Kasami: Borxhin prej 24 milionë eurove të Komunës së Tetovës mund ta shihni në sheshin Iliria (VIDEO)

Borxhi i Komunës së Tetovës është mbi 24 milionë euro në total, për këtë foli sot kryetari i kësaj komune, Bilall Kasami. Përgjegjës për këtë borxh, sipas tij, është ish-kryetarja e komunës dhe drejtorët e ndërmarrjeve. Kasami paralajmëroi se borxhi i komunës do të qëndrojë në sheshin Iliria përmes një monitori dhe i njëjti do jetë në formë të detajuar në ueb-faqe, shkruan Portalb.mk.

Kryetari aktual i Komunës së Tetovës, Kasami u shpreh se nuk e ka pritur këtë borxh, pritjet e tij ishin se borxhi do të jetë diku rreth 15 milionë. I pyetur nga Portalb.mk se a nënkupton se ky borxh do të jetë një arsye që ai  të mos mund ti përmbush të gjitha premtimet e dhëna, Kasami tha se “përkundrazi, kjo do të jetë një arsye që Komuna e Tetovës edhe ta zvogëlojë borxhin edhe të realizojë projekte shumë më shumë se që janë krijuar në të kaluarën.”

Sot borxhi i Komunës së Tetovës është 24,01 milionë euro së bashku me ndërmarrjet publike dhe shkollat. Vetëm Komuna ka mbi 14 milion euro, NPK Tetova ka mbi 9.6 millionë euro, Parkingu i qytetit mbi 187 mijë euro dhe shkollat mbi 77 mijë euro.

Në infografikun e poshtëm mund të shihet borxhi i Komunës së Tetovës, ndërmarrjeve publike dhe shkollave.

Infografik nga Portalb.mk
Infografik nga Portalb.mk

I pyetur për atë se në çfarë  periudhe është krijuar ky borxh Kasami tha se për momentin e dinë vetëm si strukturë të borxhit, ku nuk kanë informata të detajuara për periudha.

“Atë që e dimë si informatë publike që Qeveria një pjesë të borxhit si gjithë komunave tjera një pjesë të borxhit ja ka shlyer dhe në ato momente borxhi i deklaruar nga Komuna e Tetovës ka qenë 15 milionë euro nga të cilat gjysma ka qenë e paguar nga Qeveria. Dhe i bie që vetëm në mandatin e dytë për katër vite Tetova ka krijuar borxh, pra administrata paraprake diku rreth 14 milion euro nëse e marrim në total nga ky borxh 24 milionë euro.”

Për atë se kujt dhe sa i ka borxh Komuna e Tetovës, ndërmarrjet dhe shkollat të dhënat mund të shihen në tabelën më poshtë të përgatitur nga Portalb.mk.

Borxhi i Komunës së Tetovës
Borxhi i Komunës së Tetovës

Kasami tha se kanë indentifikuar lëndë të dyshimta dhe se ka indicie të qëndrueshme për të cilat në vazhdimësi do të informojnë organet e prokurorisë.

“Kemi identifikuar një lëndë të dyshimtë që ka të bëjë me shtegun e biçikletave, realizimi i punëve është bërë gati një vit më herët dhe procedura e tenderimit është bërë vetëm dy tre ditë të rrethit të zgjedhjeve lokale dhe aty sipas informatave që kam nga sektori juridik kemi dëshmi të mjaftueshme të nisim procedurën e padisë penale kundër atyre që kanë qenë të involvuar. Kemi edhe një situatë tjetër që gjithashtu jemi në procedurë të shqyrtimit të mundësisë për padi penale, për të cilën kur do ti kemi informatat e detajuara do të informohet opinioni. Ka indicie të qëndrueshme dhe ne për këto në vazhdimësi do të informojmë organet e prokurorisë. .” tha Bilall Kasami.

I pyetur nga Portalb.mk për atë se a ka plan konkret si do zgjidhet problemi me borxhin dhe si do ndikojë ky borxh në funksionimin e komunës, sektorëve dhe ndërmarrjeve, Kasami u përgjigj kështu:

“Jemi në përpilim të atij plani, jam në takim me të gjithë ndërmarrjet e sektorit privat të cilëve ju kemi pjesën më të madhe të borxhit, në momentin kur do të kem një marrëveshje për riprogramim të borxhit, sepse për momentin Komuna e Tetovës është e bllokuar, ka mbi 430 vendime të përmbaruesve, për momentin ne nuk disponojmë me llogarinë e komunës, pra gjitha të hyrat që vijnë në llogarinë e komunës i marrin përmbaruesit dhe për momentin kemi mundësi vetëm të bëjmë pagesat e punëtorëve me vendim. Do të bëjmë një riprogramim që ta zhbllokojmë llogarinë e komunës që nga janari të nisim planin e implementimit të të gjitha kërkesave të cilat ne i kemi premtuar dhe që u qëndrojmë edhe përkundër kësaj gjendje të rrënduar të komunës.

Ndër të tjera Kasami tha se qëllim është edhe riprogramimi i borxhit, ku ju ka premtuar të gjithë operatorëve ekonomik që për një periudhë të caktuar me një marrëveshje të dyanshme të paguhet ai borxh.

“Por njëherësh të ketë mirëkuptim nga ato që ne duhet të realizojmë për këto katër vite edhe projekte dhe në atë drejtim do ketë edhe pagim të borxhit që nuk e kam krijuar unë.” shtoi Kasami.

Një prej kritikave më të mëdha të ish-kryetares së Komunës së Tetovës Teuta Arifi kundrejt paraardhësit të saj, ish kryetarit të kësaj komune, Sadi Bexheti, ka qenë pikërisht futja e komunës në borxhe të mëdha.

Andaj, kjo e fundit në “Debat për nime” për Portalb.mk dhe Kallxo.com premtoi se gjatë mandatit të saj do të ul ndjeshëm borxhin komunal edhe atë për çdo vit, nga 1 milionë euro më pak.

“Plani ynë është që çdo vit të ulim borxhin komunal për 1 milionë euro” tha Teuta Arifi, në vitin 2017.

Kjo nuk ndodhi, përkundrazi, borxhi i Komunës së Tetovës u rrit. Rikujtojmë që në vitin 2018, Qeveria e Maqedonisë në vitin 2018, ia shleu Komunës së Tetovës borxhin për 50%, por kjo nuk dha asnjë efekt pozitiv në zvogëlimin e borxhit, ai u rrit ende më shumë. Borxhi është rritur nga 8 milionë euro në vitin 2013, në 24.01 milion euro sot që flasim.

LEXO: Borxhi i komunës së Tetovës është mbi 24 milionë euro (Infografik)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button