Nedellkovski shpërndau gjuhë të urrejtjes për aksidentin në Bullgari, a do t’i mbyllë sytë Prokuroria?

Gazetari kontrovers Milenko Nedellkovski nëpërmjet profilit të tij në Facebook, një ditë pas aksidentit në Bullgari ka shpërndarë një status me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes. Portalb.mk, e paraqiti rastin në organet shtetërore, ndërkaq Policia njoftimin e ka dërguar në Prokurori, shkruan Portalb.mk.

Një ditë pas aksidentit tragjik të autobusit në Bullgari, i cili ndodhi më 23 nëntor dhe në të cilin humbën jetën 45 persona, shumica prej të cilëve fëmijë dhe të rinj, Nedellkovski në rrjetin social Facebook publikoi një status me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes.

Gjegjësisht, derisa opinioni ishte i tronditur për ngjarjen tragjike të djegies së autobusit në autostradën bullgare Struma dhe derisa të gjithë pyesnin për shkakun apo shkaqet e aksidentit, Nedellkovski shkruajti “A janë mallkimet shkaku?”, duke lënë të kuptohet që sipas tij aksidenti ka ndodhur si shkak mallkimeve ndaj shqiptarëve.

Statusi i Milenkos, aksidenti Bullgari
Statusi në FB

Po aq skandaloze janë edhe komentet e qytetarëve nën postimin e tij.

“Nuk e di Milenko, por arrijnë kurdoherë. Kështu ka qenë nga kohërat e lashta”, shkruan një qytetar i cili në profilin e Facebookut e ka emrin Mihajllo Naumoski Makedonski, komentin e të cilin e kanë pëlqyer 10 persona.

“Zoti është i madh, mund të vonojë, por nuk harron”, shkruan qytetari me emrin Spirko Blazevski.

“Mban ujë!”, shkruan një qytetar me emrin Vladimir Spirov.

“Hmmm, si Zoti askush!”, shkruan Petko Nedelkovski.

Disa prej komenteve
Disa prej komenteve

Këto janë vetëm disa prej komenteve, ndërkaq ka edhe një sërë reagimesh të cilët janë të revoltuar me këtë status.

Portalb.mk, ka dorëzuar paraqitje deri në Polici dhe Prokurori për t’i pyetur nëse kanë ndërmarrë diçka rreth këtij postimi publik.

Policia na njoftoi se ka dërguar njoftim në Prokurori, prej të cilëve presin udhëzime për veprim.

“Ju njoftojmë se Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale ka dorëzuar njoftim deri te Prokuroria Themelore Publike e Shkupit në lidhje me publikimin nga ana e profilit me emrin “Milenko Nedelkovski” në rrjetin social Facebook, me qëllim që të merren udhëzimet për veprimin tonë të mëtutjeshëm”, thanë nga MPB për Portalb.mk.

Nga Prokuroria thonë se njoftimi ende nuk ka arritur deri tek ata.

“Në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit deri në këtë moment ende nuk ka arritur njoftimi për të cilin shprehni interes. Sapo të arrijë njoftimi, prokurori kompetent menjëherë do të veprojë dhe do të ndërmarrë veprime për konstatimin e fakteve dhe përgjegjësinë eventuale penale”, thonë nga Prokuroria.

Sipas Kodit Penal, për vepër penale përhapje të informacioneve raciste dhe ksenofobisë në internet parashihet dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet. Portalb.mk ndër vite shkruan për problematikën e gjuhës së urrejtjes dhe të gjitha pasojat që kjo e fundit i sjellë shoqërisë multietnike të Maqedonisë së Veriut. Është shumë e rëndësishme të ndërmerren masa në mënyrë që kjo dukuri të minimizohet dhe këto vepra penale të mos jenë kaq të theksuara në vend.

Në RMV nuk ndëshkohen personat që shpërndajnë gjuhë të urrejtjes

Në një uebinar “Si ta luftojmë gjuhën e urrejtjes?” i cili u mbajt në qershor, panelistët deklaruan se Prokuroria vazhdon të mos i procesuojë rastet e gjuhës së urrejtjes dhe rrjedhimisht me këtë në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mos ndëshkohet gjuha e urrejtjes, pavarësisht se është vepër penale.

Nuk është hera e parë që Nedellkovski shpërndanë gjuhë të urrejtjes. Ai disa herë ka shpërndarë statuse skandaloze nëpër rrjetet sociale, për të cilat janë dorëzuar edhe padi penale. Megjithatë, i njëjti nuk është ndëshkuar.

Se nuk ndëshkohet gjuha e urrejtjes dëshmon edhe rasti në lidhje me aksidentin e autobusit të “Durmo” Tursit në vitin 2019-të. Në ditën e aksidentit në Llaskarcë ku humbën jetën 16 persona, profesoresha Biljana Vankovska nëpërmjet rrjetit social Fejsbuk shpërndau një status “Çfarë tragjedie dhe ironie: Karpallëk”, i cili u cilësua gjuhë e urrejtjes pasi aksidentin e ka lidhur me ndodhinë e konfliktit të vitit 2001 në Karpallëk në të cilën u vranë 10 ushtarë të Armatës së Maqedonisë nga formacionet e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Megjithatë, prokurori kompetent i Prokurorisë së Shkupit, e hodhi poshtë padinë penale të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Për dallim prej organeve tona, autoritetet bullgare kanë arrestuar një burrë nga Sofja, menjëherë pasi ai në Facebook ka publikuar komente, jashtë normave morale dhe etike, në lidhje me aksidentin tragjik të autobusit në Bullgari. Materialet janë denoncuar në Prokurorinë e qarkut në Sofje për veprën penale në bazë të nenit 462 të Kodit Penal – shpërndarje të urrejtjes në baza nacionaliste nëpërmjet sistemit elektronik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button