Vaksina kundër Kovid-19 nuk është placebo

Placebo – tretje fiziologjike me kripë dhe ujë, përdoret vetëm në testimet klinike, pra në fazat e hershme, kur vaksina është në proces testimi për të treguar efektivitetin e saj. Nuk ka asnjë dëshmi që njerëzit që kanë marrë vaksinën kanë marrë placebo. Nëse vaksinat ishin kripë e ujë dhe jo të vërteta, asnjë vend nuk do t’i hidhte ato, siç ndodhi me 20 mijë vaksinat e dhuruara nga Bullgaria, të cilat duhej të asgjësoheshin si mbetje mjekësore sepse u kishte kaluar afati i përdorimit, shkruan Vërtetëmatësi

Рo recenzojmë një postim në Facebook në të cilin pretendohet se një infermiere nga Sllovenia ka dhënë dorëheqjen pasi ka kuptuar se një pjesë e vaksinave kundër Kovid-19 që u janë dhënë qytetarëve, në fakt kanë qenë placebo! Pra një tretje fiziologjike me ujë dhe kripë, jo një vaksinë e vërtetë, kështu që jo secili që vaksinohet pranon një vaksinë të vërtetë.

Kohët e fundit kjo gënjeshtër është bërë gjithnjë e më e zakonshme, pasi vendet evropiane, përfshirë Maqedoninë e Veriut, po shtojnë masat e kujdesit, duke e bërë të detyrueshëm dëshmimin e Kovid statusit të qytetarëve ose me një certifikatë vaksinimi ose një test PCR negativ. Edhe pse placebo jepet ekskluzivisht në testimet klinike të vaksinës, të cilat kanë kohë që kanë përfunduar dhe kanë qenë kusht për marrjen e lejes që vaksinat të përdoren për vaksinimin masovik, narrativi i rremë vazhdon të gjejë vend në mediat sociale.

Një kryeinfermiere e guximshme nga Sllovenia, që ka punuar te vaksinimi, E ZBULOI PUBLIKISHT MASHTRIMIN ME NUMRAT SERIK TË VAKSINAVE!

E LA PUNËN – shkruan në postimin në Facebook.

Në postim është bashkëngjitur edhe një video në të cilën është përcjellë deklaratë e një kryeinfermiereje nga Sllovenia e cila dha dorëheqje nga puna sepse 30 përqind e vaksinave të dhëna janë placebo. Sipas saj, qytetarët që do të shkojnë të vaksinohen nuk janë të sigurt nëse do të marrin placebo, vaksinë nga “Johnson and Johnson”, apo “AstraZeneka”.

Ata mund t’jua japin ose t’jua tregojnë shishen e vaksinës, por kjo nuk do të thotë se e keni marrë atë që është shkruar në shishe. Nuk ndodh kudo, por kam informacion nga kolegët në Slloveni se ku ndodh. Kështu që tani po thonë që edhe sikur të keni marrë një lloj vaksine, mund ta përzieni me një vaksinë të një prodhuesi tjetër. Por ju kurrë nuk do ta dini nëse dhe cilën vaksinë e keni marrë në të vërtetë. Ata që kanë marrë një certifikatë vaksine në të vërtetë marrin në të numrat e shënuar me 1, 2, 3. Ata që kanë marrë një placebo e kanë të shkruar numrin 1. Ata që e japin vaksinën e dinë se kujt ia japin placebo-n, por ju nuk e dini, thotë infermierja e pa emërtuar.

Në fund të videos vihet në përfndimin se:

Tani e dimë se përse politikanët me aq shumë “trimëri” pranojnë placebo para kamerave!!!

Megjithatë, të gjitha vaksinat që u administrohen – qytetarëve, politikanëve dhe personelit mjekësor – janë origjinale dhe jo nuk janë placebo. Placebo si metodë përdoret vetëm në testimet klinike, pra në fazat e hershme, kur vaksina është në fazën e testimit për të treguar efektivitetin e saj. Krahasohen dy grupe kontrolli, ajo të cilës i është dhënë vaksina e  vërtetë dhe ajo të cilës i është dhënë placebo. Mirëpo, pas miratimit të vaksinës, siç është rasti për të gjitha vaksinat që administrohen në Maqedoninë e Veriut, jepen vetëm vaksina dhe nuk bëhet fjalë për kurrëfarë testimi klinik, por për proces të vaksinimit të vërtetë.

Në vend, vaksinat ruhen në kushte të veçanta pikërisht për të mos rrezikuar përbërësit e tyre, që janë efektiv dhe efikas kundër koronavirusit. Nuk ka asnjë dëshmi se në frigoriferët ku ruhen vaksinat në minus 70 gradë në të vërtetë ka një tretje me ujë dhe kripë. Kush e garanton këtë? Vetë prodhuesi! Çdo vaksinë ka një numër serik, dy doza, ndërsa disa vaksina kanë përbërës të veçantë që nuk mund të jenë kripë dhe ujë. E tillë është edhe vaksina “Sputnik V” e cila ka dy doza që ndryshojnë nga njëra-tjetra dhe administrohen sipas një radhitjeje të veçantë.

Sipas informacioneve zyrtare të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, në testimet klinike për vaksinën e Astra Zeneka janë përfshirë mbi 25 mijë individë, në atë për Pfizer  40 mijë, në atë për Sputnik V mbi 19 mijë njerëz.

Për të gjitha vaksinat ka udhëzime për përdorim ku janë shënuar përbërësit dhe efektet anësore që mund të manifestohen pas vaksinimit dhe që zakonisht janë të lehta. Nëse këto vaksina do të ishin placebo, nuk do të kishte efekte anësore apo përbërës në vaksinë. Vendi ka marrë shumë donacione të vaksinave nga fqinjët, për shembull nga Serbia dhe Bullgaria, dhe në periudhën e ardhshme priten donacione të reja. Të gjitha ato vaksina u transportuan në pajisje që mundësonin mbajtjen e një temperature të ulët që vaksinat të jenë të sigurta. Në të njëjtën mënyrë vaksinat ruhen edhe në vendin tonë, që nëse do të ishin placebo, nuk do të bëhej aspak.

Gjithashtu, çdo qytetar që do të vaksinohet merr një kartelë ku shënohet data e pranimit të dozës, numri i serisë së vaksinës, data e pranimit të dozës së dytë, prodhuesi. Në fund, jepet edhe një certifikatë vaksinimi me një kod QR, i cili është unik dhe korrespondon me vaksinën që është aplikuar. Të thuhet se disa njerëz janë të vaksinuar me placebo është një pretendim i rremë, veçanërisht pasi në situata të tilla nuk do të kishte dallim midis numrit të të infektuarve dhe të vdekurve, midis të vaksinuarve dhe të pavaksinuarve. Përkundrazi, në vendin tonë ai ndryshim është shumë i madh dhe vetëm 20 për qind e të shtruarve janë të vaksinuar. Fakt është që të vaksinuarit, për dallim nga të pavaksinuarit, përfundojnë më rrallë në spital.

Nëse vaksinat ishin kripë e ujë dhe jo të vërteta, asnjë vend nuk do t’i hidhte ato, siç ndodhi me 20 mijë vaksinat e dhuruara nga Bullgaria, të cilat duhej të asgjësoheshin si mbetje mjekësore sepse u kishte kaluar afati i përdorimit.

Ne vlerësojmë se nuk ka asnjë dëshmi që tregon se ata persona që kanë marrë vaksinë, në fakt kanë marrë placebo. Placebo iu dha vetëm pjesëmarrësve në testimet klinike për vaksinat para se ato të miratoheshin për përdorim komercial dhe kjo gjë iu bë e ditur që ata të mund të zgjedhin nëse duan të vaksinohen me një vaksinë të vërtetë.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button