Qytete pa festa apo fundvit pa drita

Edhe gjatë këtij fundviti nuk do të stolisen qytetet.

Nuk do të ketë bredha, zbukurime, vezullim dritash.

Llambat nuk do ta ndriçojnë botën tonë, e cila është më shumë se sa bota e dukshme.

Ditët e fundvitit do të jenë si të mbuluara me veladonë të zi të padijes.

Nuk do të rikthehen Zonjat Kujtime nga Ishulli i Fëmijërisë.

Do të përsëritet viti i njëjtë – si në teatër absurdi – me marioneta që presin, shurdhohen, verbohen, miklohen, torturohen.

Në qytetet pa aromë feste, pa drita, pa ajër, pa befasi – ku nuk ndodh asgjë, ashtu sikurse në veprat e Beketit, Ioneskos, Adamovit – sundojnë Zonja Rutinë, Zonjusha Bezdi dhe Zotëri Trishtimi.

Nuk di pse aty nuk lexohen veprat mbi turmën të Ortega y Gasetit apo Gustav Le Bonit.

Aty nuk ka prijës, politikanë, mendimtarë, artistë.

Aty mungon guximi për t’u përballur me të Lartmadhërishmen Turmë, këtë kimerë që është gjithçka dhe asgjë.

Aty nuk ka rrugë të dashuruarish; rrugë për marrëzitë e tyre të këndshme.

Aty nuk ka penxhere ku adresohen serenata.

Aty nuk ka kafene të krisurish.

Aty ka pak lule dhe ditë të lodhshme e të rënduara nga refrenet.

Aty koha mitike, ciklike, i përditëson gjërat e mërzitshme dhe aforizmat e lodhshme të katragjyshërve.

Në qytetet me ajër të rëndë, Zonja Ngrysje lëviz rrugëve me gropa dhe te çdo njëri sheh një armik ose një viktimë.

Aty Zotëri Asketizmi citon thënie mbi botën e mrekullueshme, flet për altarë dhe mendjen e ka te bordelloja ilegale.

Në qytetet pa festë, që të shkaktojnë dhembje koke, njerëzit kanë nevojë të gabojnë.

Zotëri Gabimi shpesh na mëson si ta gjejmë rrugën e drejtë dhe të vërtetën që na ka frikësuar.

Na mundëson të dalim nga bota hermetike, nga bota e kodeve të ngurta anakronike…

Në këtë fundvit pa dritë dhe pa befasira nuk na mbetet tjetër veçse të ndezim dritat në ëndrrat tona dhe të harrojmë se jemi duke jetuar në një botë të errët, e cila sundohet nga mendjet e errësuara…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button