Nuk është e vërtetë që Japonia do e ndërpresë vaksinimin kundër Kovid-19 dhe do fillojë me përdorimin e Ivermektinit

Postimi që po analizojmë përhap gënjeshtra në lidhje me shuarjen e pandemisë së koronavirusit në Japoni dhe masat për ta luftuar atë. Nuk është e vërtetë që Japonia “i jep fund çmendurisë me Kovid-19” duke braktisur vaksinimin dhe duke filluar përdorimin e Ivermektinit. Vaksinimi masovik i popullatës vazhdon të bëhet në Japoni dhe Ivermektini nuk është miratuar si ilaç në luftën kundër Kovid-19, as nga OBSH-ja, as nga autoritetet japoneze, shkruan Vërtetmatësi.

Postimi në Facebook përhap dezinformata se Japonia e ka ndërprerë vaksinimin kundër Kovid-19 dhe ka filluar me përdorimine Ivermektinit. Kjo nuk është e saktë.

Japonia do e ndërpresë vaksinimin kundër Kovid-19 dhe do fillojë me përdorimin e Ivermektinit– i jep fund çmendurisë me Kovid-19, thuhet në postimin në Facebook të cilin po e analizojmë.

Japonia, pasi arriti kulmin e infeksionit në gusht, kur kishte më shumë se 20 mijë raste të infeksioneve të reja në ditë, në nëntor shënon një numër shumë më të ulët të të infektuarve. Për shembull, më 21 nëntor u raportuan 143 raste të reja dhe 5 raste të vdekjes nga Kovid-19, thonë të dhënat nga Worldometers. Nëse në gusht mesatarja e rasteve aktive ishte rreth 230 mijë, tani në nëntor janë rreth 1200 raste aktive.

Për shkak të shifrave të tilla dhe rënies drastike të numrit të rasteve të reja me Kovid-19, në rrjetet sociale filluan të përhapen shkrime se Japonia kishte arritur rezultat të këtillë falë braktisjes së vaksinimit dhe përdorimit masovik të Ivermektinit. Postimi që po analizojmë e shpërndan edhe këtë teori. Por vërtetimi ynë tregoi se pretendimet e bëra në të nuk janë të vërteta.

Japonia nuk e ka regjistruar Ivermektinin si ilaç kundër Kovid-19 dhe nuk e ka ndërprerë vaksinimin.

Siç tregojnë të dhënat nga Our world in data, deri më tani në Japoni (deri më 21.11.2021) kundër Kovid-19 me dy doza është vaksinuar 76,54 përqind e popullatës, ndërsa 2,43 përqind kanë pranuar një dozë të vaksinës. Në 18 nëntor (ditën kur është publikuar postimi të cilin po e recenzojmë), Јаponia ka administruar 258,315 doza të vaksinave.

Burimi: ourworldindata.org
Burimi: ourworldindata.org

Në Japoni janë miratuar vaksinat e Moderna, Pfizer dhe AstraZeneca.

Siç lajmëroi pak kohë më parë „Associated Press“, rastet ditore të Kovid-19 në Japoni ndoshta kanë rënë për shkak të fushatës së vaksinimit, mbajtjes së maskave dhe numrit të vogël të njerëzve në zonat për argëtim në qendër të qytetit.

Disa faktorë të mundshëm për suksesin e Japonisë përfshijnë fushatën e vonuar, por jashtëzakonisht të shpejtë të vaksinimit, evakuimin e shumë zonave të njohura për jetën e natës, e meqë rritja e rasteve kohëve të fundit përhapi frikë, praktikën e përhapur shumë kohë përpara pandemisë të mbajtjes së maskave dhe motin e keq në fund të gushtit që i mbajti njerëzit në shtëpi, shkruan „Associated Press“.

Sa  i përket Ivermektinit, Japonia nuk e ka miratuar atë si ilaç kundër Kovid-19, pra ai nuk është në listën e trajtimeve të miratuara për virusin nga Agjencia Japoneze për pajisje farmaceutike dhe mjekësore që bën shqyrtimin e pajisjeve ndihmëse mjekësore dhe farmaceutike.

Pretendimet e rreme se Japonia e ka miratuar Ivermektinin për trajtimin e Kovid-19 filluan të qarkullojnë në internet pasi Haruo Ozaki, kryetari i Shoqatës Mjekësore të Tokios, e rekomandoi ilaçin për pacientët me Kovid gjatë një konference për shtyp në 13 gusht.

Grupi mjekësor dhe Ozaki nuk janë të lidhur me qeverinë japoneze dhe anëtarët e organizatës mund të bëjnë vetëm sugjerime, vlerësojnë  organizatat e pavarura për verifikimin e fakteve.

Pastaj, autoritetet lokale në Tokio në uebfaqen e tyre theksojnë se:

Për momentin nuk ka asnjë ilaç antiviral për të cilin është vërtetuar se është efektiv kundër sëmundjes së koronavirusit.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron  që Ivermektini të mos përdoret për trajtimin e Kovid-19 dhe thotë që “ky ilaç duhet të përdoret vetëm në kuadër të testimeve klinike“.

Nga e gjithë kjo mund të konkludojmë se postimi që po analizojmë përhap gënjeshtra për pandeminë e koronavirusit në Japoni dhe masat për ta luftuar atë. Nuk është e vërtetë që Japonia po i jep fund çmendurisë me Kovid-19 duke braktisur vaksinimin dhe duke filluar me përdorimin e Ivermektinit. Në Japoni po kryhet vaksinimi masovik i popullatës dhe Ivermektini nuk është miratuar si ilaç në luftën kundër Kovid-19, as nga OBSH dhe as nga autoritetet japoneze. Prandaj, postimin në fjalë e vlerësojmë si të pavërtetë.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button