Simeon Ananiev: Hetimi dhe gjykimi për aksidentin në Bullgari mund të zgjasë deri në 5 vjet

Meta.mk zhvilloi një intervistë me Simeon Ananiev, kryetar i Shoqatës së ekspertëve të Bullgarisë dhe profesor në Universitetin e Transportit “Todor Kableshkov” nga Sofja pas aksidentit me autobusin e “Besa Trans BTB” që ndodhi javën e kaluar në autostradën “Struma” në afërsi të qytetit bullgar Pernik.

  1. Aksidenti i autobusit i “Besa Trans BTB” në autostradën “Struma” ka ngjallur spekulime për shkakun e aksidentit, megjithëse autoritetet bullgare kanë thënë se i gjithë hetimi do të zgjasë gjashtë muaj. Sipas jush, cili nga shkaqet e mundshme të aksidentit do të vërtetohet ose përjashtohet fillimisht në procedurën hetimore dhe për cilat shkaqe të mundshme të aksidentit do të duhet më shumë kohë autoriteteve për të konfirmuar ose hedhur poshtë këto variante?

Ananiev: Për mendimin tim, shkaku kryesor i aksidentit është gabimi i shoferit, i cili nga lodhja apo ka rënë në gjumë dhe ka mund të shpërqendrohet. Koha e aksidentit është ora 2 e mëngjesit. Autobusët kanë pajisje për kufizim të shpejtësisë deri në 100 kilometra në orë. Ekspertiza do të përcaktojë nëse shoferi e ka hequr atë, si dhe sa ka qenë shpejtësia, nëse ka qenë mbi shpejtësia e lejuar prej 100 kilometra në orë…

Një arsye tjetër e rëndësishme mund të jetë problem dhe mosfunksionim teknik i automjetit. Sipas të dhënave fillestare, autobusi është prodhuar në vitin 2007. Autobusi përkatës në vitin 2020 ka pas mbi 310 kalime nëpër Bullgari, gjegjësisht çdo 3 ditë. Shfrytëzimi i tillë rezulton në harxhim të elementeve bazë dhe nevojë për mirëmbajtje shumë të mirë. Ekspertiza do të përcaktojë vjetërsinë e saktë dhe gjendjen reale të elementeve dhe pjesëve të autobusit, serviset e kryera etj. Përgjegjësia bie kryesisht mbi shoferin dhe kompaninë që e ka poseduar autobusin.

  1. Pas një kërkimi të vogël në internet konstatuam se çmimi i biletës së autobusit për vajtje-ardhje nga Stambolli në Shkup ka qenë 25 euro, që është më e lirë se bileta e autobusit vajtje-ardhje nga Sofja në Shkup. Si është e mundur që kompanitë e transportit rrugor të fitojnë nga çmime kaq të ulëta?

Ananiev: Nuk ka asnjë biznes që mund të funksionojë me humbje dhe të vazhdojë të operojë. Kalimet nëpër Bullgari kanë qenë çdo 3-5 ditë. Analiza ekonomike e të ardhurave nga një autobus i plotë me udhëtarë dhe shpenzimet fikse për mirëmbajtjen e autobusit, certifikatat dhe dokumentet e ndryshme, karburantet, rrogat për personelin nuk mjaftojnë për të nxjerrë fitim. Në Bullgari komentohet se të ardhurat e kompanisë transportuese mund të jenë kryesisht nga kontrabanda e mallrave dhe transportimi i emigrantëve.

  1. Aksidenti më i madh i autobusëve në Maqedoni ndodhi në shkurt të vitit 2019, kur një autobus i “Durmo Tours” u përmbys në afërsi të fshatit Llaskarcë, kur jetën e humbën 16 persona. Gjykimi i fajtorit për atë incident zgjat dy vjet e gjysmë dhe publiku e ka ndjenjën se drejtësia është e ngathtë dhe se fajtorët e mundshëm mund t’i shmangen drejtësisë. Tani në Bullgari do të kemi hetim të ri, pastaj mundësia për të ngritur akuza para gjykatës e më pas gjykimi. Cili është mendimi juaj si ekspert, sa gjatë ose sa kohë zgjasin zakonisht rastet në aksidente të tilla trafiku, duke përfshirë ekspertizën e nevojshme?

Ananiev: E gjithë procedura: procedura parahetimore/hetimi/me ekspertizë; gjykata penale e shkallës së parë me ekspertizë; gjykata penale e shkallës së dytë; Gjykata Supreme si shkallë e tretë, do të jetë minimum 5 vjet, me kusht që çështja të mos kthehet për hetime të mëtejshme. Për shembull, një aksident i trenit në Hitrino, Bullgari, në të cilin shtatë persona mbetën të vrarë e gati 30 të tjerë u plagosën pasi shpërthimit të një cisternë treni, po e pret vendimin e shkallës së tretë.

  1. Sa i rreptë është kontrolli në Bullgari dhe Maqedoni dhe a mendoni se kontrolli gjatë kryerjes së transportit ndërkombëtar të udhëtarëve me autobusë dhe furgonë është i rregullt?

Ananiev: Nuk e di sa jemi të afërt si popuj, por si praktika korruptive dhe mungesë kontrolli dhe përgjegjësie jemi në vendet e para në Evropë. Nuk mund të them se kush është përpara, por gara vazhdon. Në këtë drejtim, ajo që ka ndodhur tregon se nuk ka kontroll të rregullt dhe efikas në kryerjen e transportit të udhëtarëve në transportin ndërkombëtar me autobusë dhe furgonë. Nuk mund të shpjegoj se çfarë bëjnë autoritetet shtetërore – policia kufitare, doganat, kontrolli i transportit rrugor – shumë struktura, paga të mira, ndërsa rezultatet po shihen.

  1. A mendoni se duhet të ketë ndryshime ligjore në Bullgari dhe Maqedoni për të përmirësuar kontrollin në pikat kufitare, por edhe për të parandaluar aksidentet me autobusë në të ardhmen? Çfarë ndryshimesh specifike ligjore mendoni se duhet të bëhen në të ardhmen?

Ananiev: Në Bullgari dhe Maqedoni nevojiten ndryshime ligjore për të përmirësuar kontrollin kufitar dhe për të krijuar parakushte për parandalimin e aksidenteve me autobusë. Baza normative është si një organizëm i gjallë dhe duhet të ndryshojë vazhdimisht derisa ndryshon dhe zhvillohet jeta. Megjithatë, është më e rëndësishme si shtete të gjejmë një mënyrë për t’iu përmbajtur ligjeve dhe rregulloreve, e kjo varet prej nesh, të mos lejojmë ata që i kemi zgjedhur të na udhëheqin, të krijojnë skema korruptive për pasurim të shpejtë, por të punojnë në përputhje me ligjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button