Platformat digjitale mundësojnë zgjidhjen e problemeve të qytetarëve dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje

Nëpërmjet platformave dhe mjeteve digjitale, qytetarët shumë më lehtë mund të, informohen, marrin pjesë dhe angazhohen në zgjidhjen e problemeve të caktuara dhe në këtë mënyrë rritet edhe besueshmëria e qytetarëve tek institucionet.
Kjo mes tjerash u tha në sesionin “e-Pjesëmarrje dhe e-Angazhim: Perspektiva rajonale – aksione lokale”, në kuadër të konferencës së 17-të ndërkombëtare “e-Shoqëri” të organizuar nga “Metamorfozis”, në të cilën folën përfaqësues të shoqërisë civile nga RMV, rajoni dhe Evropa se si kanë zhvilluar platforma dhe mjete digjitale të cilat qytetarët mund t’i përdorin për informim apo komunikim të drejtpërdrejtë me të gjitha nivelet e pushtetit për zgjidhjen e problemeve të tyre.

“Inovacioni digjital mund të transformojë rrënjësisht ofrimin e shërbimeve publike, por edhe vendimmarrjen demokratike dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në ndryshimet sociale. Si dëshmitarë të pandemisë globale Covid-19, ne mund të shohim se si administratat publike në rajon dhe në BE, eksperimentojnë gjithnjë e më shumë në krijimin e platformave të internetit ose mjeteve digjitale për t’u mundësuar qytetarëve të kenë qasje në informata publike përkatëse që u nevojiten, por edhe për të marrë pjesë në proceset shtetërore më lehtë dhe nëpërmjet internetit”, tha Milla Josifovska Danillovska, menaxhere programi në Fondacionin Metamorfozis, e cila ishte dhe moderatorë e sesionit.

Foto nga sesioni: “e-Pjesëmarrje dhe e-Angazhim: Perspektiva rajonale – aksione lokale”
Milla Josifovska Danillovska dhe Marija Vasilevska, foto nga sesioni: “e-Pjesëmarrje dhe e-Angazhim: Perspektiva rajonale – aksione lokale”

Është dëshmuar që qytetarët përfitojnë besim, kur zyrtarët e komunës së tyre u japin përgjigje, të cilat nuk do t’i kishin nëse nuk do ta paraqisnin problemin, kështu tha në fjalimin e saj, menaxherja për projekte në Qendrën për Invoacione Sociale BLINK 42-21 në Maqedoninë e Veriut, Marija Vasilevska foli për platformën “Mzaednica.mk” (Mkomuniteti), të cilën e shfrytëzojnë Komuna e Karposhit, Valladanovës dhe Koçanit. Qytetarët e këtyre komunave, nëpërmjet kësaj platforme kanë mundësi që të komunikojnë për problemet e tyre direkt me të punësuarit konkret të komunave.

“Platforma mund të shfrytëzohet në ueb dhe telefona celularë Android dhe iOS. Platforma është e lidhur direkt me sektorët e komunës, kështu që të gjithë të punësuarit e komunës kanë kontakt direkt. Çdo qytetar mund ta hap profilin e tij, mund ta paraqesë problemin duke e zgjedhur sektorin konkret për problemin e caktuar. Nga ana tjetër, sektori merr njoftim se pastaj përgjigjen. Procesi i dhënies së përgjigjes nuk është i njëhershëm, por ka raste kur disa herë ata komunikojnë dhe japin zgjidhje si për shembull me fotografi si ka qenë para dhe si është tani”, theksoi Vasilevska.

Dëbora Perçi, koordinatore terreni në “Democracy Plus”, Kosovë foli për platformën “Ndreqe.com” e cila u mundëson qytetarëve që të Kosovës t’i raportojnë ankesat e tyre për probleme të natyrës së shërbimeve publike, mbeturinave, ndriçimit, mungesës së shenjave të komunikacionit etj. Qytetarët kanë paraqitur deri më tani 3.733 ankesa, ndërkaq deri më tani 1.600 janë rregulluar.

“Kjo funksionon, por realisht ka raste kur edhe nuk zgjidhen problemet. Një prej aspekteve që patjetër duhej t’i kishim parasysh ishte që qytetarët e vlerësojnë mundësinë e paraqitjes së problemit në mënyrë anonime pasi që jemi shoqëri e vogël dhe çdokush me njëri tjetrin mund të njihemi. Një prej problemeve kryesore është që qytetarëve u mungon besimi në këto platforma, pasi që mendojnë se nuk janë aq efikase, por ne u munduam t’ua dëshmojmë se u japim legjitimitet paraqitjeve të tyre. Çdo paraqitje që shkon në platformë është e paraqitur dhe merr përgjigje pas një kohe të caktuar”, theksoi Perçi.

Menaxherja për grante në “Today is a new day” nga Sllovenia, Maja Cimerman, foli për disa platforma dhe fushata digjitale me qëllim të rritjes së pjesëmarrjes qytetare. “Parlametar”, është një platformë digjitale, e cila u mundëson qytetarëve që në mënyrë sa më të qartë të informohen për punën e Parlamentit të Sllovenisë, pasi që ueb-faqja shtetërore, siç theksoi ajo nuk jep informata të mjaftueshme dhe nuk nxit pjesëmarrje.

“Krijon frustrim, në vend që ta rrit pjesëmarrjen politike. Për këtë, ne i mbledhim të gjitha të dhënat nga uebi dhe i paraqesim në mënyrë më të mirë. U lejojmë shfrytëzuesve që të krahasojnë të dhëna, rezultate nga votimi, fjalime dhe pjesëmarrje të deputetëve. Kjo nuk është interesante vetëm për qytetarët, por edhe për hulumtuesit dhe gazetarët. Shfrytëzuesi mund të shkruaj një emër dhe do të marrë kartelë nga Parlamentar nga ai deputet”, deklaroi Cimerman.

Mark Krixh, drejtor ekzekutiv “MySociety” nga Mbretëria e Bashkuar foli për krijimin e disa platformave që ata i kanë krijuar dhe që përdoren në mbi 40 shtete (kryesisht nga Evropa) nga mbi 11 milionë përdorues. Zgjidhjet e tyre digjitale janë të fokusuara në nxitjen dhe përforcimin e demokracisë nëpërmjet shkathtësive digjitale.

“Roli ynë është që ta nxisim dhe përforcojmë demokracinë duke shfrytëzuar shkathtësi digjitale, ta zgjerojmë ndikimin tonë dhe t’u ndihmojmë qytetarëve që të kenë të dhëna dhe t’i shfrytëzojnë ata. Dëshirojmë t’u japim njerëzve që të kyçen dhe t’u tregojmë se si ta shfrytëzojnë fuqinë e tyre në shoqëri. Nëse ka institucione të hapura, pjesëmarrja e qytetarëve do të jetë më e madhe Nëse një institucion ose një pushtet është më i hapur, më shpesh do t’i dëgjojë rekomandimet e qytetarëve”, tha Krixh.

Ndryshe, edicioni i sivjetshëm i konferencës e-Shoqëri.mk do të zgjasë 4 ditë dhe përbëhet nga 7 sesione, 2 fjalime frymëzuese, 2 trajnime dhe 1 punëtori, dhe kryesisht do të diskutohet për gjendjen e demokracisë sot, si dhe për atë se si teknologjia e formëson përkufizimin e qeverisjes së mirë dhe angazhimin qytetar në kushtet e sotme. Gjithashtu do të diskutohen edhe sfidat e epokës digjitale me fokus të veçantë në dezinformimin dhe sigurinë në internet. Aktivistë, ekspertë, gazetarë, nëpunës shtetërorë dhe mbështetës nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë do t’i ndajnë pikëpamjet dhe opinionet e tyre mbi temën “Demokracia në epokën digjitale: sfidat dhe mundësitë”.

Ngjarja mbahet në format hibrid, me ç’rast dita e parë dhe e fundit e konferencës (30 nëntor dhe 3 dhjetor) do të mbahen në hotelin Panoramika, dhe disa nga pjesëmarrësit do të kenë mundësi të marrin pjesë në ngjarje drejtpërdrejt, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë do të mund t’i ndjekin seancat online përmes platformës ZOOM dhe transmetimit të drejtpërdrejtë në faqen e Fondacionit Metamorfozis në Facebook.

Agjendën e konferencës e-Shoqëri.mk mund ta shihni këtu: Agjenda-е-Shoqëri.mk-2021

Sesionet e ditës së parë të konferencës mund t’i ndiqni më poshtë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button