BERZh: Do të vazhdojmë të bisedojmë me Arsovskën për futjen e transportit të shpejtë me autobus në Shkup

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nuk heq dorë nga projekti për futjen e transportit të shpejtë me autobus në Shkup, gjegjësisht realizimin e projektit Bas Rapid Transit (BRT) edhe pas njoftimeve të kryetares Danela Arsovska se nuk do ta realizojnë këtë projekt. Takimi i parë me ekspertë të bankës dhe kryetaren Arsovska u mbajt më 19 nëntor. Nga BERZH thonë se bisedimet do të vazhdojnë, pa dhënë detaje se çfarë u ka thënë Arsovska në takim për qëllimin e saj për ndërprerjen e projektit, shkruan Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.

“Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim pati takim njohës me kryetaren e re Danela Arsovska. Do të vazhdojmë bisedimet me kryetaren e komunës për programin e BERZH-it për Qytetet e gjelbërta dhe zbatimin e tij në Maqedoninë e Veriut. Së fundmi, banka e rriti dyfish shumën e programit të Qyteteve të gjelbërta, nga 2 miliardë euro në 4 miliardë, si shenjë e angazhimit të fortë për trajtimin e sfidave mjedisore urbane në vendet ku operojmë. Presim që kjo ndarje e shtuar e fondeve të hapë mundësi të reja për të gjitha qytetet anëtare të programit Qytetet e gjelbërta, i cili aktualisht numëron 52 qytete. Kjo përfshin edhe aftësinë për të adresuar qëllimet dhe prioritetet strategjike të identifikuara në Planin aksional për Qytetet e gjelbërta për Shkupin. Së bashku me qytetin, do të vazhdojmë të angazhohemi në zbatimin e prioriteteve të identifikuara në Planin aksional për Qytetet e gjelbërta”, thonë nga BERZH-i.

Në prill të këtij viti, qeveria mori kredi nga BERZH-i në vlerë prej 70 milionë euro për futjen e konceptit të ri të transportit publik në Shkup, përkatësisht metronë e autobusëve nga Gjorçe Petrovi në Novo Liliçe dhe nga Buteli në Kisella Vodë. Qyteti i Shkupit deri më tani për këtë projekt ka shpenzuar rreth 170.000 euro, gjegjësisht 75.000 euro për hulumtimin dhe përgatitjen e studimit në të cilin kanë marrë pjesë ekspertë të komunikacionit nga vendi dhe jashtë dhe 95.000 për projektimin e rrugës së parë nga Gjorçe Petrovi në Novo Lisiçe.

Në fund të muajit të kaluar, në sajtin e Bakës evropiane për rindërtim dhe zhvillim ishte publikuar tenderi ndërkombëtar për futjen e Bass Rapid Transit (BRT) ose metrosë së autobusit në Shkup. Tenderi do të zhvillohet në dy faza dhe faza e parë e parakualifikimit do të zgjasë deri më 14 dhjetor. Tenderi përfshin projektimin dhe ndërtimin e korridorit të linjës 1 të BRT, si dhe ndërtimin e depos në Novo Lisiçe dhe përmirësimin e depos në Gjorçe Petrov. Pikërisht në vendin ku duhet të jetë depoja në Novo Lisiçe, Arsovska në ditën e dytë të punës si kryetare komune, mbajti konferencë për media me kryetarin e Aeroportit Timço Mucunski duke paralajmëruar ndërtimin e parkut në atë zonë.

Arsovska menjëherë pas marrjes së detyrës tha se nuk do ta realizojë, pasi qytetarët e votuan projektin e saj për 250 autobusë të rinj dhe transport publik falas. Ajo tha se do të jepte detaje pas takimit me bankën, por në pyetjen e Sdk.mk, nuk kthyen përgjigje, por vetëm një e-mail të shkurtër ku thuhet se “në periudhën e ardhëshme pasojnë takimet me BERZH-in, kurse në rrjedhë është analiza e dokumentacioni për projektin BRT në Qytetin e Shkupit, pas së cilës kryetarja do të dalë me përgjigje konkrete për opinionin”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button