Vaksinat nuk vrasin, testet PCR nuk do t’ju infektojnë me korona

Një nga dezinformatat që u shpreh publikisht në protestën para Kuvendit është se “vaksinat i vrasin njerëzit, ndërsa testet PCR i infektojnë ato”. Organizata Botërore e Shëndetësisë po monitoron nga afër zbatimin e të gjitha vaksinave kundër Kovid-19. Prandaj, ata thonë se vaksinimi është i sigurt, ndërsa efektet anësore të vaksinës zakonisht janë të buta dhe të përkohshme, si dhimbja e krahut ose ethe. Mund të ketë edhe efekte anësore më të rënda, por ato ndodhin jashtëzakonisht rrallë. Testi PCR, i cili përdoret në mbarë botën gjatë pandemisë së Kovid-19, është një test molekular i miratuar nga OBSH. Ky test është standard i artë për diagnostikimin e Kovid-19, pas miratimit të tij për përdorim në shkurt të vitit 2020, shkruan Vërtetmatësi.

Të shtunën pasdite (20.11.2021 ) në Shkup u mbajt një protestë kundër vaksinimit dhe masave të reja të cilat duhet të zbatohen për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit dhe për zvogëlimin e ngarkesës mbi spitalet.

Protesta u organizua pasi Komisioni për sëmundjet infektive i rekomandoi Qeverisë që të marrë vendim që në sektorin publik secili punonjës gjatë ardhjes në punë të jetë i detyruar të tregojë certifikatën për vaksinën kundër Kovid-19, ose një test negativ PCR jo më të vjetër se 72 orë, me ç’rast shpenzimet për testin i mbulon punonjësi i cili refuzon të vaksinohet, ose të dorëzojë një certifikatë se e ka kaluar Kovid-19, jo më shumë se 45 ditë më parë.

Shumë prej mesazheve të dërguara për publikun përmbanin shumë dezinformata, të pavërteta tashmë të njohura si dhe një mori teorish konspirative. Një nga dezinformatat që u shpreh publikisht në protestën para Kuvendit është se “vaksinat i vrasin njerëzit, ndërsa testet PCR i infektojnë ato”

Gjërat që ata injektojnë në gjak nuk janë për shëndetin e tyre. Shumë njerëz vdiqën prej tyre. Shumë njerëz u sëmurën nga vetë testet. Testet janë gjithashtu një makinë për para që pasurom Bill Gates-in dhe kompaninë, tha një pjesëmarrëse në protestë (1.30:1.52 e videos )

Këtu kemi dy dezinformata. Vaksinat nuk vrasin e testet nuk kanë për qëllim t’i infektojnë njerëzit me koronavirus.

Vaksinat kundër Kovid-19, sëmundjes së shkaktuar nga koronavirusi, janë të sigurta dhe efektive. Ato, si çdo vaksinë apo ilaç tjetër, mund të kenë disa efekte anësore, por ato janë ende shumë të rralla. Nga Qendra Amerikane për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve (CDC) thonë se rreziku nga Kovid-19 dhe komplikimet e tij është shumë më i madh se rreziku i vaksinave dhe efekteve anësore të tyre. Rreziqet e njohura të Kovid-19 dhe komplikimet e tij, si problemet shëndetësore afatgjata dhe vdekja, tejkalojnë rreziqet e mundshme nga efektet anësore të rralla të vaksinave.

Çdo vaksinë e licencuar i nënshtrohet testimeve rigoroze në disa faza para se ajo të miratohet për përdorim dhe testohet rregullisht edhe pasi të futet në përdorim.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (ОBSH) monitoron nga afër zbatimin e të gjitha vaksinave kundër Kovid-19. Prandaj, ata thonë se vaksinimi është i sigurt, ndërsa efektet anësore të vaksinës zakonisht janë të buta dhe të përkohshme, si dhimbja e krahut ose ethet. Mund të ketë edhe efekte anësore më të rënda, por ato ndodhin jashtëzakonisht rrallë.

Të gjitha informacionet në lidhje me vaksinat kundër Kovid-19 që administrohen në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përbërjen e tyre dhe efektet anësore më të shpeshta që mund t’i shkaktojnë ato mund t’i gjeni në uebfaqen për vaksinimin të Ministrisë së shëndetësisë.

Testet PCR që bëhen për të zbuluar nëse një person është i infektuar me koronavirus nuk i infektojnë ata që testohen. Kjo është edhe një teori konspirative që prej kohësh po ndahet dhe frikëson popullatën. Nëse dikush beson në këtë teori, nuk testohet dhe ka simptoma, atëherë ai mund ta përhapë virusin kudo dhe të shkaktojë edhe më shumë dëm dhe pasoja të rrezikshme.

Testi PCR, i cili përdoret në mbarë botën gjatë pandemisë së Kovid-19, është një test molekular i miratuar nga OBSH. Ky test është standard i artë për diagnostikimin e Kovid-19, pas miratimit të tij për përdorim në shkurt të vitit 2020. Ai është i saktë dhe i besueshëm.

Теstimi në fakt është marrja e strishios më thellë në fyt dhe hundë me një shtupë me majë pambuku, që zgjat disa sekonda dhe është po aq e sigurt sa çdo strishio tjetër që të gjithë ne e kemi bërë shumë herë më parë. Kjo mostër më pas dërgohet në një laborator për testim në kushte të veçanta.

Këto teste janë të sigurta dhe në asnjë mënyrë nuk mund t’ju dëmtojnë ose infektojnë nëse nuk jeni tashmë të infektuar dhe janë mënyra e vetme për të zbuluar nëse dikush është i infektuar.

Mjekët vazhdimisht u bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, sepse për momentin vaksinat janë arma e vetme që kemi në dispozicion për ta luftuar këtë pandemi që tashmë një vjet e gjysmë e ka mbërthyer gjithë botën e që deri më tani (23.11.2021) ka infektuar 258.569.023 njerëz, ndërkohë që jetën e kanë humbur 5.178.460 njerëz.

Por, paralelisht me apelet nga fusha mjekësore dhe shkencore, ka njerëz që në protesta dhe rrjete sociale përhapin dezinformata, pretendime të pabaza, informacione të pakonfirmuara, e ngjallin frikë dhe dyshime. Dhe me këtë minojnë luftën e përditshme të mjekëve për të shpëtuar jetë njerëzish.

Kjo është një nga arsyet se pse në Maqedoninë e Veriut shkalla e vaksinimit është e ulët – më pak se 40%.  Për shkak të lëvizjeve të tilla antivaksere, një pjesë e madhe e qytetarëve ende kanë frikë nga vaksinat, edhe pse nuk kanë asnjë bazë reale për këtë, dhe gjithashtu refuzojnë të testohen edhe pse kanë simptoma dhe kështu e përhapin më tej virusin.

Sëmundja Kovid-19 është serioze dhe shumë e paparashikueshme dhe pandemia nuk ka për të marrë fund së shpejti nëse lëvizje të tilla antivaksere vazhdojnë të përhapin të pavërteta të rrezikshme që dëmtojnë shëndetin publik.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button