Rreth 100 punonjës në spitalin në Shtip janë të pavaksinuar

Nga rreth 500 të punësuar në spitalin e Shtipit, rreth 100 janë të pavaksinuar, por siç thonë nga spitali, bëhet fjalë për persona të cilët kanë qenë të infektuar me koronavirus. Ndryshe nga kolegët e tyre në spital, në Shtëpinë e shëndetit „Dr. Pançe Karagjozov“ nuk janë vaksinuar vetëm disa nga punonjësit. Në pikat e vaksinimit në Shtëpinë e shëndetit në Shtip, këto ditë vijnë kryesisht pacientë të moshuar – mbi 65 vjeç, të cilët janë vaksinuar me vaksinat kineze “Sinofarm” dhe që duan të pranojnë një dozë përforcuese. Në më pak se një muaj pas fillimit të imunizimit me dozën e tretë, në rajonin e Shtipit janë vaksinuar gjithsej 3100 persona, shkruan Vërtetëmatësi.

Shkruan: Vesna Kollovska

Pothuajse një e pesta e punonjësve në Spitalin klinik në Shtip nuk kanë pranuar asnjë dozë të vaksinës kundër Kovid-19. Sipas udhëheqësisë të spitalit, bëhet fjalë për punonjës shëndetësorë të cilët janë shëruar nga Kovid-19 dhe që ende nuk janë vaksinuar.

Deri më tani, ka qenë një zgjedhje personale e mjekëve nëse ata do të vaksinohen kundër Kovidit. Por, masa e paralajmëruar dhe e zgjatur e Qeverisë, sipas së cilës për ta vaksinimi do të bëhet i detyrueshëm, do ta tregojë edhe qëndrimin e tyre fillimisht ndaj shëndetit të tyre, e më pas ndaj shëndetit publik.

Drejtori i Spitalit klinik në Shtip, Alen Gjeorgjijev, thotë se deri më tani vaksinimi ka qenë zgjedhje individuale.

“Vaksinimi i detyrueshëm për punonjësit shëndetësorë për momentin është vetëm një masë e paralajmëruar. Nga afro 500 të punësuar, njëqind janë të pavaksinuar, por këta janë njerëz që kanë qenë të infektuar me Kovid-19.” tha Gjeorgjijev për„Vërtetmatësin“.

Për dallim nga kolegët e tyre në spital, në Shtëpinë e shëndetit „Dr. Pançe Karagjozov”, nuk janë vaksinuar vetëm disa punonjës.

“Personat e pavaksinuar mund të numërohen me gishta dhe janë kryesisht persona me kundërindikacione.”tha Dr.Diana Milanova, koordinatore për vaksinimin.

Koordinatorja nacionale për imunizimin, prof. Aleksandra Grozdanova pak kohë më parë përcolli një mesazh për punonjësit shëndetësorë të cilët ende nuk janë vaksinuar kundër Kovid-19. Sipas saj një punonjës shëndetësor nuk duhet ta diskutojë aspak nëse duhet apo nuk duhet të vaksinohet.

“Për ne është shumë e rëndë që ka punonjës shëndetësorë që promovojnë mosvaksinim, më besoni, dhe profesionalisht dhe etikisht është e gabuar, është shumë e rëndë që nuk kemi mbështetjen e plotë të punonjësve shëndetësorë. Nëse punonjësit shëndetësorë janë promovues të mosvaksinimit, nëse nuk besojnë në shkencë dhe mjekësi, atëherë ata nuk duhet të jenë pjesë e shëndetësisë.” tha Grozdanova në bisedën online me gazetarët (22.11.2021).

Dr. Grozdanova tha se mjekët nuk duhet ta diskutojnë as çështjen e vaksinimit kundër hepatitit, fruthit, gripit dhe sëmundjeve të tjera dhe theksoi shembullin e Shteteve të Bashkuara, ku nuk mund të hyhet në një institucion shëndetësor pa kartën e vaksinimit.

Sipas kryetares së Shoqatës, Aleksandra Georgieva, çdo punonjës shëndetësor i pa vaksinuar kontribuon në intensifikimin e teorive konspirative rreth pandemisë me Kovid-19.

“Sot, kur e gjithë mjekësia mban një përgjegjësi më të madhe se kurrë më parë, kur bota është në luftë me armikun e padukshëm dhe pjesa më e madhe e popullsisë po ndjek nga afër mesazhet që vijnë nga heronjtë e kohëve moderne, është qenësore që çdo punonjës shëndetësor të vaksinohet kundër Kovid-19 (përveç se nëse ka kundërindikacione mjekësore nga vaksinat). Kjo pa mëdyshje do të tregojë se vaksinat janë të sigurta për përdorim. Përgjegjësia morale tejkalon çdo legjislacion.” thotë Georgieva për „Vërtetmatësin“.

Shoqata e specializantëve dhe mjekëve të rinj shpreson që të gjithë ata që punojnë në spitalet në të gjithë vendin nuk do e presin fillimin e zbatimit të masave të propozuara nga Komisioni i sëmundjeve infektive, por sa më parë të jetë e mundur do drejtohen në pikën më të afërt të vaksinimit dhe ta kryejnë detyrën për mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe shëndetit të atyre që i trajtojnë.

Personat e moshuar në Shtip erdhën të pranojnë dozën përforcuese të „Pfizer“

Në pikat e vaksinimit në Shtëpinë e shëndetit në Shtip, ku bëhet imunizimi kundër Kovid-19, këto ditë vijnë kryesisht pacientë të moshuar – mbi 65 vjeç, të cilët janë vaksinuar me vaksinat kineze “Sinofarm” dhe që duan të pranojnë një dozë përforcuese. Këta janë persona të shqetësuar për shëndetin e tyre, tek të cilët nga pranimi i dozës së dytë kanë kaluar disa muaj dhe duan ta përforcojnë imunitetin para fillimit dimrit. Në më pak se një muaj pas fillimit të imunizimit me dozën e tretë, në rajonin e Shtipit janë vaksinuar gjithsej 3100 persona. Mjekja Dijana Millanova në një prononcim për “Vërtetmatësin” thotë se në këtë numër nuk janë përfshirë vetëm qytetarët e Shtipit, por edhe nga rajoni më i gjerë. Siç sqaroi ajo, vaksina “Pfizer” ruhet në minus 80 gradë celsius në frigoriferë që nuk i kanë qendrat shëndetësore përreth, prandaj të interesuarit dërgohen në Shtip.

“Tani për tani, pas paralajmërimit për masa të reja, nuk ka rritje të interesimit për vaksinim. Me sa duket se ata që donin të vaksinoheshin, u vaksinuan dhe tani vijnë për të marrë dozën e tretë.” tha dr. Millanova.

Në Shtip, sipas të dhënave nga evidenca e Shtëpisë së shëndetit në Shtip, çdo ditë vaksinohen nga 130 pacientë ose nga 630 në javë. Për krahasim, në maj të këtij viti, kur ka pasur interesimin më të madh, çdo ditë janë aplikuar nga 1780 vaksina kundër Kovidit. Në pikat e vaksinimit në Shtip në muajin maj janë aplikuar gjithsej 15.800 vaksina. Deri më tani me dozën e parë dhe të dytë janë vaksinuar 35.000 qytetarë nga Shtipi dhe rajoni. Mirëpo, numrin e saktë të të vaksinuarve nga Shtipi e dinë vetëm administratorët e “Terminit tim”, theksojnë nga Shtëpia e shëndetit.

Mes të vaksinuarve ka edhe të rinj. Numri i të vaksinuarve në moshë nga 16-17 vjeç është më i ulët krahasuar me të rinjtë mbi 18 vjeç.

Vaksinat kundër gripit dhe Kovidit mund të pranohen në të njëjtën ditë

Në objektin e Shtëpisë së shëndetit, në njërën anë këto ditë vijnë pacientët për të pranuar dozë përforcuese, ndërsa në anën tjetër, ku është Qendra e shëndetit publik, për të pranuar vaksinat kundër gripit. Dhjetë ditë që nga fillimi i imunizimit me vaksinat falas kundër gripit, janë vaksinuar gjithsej 3100 pacientë, kryesisht të moshuar dhe të sëmurë kronikë. Epidemiologia Dr. Jasminka Sazdovska thotë se në mesin e të vaksinuarve ka edhe 2-3 fëmijë nga Radovishi.

“Vaksina kundër gripit mund t’u jepet fëmijëve më të vjetër se nëntë muajsh. Pacientët e moshuar imunizohen çdo vit dhe nuk kanë asnjë dyshim nëse duhet të pranohen. Deri më tani askush nuk ka raportuar efekte të padëshiruara.” tha Dr. Sazdovska për „Vërtetmatësin“.

Çështja nëse vaksinat kundër gripit dhe Kovidit mund të pranohen në të njëjtën kohë është zgjidhur në trajnimet e rregullta për profesionistët shëndetësorë. Këto dy vaksina mund të bëhen në të njëjtën ditë, por në praktikë, siç thotë doktoresha Sazdovska, pacientët janë të kujdesshëm.

“Pacientët vendosin të pranojnë një herë vaksinën e gripit dhe më pas, pas dy javësh, kur të kenë fituar imunitet, kthehen për të pranuar dozën përforcuese kundër Kovidit. Vetëm dy ose tre pacientë i kanë pranuar të dyja vaksinat në të njëjtën ditë. Bëhet fjalë për persona të moshuar që udhëtojnë nga vendbanimi i tyre për të marrë vaksinën ose që janë më pak të lëvizshëm dhe e kanë të vështirë të dalin nga shtëpia.” thotë dr. Sazdovska.

Koordinatorja nacionale për imunizimin Dr. Aleksandra Grozdanova citon rekomandimet nga Qendra Amerikane për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve (CDC) dhe thekson:

Nga Qendra thanë se pranimi i dy vaksinave në të njëjtën kohë në dy gjymtyrë të ndryshme nuk paraqet kurrëfarë problemi. Mund të bëhet edhe njëkohësisht, por edhe me një interval kohor një javë – 10 ditë, me qëllim që pacienti të ndihet mirë. Nuk kemi një praktikë të tillë të vaksinimit në të njëjtën kohë për të rriturit, përveç fëmijëve të vegjël, ndërkohë që në disa vende kjo gjë është praktikë.

Sipas Ministrisë së shëndetësisë, deri më 21 nëntor në vendin tonë janë vaksinuar gjithsej 822.751 qytetarë, ndërkohë që me dy doza janë vaksinuar gjithsej 789.905 qytetarë.

“Dozën e tretë e kanë pranuar 63.137 qytetarë. Është vaksinuar 57 përqind e qytetarëve mbi 40 vjeç, ndërsa nga 18 deri në 39 vjeç një dozë të vaksinës kanë marrë 33 përqind e popullatës. Mbulimi me vaksinim me një dozë është 58% te popullatëa së rritur, ndërsa me dy doza 47% të qytetarëve mbi 18 vjeç.” thuhet në raportin e autoriteteve shëndetësore.

Megjithatë, Republika e Maqedonisë së Veriut ka një nivel relativisht të ulët të imunizimit kundër Kovidit. Sipas numrit të vaksinave të aplikuara, në vendin tonë është vaksinuar 39% e të gjithë popullsisë dhe 38% e popullsisë në vend ka marrë dy doza të vaksinës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button