Largimi i përdorimit të qeseve plastike do të jetë i vështirë në fillim

Shkruan: Zibixhete Elezi

Qeset plastike është fakt se janë një ndër ndotësit më të mëdhenj, nga vetë fakti se janë të dedikuara për një përdorim, sepse janë krijuar nga materiale shumë të holla dhe në të njëjtën kohë reciklimi i tyre pothuajse është i pamundur sepse edhe nuk ka ndonjë leverdi.

Nisja për përdorimin e qeseve me përbërje të riciklueshme ka kohë që promovohet te ne që nga viti 2013. Në fillim në dorë u la vetë prodhuesve të ndërmarrjeve që merren me prodhimin e qeseve plastike, të bizneseve dhe marketeve që deri te konsumatorët të nxjerrin në qarkullim qese që janë më miqësore me mjedisin jetësor. Më pas këto qese kishin çmim simbolik vetëm e vetëm që të rritet vetëdija e qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Ndërsa tani Qeveria sikur më seriozisht i qaset kësaj problematike dhe nga nesër me ligj ndalohet përdorimi i qeseve plastike për bartjen e mallrave, si dhe lëshimi i paketimeve plastike për një përdorim në objektet hotelierike në territorin e zonave të mbrojtura në Maqedoninë e Veriut.

Përjashtim do të bëjnë vetëm qeset plastike që lehtë biodegradohen, por çmimi që konsumatorët do të paguajnë është 15 den. Sipas Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, mjetet e mbledhura do të shkojnë në një fond me të cilin më pas do të investohet në mjedisin jetësor. Shpresojmë se ky premtim do të bëhet realitet dhe qytetarët t`i ndiejnë këto benefite.

Largimi nga përdorimi i qeseve plastike do të jetë i vështirë në fillim por me kalimin e kohës dhe kur do të vetëdisohemi, se të gjithë ne kontribuojmë sado pak në zvogëlimin e ndotjes së mjedisit jetësor, atëherë edhe përdorimi i torbave do të bëhet rutinë e jetës sonë.

Nëse vërtet do të mendojmë për të mirën e mjedisit jetësor dhe për mbrojtjen e tij, duhet që vëmendja të fokusohet edhe tek ambalazhet e produkteve që të gjithë ne i përdorim në jetën tonë të përditshme. Pra duhet tu kushtohet rëndësi të gjitha produkteve ushqimore ( shisheve të ujit, lëngjeve, vajit, produkteve të qumështit), produkteve jo ushqimore (detergjenteve për mbajtjen e higjienës), për fat të keq që të gjitha janë në ambalazhe plastike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button