Prokuroria Publike Evropiane – mbrojtja e parave evropiane, por edhe më shumë se kaq

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Se ndërtimi i institucioneve në BE është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, më së miri e ilustron shembulli  i Prokurorisë Publike Evropiane. Institucion ky që u krijua gjatë 25 viteve. Pas propozimeve dhe diskutimeve fillestare, baza ligjore u krijua nga Marrëveshja e Lisbonës në vitin 2007. Për Propozim rregulloren për themelimin, u dorëzua në vitin 2013, u debatua katër vjet dhe u miratua në vitin 2017. Institucioni më në fund filloi të funksionojë më 1 qershor të këtij viti.

Një nga arsyet për krijim kaq të gjatë është fakti se shtetet anëtare e kanë të vështirë të dorëzojnë juridiksionin në fushën e së drejtës penale, kështu që çështjet themelore gjatë krijimit të Prokurorisë Publike Evropiane (PPE) ishin aplikimi i parimet e subsidiaritetit dhe proporcionalitetit.

Kompetencë e PPE-së janë vepra penale që përfshijnë fondet e Bashkimit të përcaktuara nga ligji i BE-së (Direktiva e BE-së për Interesat Financiare), përkatësisht: mashtrimi në lidhje me shpenzimet dhe të ardhurat e BE-së, duke përfshirë mashtrimin ndërkufitar të TVSH-së me dëm prej të paktën 10 milionë euro; korrupsioni pasiv dhe aktiv; përvetësimi, pastrimi i parave dhe krimi i organizuar, si dhe vepra të tjera të ndërlidhura, me ç’rast vepra të dënueshme janë edhe nxitja, ndihma ose tentativa.

Kjo është kompetencë e rëndësishme, ndërsa PPE-së i jepet e drejta për të hetuar dhe për të ngritur padi në të gjitha shtetet anëtare, gjë që e dallon atë nga institucionet e ngjashme (si OLAF), që vetëm u japin rekomandime autoriteteve kombëtare. Gjykimet i realizojnë gjykatat kombëtare.

Danimarka, Irlanda, Hungaria, Polonia dhe Suedia nuk marrin pjesë në PPE. Danimarka ende e ka klauzolën e përjashtimit (op-out) në fushën e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë qysh me Marrëveshjen e Amsterdamit të vitit 1997. Irlanda ka klauzolë të ngjashme, por me mundësi për përfshirje. Hungaria, Polonia dhe Suedia kanë vendosur të mos marrin pjesë në PPE, por ka njoftime se Suedia do të bashkëngjitet. Mospjesëmarrja e një shteti anëtar nuk do të thotë që Prokuroria nuk mund të kryejë hetime në të, por hetimet duhet të konfirmohen nga autoritetet kompetente vendase.

Debati për zbatimin e parimeve të subsidiaritetit dhe proporcionalitetit ka ndikuar në vetë strukturën e organit. Kompromisi i arritur përfundimisht përfshin edhe krijimin e të ashtuquajturit “Kolegji i Prokurorëve Publikë”, me nga një prokuror publik nga secili vend pjesëmarrës i ngarkuar për çështjet strategjike dhe sigurim të koherencës. Rol vendimtar, përveç Prokurorit të Përgjithshëm Evropian, luajnë edhe prokurorët publikë të deleguar nga secili vend pjesëmarrës, të cilët e realizojnë hetimin dhe ndjekjen penale në vendet e tyre përkatëse.

Vetë emërimi i rumunes Laura Codruca Kjoveshi, për kryeprokurore të Evropës, ishte proces i gjatë dhe i mundimshëm. Pa mbështetjen e qeverisë së saj, rumune, ish-kryeprokurorja publike e Drejtorisë Rumune Kundër Korrupsionit, e shkarkuar në mënyrë kontroverse në vitin 2018 për dyshim të shpërdorimit të detyrës, e fitoi rehabilitimin në nivelin më të lartë evropian. Shumica në BE ishte të bindur se arsyeja e shkarkimit të saj ishte numri rekord i hetimeve dhe akuzave për korrupsion ndaj ministrave, politikanëve dhe zyrtarëve të tjerë. Ajo tani është e vetmja evropianolindore që mban një pozicion të lartë në institucionet e BE-së.

Nuk është i lehtë as emërimi i prokurorëve publikë të deleguar nga secili vend. Probleme krijoi kryesuesi me Unionin – Sllovenia, e cila e vonoi emërimin e tyre, për shkak se prokurorët e propozuar në procedurë nacionale u bllokuan nga kryeministri dhe ministrja e Drejtësisë dha dorëheqje për këtë rast. Vetë prokurorja Kjoveshi e përshkroi këtë si një “sabotim” të institucionit të ri, duke theksuar se me atë veprim “minohet seriozisht besimi në funksionimin efektiv të sistemeve të menaxhimit dhe kontrollit të fondeve të BE-së në Slloveni”. Më në fund, këtë muaj, Sllovenia i propozoi kandidatët tashmë të propozuar të prokurorëve publikë si “të përkohshëm”, ndërsa Kolegji i Prokurorëve Publikë vetëm pak ditë më parë i emëroi për një mandat pesëvjeçar, si gjithë të tjerët.

Kur u bë zyrtarisht funksional – më 1 qershor 2021, PPE tashmë i kishte plot punë në duar, sepse mori përsipër lëndë nga vendet pjesëmarrëse që kalonin në juridiksionin e saj. Ky institucion tashmë  mund të mburret me aktakuza të ngritura, konfiskime, madje edhe aktgjykimin e parë. Shembull nga fqinjësia është rasti kundër ish-ministrit kroat të fondeve të BE-së dhe tre kolegëve të tjerë (tashmë në paraburgim), si dhe dy kompanive, për përvetësim të 1.2 milionë euro nga fondet evropiane. Një nga rastet më të dukshme të fundit është një grup kriminal i organizuar i evazionit fiskal me vlerë 23 milionë euro në Republikën Çeke, Rumani dhe Sllovaki. Në Itali, nga ana tjetër, janë konfiskuar pasuri në vlerën 900.000 euro në rastin e keqpërdorimit të parave evropiane – në këtë rast u blenë varka luksoze që supozohej të ishin të destinuara për zhvillimin e turizmit në Kalabri, dhe përfunduan në ujërat e Sicilisë, për përfitime më të mëdha. Vendimi i parë është i një jave më parë – në një lëndë të ngritur nga PPE, një gjykatë sllovake e dënoi me tre vjet burg me kusht dhe pesë vjet ndalim për të kryer funksion një ish-kryetar të komunës, për falsifikim të dokumenteve  në përpjekje për të marrë një projekt evropian.

BE-së iu desh shumë kohë për të krijuar një institucion të tillë me juridiksion mbikombëtar në këtë fushë jashtëzakonisht të ndjeshme të së drejtës penale. Suksesi i këtij institucioni do të matet jo vetëm nga numri i lëndëve dhe mjeteve që do të “shpëtojë”, por edhe nga ndikimi i tij në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në të gjitha shtetet anëtare, përfshirë edhe vendet kandidate.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button