Odiseada e shqipes në RMV: 1946-2021 (I)

“Kufijtë e gjuhës time janë kufijtë e botës time.”
Ludwig Wittgenstein

Sipas Encyclopedia Britannica (2021) gjuha paraqet një sistem të  simboleve konvencionale të shpërfaqura gojarisht, përmes gjestikulacioneve ose shkrimit, nëpërmjet të cilave qeniet njerëzore, si anëtarë të një grupi social dhe si pjesëmarrës në kulturën e tij e shprehin vetëveten. Gjuha është një indikator i dukshëm dhe i fuqishëm i identitetit. Ajo është kujtesë dhe informacion për mijëra vite të gjallërimit kulturor, është “thesar që e ndjek njeriun gjithandej” (thënie kineze), është “korridor për jetë” (Smith). Sipas “Ethnologue online” në vitin 1996 në botë kanë ekzistuar 6912 gjuhë, prej të cilave rreth 3000 kanë qenë të rrezikuara me zhdukje (UNESCO,). Neni 5 i Deklaratës Universale mbi Diversitetin Kulturor thekson se “të gjithë njerëzit mund të shprehin, krijojnë dhe të përhapin krijimet e tyre në gjuhën e përzgjedhur nga vetë ata, në veçanti në gjuhën amtare; të gjithë njerëzit duhet të gëzojnë të drejtën për arsimim dhe trajnim cilësor me respekt të plotë të identitetit kulturor”. (Lenore & Lindsay, 2006: 2)

Gjuha shqipe, si një degë e veçantë e familjes indo-europiane të cilën e flasin më tepër se gjashtë milionë njerëz, në Maqedonitë historike, nga ajo osmane, e ASNOM-it (KAÇKM), e pavarësisë (1991), deri te e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001 dhe më pas, ka përjetuar batica dhe zbatica, sfida të shumta që kanë të bëjnë me të drejtat themelore të qytetarit, të cilat nga regjimet e ndryshme shpesh janë shkelur deri në mënyrën më brutale. Si rrjedhim, përpjekja shqiptare për të mbajtur gjallë, për të kultivuar dhe krijuar shqip shënon një kontinuitet që arrin deri më sot. Para disa ditëve dritën e publikimit pa edhe një vepër që merret me çështjen e shqipes nga një perspektivë tjetërfare, juridiko-kushtetues, normativ por edhe nga ai sociologjik: Ylber Sela et.al, Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve të vitit 2019, Agjencioni për Zbatimin e Gjuhës, Shkup, 2021, 184 fq.. Ky punim në fokus ka edhe vijën historike por edhe atë më të re, pas 2001-shit dhe miratimit të Ligjit përdorimin e Gjuhëve të vitit 2019. Në këtë studim shkencor trajtohet statusi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut si një vend me shumë ngjyra kulturore, që përballet me problemin e menaxhimit të diversiteteve, që një kohë të gjatë ka jetuar nën ndikimin e dëshirës monoetnike, apo të ndërtimit të shtetit etnocentrik, nacional, të mishëruar në etnikumin apo bashkësinë më të madhe, atë maqedonase, lidershipi politik i së cilës që nga periudha jugosllave e deri në vitin 2001 përmes mekanizmave politikë, në këtë ose në atë mënyrë, ka shpërfillur ose ekskomunikuar kulturat tjera gjuhësore ose u ka dhënë atyre hapësirë minimale për eksponim, shpesh edhe duke i shtyrë të luftojnë për mbijetesë kulturore.

Vepra në fjalë përbëhet nga tre kapituj (I. “Rendet kushtetuese dhe të drejtat gjuhësore e kulturore të shqiptarëve ndër vite”, II. “Të dhëna emiprike mbi realizimin e të drejtave gjuhësore dhe kulturore të shqiptarëve në periudhën 1946-2001”, dhe III. “Statusi i gjuhës shqipe de jure dhe kontestimet kushtetuese të tij)”, shoqëruar edhe me tre shtojca.

Odiseada e gjuhës shqipe në Maqedoni fillon me një koncept multietnik të “Kushtetutës për organizimin e ardhshëm shtetëror të Maqedonisë të vitit 1880” (neni 3), e panjohur deri sot për opinionin, që nisej nga parimi shumë kombe-një shtet, e ngjashme me frymën e shtetit demos të KAÇKM-së (1944) që i njihte të drejtat kolektive, theksonte se sovraniteti i takon “popullit të Maqedonisë” (f. 17), që lejoi hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Dokumenti i vitit 1880 ishte i afërt me perspektivën e Marrëveshjes Kornizë që solli deetnizimin e shtetit, “Maqedoninë e Tretë”, kulturën e tolerancës ndaj tjetrit. Kushtetuta e vitit 1946 dallohej me përkufizim republikan të shtetit por edhe me mossanksionim taksativ të përdorimit të gjuhës shqipe dhe të atyre të komuniteteve të tjera. Sipas autorëve,  kushtetuta e vitit 1963, të cilës i shtohet premabula, etnicizohet, stratifikon entitetet, thekson aspiratën historike të popullit maqeonas për liri kombëtare dhe pavarësi shtetërore, duke i vënë në pozitë dytësore të tjerat, të cilave iu referohet si pakica kombëtare. Diskriminimi ishte evident edhe përkundër neneve 73 dhe 75 që shprehin nuanca fleksibiliteti për përdorimin e gjuhëve. Ndryshim pozitiv në Maqedoninë socialiste solli kushtetuta e vitit 1974 që avancoi statusin kushtetues juridik të shqiptarëve dhe të turqve të cilët i cilësonte si subjekte konstituive bashkë me maqedonasit (f. 32), duke i mbiquajtur si kombësi (националности) dhe duke i dhënë çdo kombësie të drejtën për të përdorur lirisht gjuhën e vet, për të zhvilluar kulturën e vet (neni 178). Qasja destrukive dhe ekskluziviste sërish do të shfaqet në skenë me gjallërimin e shovinizmit serb; në vitin 1989 ndodhi i ashtuqajturi “agresion kushtetues” (amendanmentet XXIV deri LV) kur u degraduan të drejtat kushtetuese të shqiptarëve, kur RSM u definua si shtet vetëm i kombit maqedonas dhe kur gjuha maqedonase dhe alfabeti cirilik u bënë të vetmet në përdorim zyrtar në shtetin e zënë ngoje, “rërë e gjallë” kjo në të cilën establishmenti maqedonas do të thellohet me “gabimin e madh” (Andov) të kushtetutës së vitit 1991, që u miratua pa përkrahjen shqiptare. Akti i fundit, që afrimonte sovranitetin etnik, do të jetë uverturë për kalimin në gjendjen e shoqërisë së tensionuar në baza etnike, ku dy etnitë më të mëdha, maqedonasit dhe shqiptarët do të kenë përplasje për shkak të diskriminimit dhe pakënaqësisve të shqiptarëve lidhur me statusin e tyre, klimë kjo që do të çojë deri te konflikti i vitit 2001, pas të cilit me ndërmjetësimin ndërkombëtar përmes  MKO-së do të synohet krijimi i një Maqedonie te re, të hapur, multietnike, pa hierarki statusore të bashkësive që jetojnë në këtë nënqiell. Kjo frymë  demokracisë konsensuale, përmes Aneksit A, B dhe C solli ristrukturimin e shtetit, akomodimin e kërkesave themelore të palëve, ndonëse preambula, si “korridor i madh hyrës në kështjellën e kushtetutës”  (f. 96), që popullin maqedonas e përkufzion si etnos (komb) kurse shqiptarët dhe të tjerët si pjesë të popujve dhe disa elemente të tjera si himni dhe flamuri, mbeten ende kontestuese dhe të hapura për diskutim dhe kritika. (vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button