fbpx

Tetovë, nga nesër parkingu përsëri me pagesë

Komuna e Tetovës njofton se nga nesër (1 dhjetor) parkingu do të jetë përsëri me pagesë pasi i njëjti ishte disa javë pa pagesë për qytetarët e Tetovës. Mënyra e funksionimit të pagesave do të jetë si më heret pasi nga komuna nuk ka ndonjë njoftim për ndryshime të tilla. Komuna premtoi parkingje të reja, njofton Portalb.mk.

Nga komuna thonë se prolongimi disa javor i pagesës erdhi për arsye të detektimit të problemeve që ka kjo ndërmarrje, dhe sipas inspektimeve të tyre kanë detektuar shumë parregullësi të cilët sipas tyre tanimë janë të zgjidhura.

“Të ardhurat e gjeneruara nga kjo ndërmarrje do të shërbejnë për pagat e të punësuarve, për mirëmbajtjen e parkingjeve dhe për investime të reja që qytetarët të kenë kushte sa më të mira dhe të ndihmojmë në maksimum komunikacionin në qytet.” thanë nga Komuna e Tetovës.

Nga komuna njoftuan se së shpejti do krijohen edhe parkingje dhe hapsira të reja.

Ligjërisht, parkimi i veturave përgjatë bulevardeve nuk është i lejuar. Për këtë Komuna duhet të sigurojë zgjidhje alternative që janë parkingjet. Ndërkaq në Tetovë veturat parkohen anash rrugëve përgjatë bulevardit “Iliria”, “Ilindenit”, “Bllagoja Toskës”, ndërkaq ky fenomen rrallë shihet gjatë bulevardit “Industrial”.

Gjatë periudhës parazgjedhore, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami premtoi se në Tetovë  kanë paraparë diku shtatë parkingje me konstruksion çeliku të cilat mund të ndërtohen për një periudhë shumë të shkurtë, jo më shumë se gjashtë muaj me çka do të dyfishohen dhe në disa raste do të trefishohet kapaciteti i parkingjeve aktuale.

“Sigurisht kemi paraparë edhe ndërtimin e tre garazheve në kate me partneritet privat-publik, me këtë ne vlerësojmë se gjithashtu një pjesë e konsiderueshme e problemit do të zgjidhet dhe ajo që është me rëndësi, që buxhetit të Komunës së Tetovës zgjidhja njëherë e përgjithmonë e çështjes së parkimit të veturave nuk do t’i kushtojë më shumë se 1 milion euro, në ndërtimin e shtatë parkingjeve të cilat garantoj qytetarët e Tetovës se do të ndërtohen jo më gjatë se gjashtë muaj, dhe njëjherë e përgjithmonë veturat do të largohen nga rrugët, do të hapen rrugët dhe qytetarët e Tetovës do të mund të lëvizin dhe të frymojnë lirshëm.” tha Bilall Kasami në Debatpërnime.

Ndryshe, Te NP “Parkingu i Qytetit” është ndërruar drejtori, në krye të kësaj ndërmarrje si ushtrues detyre momentalisht është emëruar Igor Dodevski, ndërkaq deri më tani me këtë ndërmarrje ka udhëhequr Sadat Alili. Kjo ndërmarrje edhe pse gjeneron të hyra nga pagesat e qytetarëve, vazhdimisht ka punuar në humbje. “Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, dallimi mes të hyrave dhe të dalave te NP “Parkingu i Qytetit” është 1.363.000 denarë apo mbi 22.000 euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button