Rusia në Ballkan: Me pak para deri te një ndikim i madh

Prania ruse në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) është asimetrike në krahasim me ndikimin e saj të madh të saj në këtë vend. E njëjta shpërputhje shfaqet edhe në vendet tjera të Ballkanit nëse marrim dhe analizojmë investimet e drejtpërdrejta nga Rusia. Kjo sidomos është e pranishme në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Investimet e Rusisë janë të fokusuara vetëm në sektorë të zgjedhur – si banka, energji, metalurgji dhe pasuri të paluajtshme. Krahasuar me shtetet tjera, Rusia askund nuk figuron në tre vendet e para në listën e investitorëve. Në asnjë nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është partner i rëndësishëm ekonomik. E njëjta situatë është edhe me kreditë apo ndihmat e tjera financiare që Moska i jep në rajon.

RUSIA e 13-ta NË RMV, PAS SHQIPËRISË ME INVESTIME

Në bazë të të dhënave zyrtare të siguruara nga Banka Popullore e Maqedonisë (BPM) dhe analizuara për TheGeopost, në periudhën 2010-2020 Rusia ka një mesatare prej rreth 26 milionë euro investime. Me këtë shumë ajo është në vendin e 13-të në listën e investitorëve më të mëdhenj në RMV. Kulmin e ka shënuar në vitin 2016, kur investimet kishin arritur në afër 40 milionë euro.

Rusia është larg pas Mbretërisë së Bashkuar (UK), e cila në RMV ka realizuar investime në vlerë prej 759 milionë eurosh, pas Greqisë që ka 549 milionë euro investime, Holandës me 508, Gjermanisë me 386, Turqisë me 376, Zvicrës me 224, Bullgarisë me 214, Hungarisë me 192, SHBA-së me 84 dhe Shqipërisë me 37 miliono euro investime të drejtpërdrejta. Kina është më lartë se Rusia në listë – e nënta me gjithsej 130 milionë euro investime, njëjtë si Serbia, e cila është e dhjeta me 109 milionë euro investime në RMV.

Nëse Rusia kishte arritur kulmin e investimeve në vitin 2016, Kina në këtë vit fillon “ofensivën investuese” me rritjen për trefish të kapitalit – nga afërisht 10 në 36 milionë euro. Një vit më pas, pra në 2017-ën, investimet kineze arrijnë në 110 milionë, ndërkohë që kulmin e kanë arritur në vitin 2019 kur kanë numëruar 158 milionë euro.

Nëse i krahasojmë investimet e Rusisë me ato të Bashkimit Evropian (BE) si union, atëherë dallimi është tepër i madh. Për dallim nga Rusia, në të njëjtën periudhë shtetet anëtare të BE-së së bashku kanë investuar 1,9 miliardë euro.

Që nga pavarësimi i RMV në vitin 1991 investimet e huaja të drejtpërdrejta kanë arritur në 5 miliardë euro, ndërsa ato ruse përbëjnë vetëm 0.5 për qind të tyre.

Në krahasim me vendet tjera, sipas shifrave ekonomike, prania ruse në RMV është më e dobëta në rajon. Duke analizuar të dhënat e investimeve të drejtpërdrejta për kokë banori për vitin 2017, Maqedonia e Veriut ka sasinë më të vogël të parave të pranuara. Në këto shifra, Mali i Zi ka pothuajse 2.000 euro investime ruse për kokë banori, Bullgaria 300 euro, Serbia 164 euro, Bosna dhe Hercegovina 90 euro, Kroacia 78 euro kurse RMV ka vetëm 26 euro.

Rusia është në vendin e 16-të si partner tregtar i RMV, me eksporte totale prej 5.4 milionë euro në 2018, 8.2 milionë euro në 2019, ndërsa importi nga Rusia ishte 40.7 milionë euro në 2018 dhe 42.8 milionë euro në 2019. Mbi Rusinë në këtë listë nga vendi i parë është Gjermania, Britania e Madhe, Greqia, Serbia, Italia, Rumania, Kina, Turqia, Belgjika, Hungaria etj.

Rusia nuk paraqet as ndonjë treg të rëndësishëm për ekonominë e RMV – më pak se 1 për qind e të gjitha eksporteve shkon në Federatën Ruse.

RAPORTET E MOSKËS ME PARTITË POLITIKE NË SHKUP

Roli i Rusisë në zhvillimet politike të Maqedonisë së Veriut u rrit dukshëm pas vitit 2008, kur RMV nuk arriti të bëhet anëtare e NATO-s në Samitin e Bukureshtit, bashkë me Shqipërinë dhe Kroacinë. Devijimi i qeverisë së atëhershme të Nikolla Gruevskit nga integrimet euroatlantike dhe afrimi me Lindjen shkaktoi një krizë të thellë politike dhe të sigurisë në vend. Në vitin 2015 lideri i partisë LSDM (atëherë në opozitë) Zoran Zaev filloi të publikojë materiale të përgjuara, që dëshmonin për aktivitete korruptive të anëtarëve të qeverisë dhe figurave të larta të VMRO-DPMNE-së. Kjo shkaktoi protesta masive të iniciuara nga shoqëria civile, e që u përkrahën nga LSDM-ja. Me nënshkrimin e Marrëveshjes me kompaninë ruse të gazit Gasporom në vitin 2013, RMV ishte në hartën e projektit të gazsjellësit rus “Rrjedha e Jugut”, kështu që Kremlini ishte shumë i interesuar të mbante në pushtet VMRO-DPMNE-në e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski për të finalizuar këtë projekt.

Për këtë qëllim, që nga viti 2008 është vërejtur një ndikim i rëndësishëm i shërbimeve të inteligjencës ruse në Maqedoninë e Veriut. Veprimtaria e tyre ishte në kuadër të prishjes së proceseve integruese euroatlantike të vendit. Një prani e shtuar ruse në Maqedoninë e Veriut synonte arritjen e interesave të Federatës Ruse për të rikthyer rolin e saj në Ballkan që të sigurojë një ekuilibër të dominimit të NATO-s në këtë rajon. Ambasadori rus në BE, Vladimir Chizov, u deklaroi atë kohë një grupi gazetarësh në Bruksel se vendi i tij mund t’i ofrojë RMV, Ballkanit Perëndimor dhe çdo vendi tjetër, një alternativë ndaj integrimeve euroatlantike.

Megjithatë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2016 sollën në pushtet një garniturë të re qeveritare, e cila kishte si parësore pikërisht integrimet euroatlantike. Dështuan edhe tentimet për të pamundësuar rotacionin e pushtetit nëpërmjet një sulmi të orkestuar të turmës ndaj parlamentit më 27 prill të vitit 2017, ku pati tentim për vrasje ndaj disa deputetëve të shumicës së re. Kjo shumicë që përbëhej nga LSDM e Zoran Zaev, BDI e Ali Ahmetit dhe Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës prodhuan pikërisht qeverinë që tre vite më vonë do të anëtarësonte vendin në NATO. Këto zhvillimi e kanë tkurrur goxha hapësirën e ndikimit nga ana e Rusisë.

Kjo shkaktoi disa reagime të ashpra nga Kremlini. Në mars 2018, Rusia e paralajmëroi RMV se anëtarësimi i saj në NATO do të kishte pasoja negative për vendin, sigurinë rajonale dhe marrëdhëniet midis dy vendeve. Këtë zëvendësministri i ri rus, Aleksandër Grushko, ia kishte theksuar ambasadorit të RMV në Rusi, Goce Karajanov.

Për të pamundësuar integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, Rusia mbështeti aktorët politikë dhe parapolitikë në Shkup dhe Athinë për të minuar procesin e arritjes së marrëveshjes historike midis dy vendeve që do t’i jepte fund mosmarrëveshjes së gjatë të emrit.

Kjo prani e shtuar tregon se Ballkani bëhet gjithnjë e më tërheqës për Rusinë për shkak të pozicionit strategjik – daljes në Detin Mesdhe dhe trajektores së “Rrjedhës Jugore” të gazit.

NDIKIMI DISPROPORCIONAL NE RAPORT ME INVESTIMET?

NdikimI asimetrik i Rusisë në krahasim me investimet në RMV është rezultat i qasjes ndaj rajonit, që është e ndryshme nga ajo e BE-së apo SHBA-së. Ndërsa ndikimi euroatlantik arrihet duke përdorur një fuqi të butë, si investime direkte dhe favore ekonomike ose financiare për vendet e rajonit, Rusia eksploron ndjenjat dhe identitetin pan-sllav. Pra këtyre vendeve nuk ua blen mendjen, por zemrën. Prania ruse në rajon karakterizohet nga mbajtja e një profili të ulët, pa transparencë në asistimin apo financimin e të gjitha subjekteve që mundësojnë përhapjen e ideologjisë pan-sllave, ku Moska paraqitet si mbrojtëse kryesore e të gjitha vendeve orthodokse sllave.

Lufta hibride nënkupton përdorimin e të gjitha mjeteve dhe formave për të arritur qëllimin. Metoda e “Brigadave të Internetit” gjithashtu i sjell Rusisë një avantazh të madh kur bëhet fjalë për interferim në fushatat zgjedhore. Ato “brigada” janë të pranishme në secilin prej vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe operojnë përpara zgjedhjeve, nëse Rusia ka interesa të veçanta ose favorit në garën zgjedhore.

Në çdo vend të Ballkanit Perëndimor Rusia ka median e saj që përdoret për të përhapur propagandën e saj. Një media në kuadër të projektit të financuar nga shteti “Rusia Beyond the Headlines” (rbth.com) prodhon artikuj në serbisht, maqedonisht, kroatisht, bullgarisht dhe gjuhë të tjera, kurse ka paralajmërime se këto përmbajtje do të ofrohen edhe në shqip.

Por, Rusia nuk ka kapacitet financiar për të mbajtur nën ndikimin e saj RMV, si dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Në aspektin e perspektivës për rajonin, Rusia nuk ka një ofertë afatgjate, siç është BE-ja në kuptimin ekonomik dhe NATO-ja si ombrellë sigurie. Rajoni euro-aziatik nuk është në funksion siç dëshiron Moska, kështu që rruga euroatlantike mbetet pa alternativë.

Shkruan: Xhelal Neziri-bashkëpunëtor i The Geopost nga Shkupi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button