Shkup, nesër do të zhvillohet panel-diskutim i nivelit të lartë mbi trafikimin e qenieve njerëzore

Përfaqësues të lartë qeveritar, si dhe partnerë kombëtar dhe ndërkombëtar do të zhvillojnë një diskutim të hapur dhe do të shkëmbejnë informacione mbi temën e luftimit të trafikimit me qenie njerëzore në Maqedoninë e Veriut, ngjarje e organizuar bashkërisht nga Ambasada e Suedisë, Ambasada e Francës dhe Misioni i OSBE-së në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Trafikimi me qenie njerëzore është një problem global dhe një prej krimeve më të turpshme në botë, që ndikon jetën e miliona grave, burrave dhe fëmijëve nga e gjithë bota, duke i eksploatuar dhe duke i zhveshur nga dinjiteti i tyre. Për të luftuar këtë fenomen të tmerrshëm, duhet të ketë veprime të koordinuara dhe të përbashkëta, gjegjësisht, partneritete në gjitha fushat dhe pjesët e intervenimit: në parandalim, mbrojtje dhe persekutim.

Ngjarja Lufta kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Maqedoninë e Veriut – Parandalimi, Persekutimi, Mbrojtja dhe Partneriteti do të sigurojë një mundësi që partnerët kombëtar dhe ndërkombëtar të marrin një pasqyrë të situatës aktuale dhe arritjet më të fundit, të diskutojnë sfidat, të propozojnë rekomandime dhe të riafirmojnë dhe përforcojnë bashkëpunimin në përpjekjet e tyre për të shtypur dhe çrrënjosur trafikimin me qenie njerëzore.

Folësit kryesor të ngjarjes do të jenë Anna Eksted, ambasadorja e Përgjithshme për Luftën kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Suedisë, Jean-Claude Brunet, Ambasadori i Përgjithshëm për Luftë kundër Kërcënimeve Kriminele Transnacionale pranë Ministrisë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Jeff Goldstein, Zëvendës Shefi i Misionit, Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Svetlana Vlahovikj-Dimanovska, Zëvendës Koordinatore Kombëtare, Komisioni Kombëtar për Luftën kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe Migracionit të Paligjshëm.

Në Panel do të ketë përfaqësues nga IOM, Qendra Kombëtare për Viktimat e Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe Dhunës Seksuale – Open Gate/La Strada, Asociacioni Maqedonas i Juristëve të Rinj – AMJR, si dhe Komisioni Kombëtar dhe Prokuroria Publike.

Pjesëmarrësit do të shkëmbejnë informacione dhe do të diskutojnë mbi mënyrën e veprimit si dhe sfidat dhe kërcënimet të cilat shfaqen gjatë pandemisë së Covid-19 dhe fenomenin e ri të rritjes së (abuzimit) përdorimit të internetit për qëllime të eksploatimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button