet dhe opinionet e tyre mbi temën “Demokracia në epokën digjitale: sfidat dhe mundësitë”.

Ngjarja mbahet në format hibrid, me ç’rast dita e parë dhe e fundit e konferencës (30 nëntor dhe 3 dhjetor) do të mbahen në hotelin Panoramika, dhe disa nga pjesëmarrësit do të kenë mundësi të marrin pjesë në ngjarje drejtpërdrejt, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë do të mund t’i ndjekin seancat online përmes platformës ZOOM dhe transmetimit të drejtpërdrejtë në faqen e Fondacionit Metamorfozis në Facebook.

Agjendën e konferencës e-Shoqëri.mk mund ta shihni këtu: Agjenda-е-Shoqëri.mk-2021

Sesionet e ditës së parë të konferencës mund t’i ndiqni më poshtë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button