Kuçuk: Ka përpjekje të mëdha si nga Shkupi ashtu edhe nga Sofja për kërkimin e zgjidhjes për çështjet e hapura

Eurodeputeti dhe raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Ilhan Kuçuk, në intervistën e mbrëmshme për TV Sitel, theksoi se dy vendet duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për të krijuar besim, transmeton Portalb.mk.

“Ajo është mënyra më e mirë që Marrëveshja e vitit 2017 të përmbushet. Shoh se ka përpjekje të mëdha nga të dyja palët, nga Shkupi dhe Sofja, që të vendosen në tryezë çështjet e hapura dhe të gjendet zgjidhje që do të sigurojë bazë serioze për fillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare”, tha Kuçuk.

Ai tha se Bullgaria është ende në proces të formimit të qeverisë, ka katër forca politike dhe se pritet që sa më shpejt të dalin në përfundime dhe të formojnë qeverinë.

“Nuk mund që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, që janë dy vendet më të afërta, të gjejnë rrugën drejt BE-së. Të kemi aktivitete të përbashkëta në fusha të ndryshme, të fillojmë nga arsimi, kultura, projektet e infrastrukturës, të kalojmë në digjitalizimin dhe mundësitë që na jep BE-ja me transformimin e gjelbër. Këto janë tema që duhet të jenë pjesë e bisedimeve në të ardhmen”, tha Kuçuk.

Tema e historisë, theksoi ai, duhet t’u ishte lënë që moti historianëve, pasi çështjet historike nuk mund të tejkalohen në periudhë prej disa muajve apo viteve.

“Së bashku me këto çështje historike, ne duhet të mendojmë për të ardhmen, perspektivën që duhet të vijë si nga zhvillimi ekonomik ashtu edhe nga të drejtat e njeriut. BE-ja mbështet të gjitha standardet demokratike, duke përfshirë të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave. Të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin, të qetësojmë frikërat nga të dyja palët, kjo vlen edhe për Shkupin edhe për Sofjen. Vetëm atëherë mund të ketë besim. Ne kemi nevojë të fortë për t’u kthyer në zonën e besimit, t’i shqyrtojmë ato që na ka ndodhur në të kaluarën, por me ide të vetme për të ecur drejt së ardhmes që duhet të na çojë në BE. Unë konsideroj dhe jam i bindur se dështimi për të zgjidhur mosmarrëveshjen dypalëshe midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut po ngadalëson të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha Kuçuk.

Ai njofton se raporti i radhës do të pasqyrojë tendencat pozitive, por edhe problemet në vend. Por, siç theksoi ai, që të ketë zhvillim politik dhe të vlerësohet nga BE-ja, duhet një situatë e qëndrueshme politike edhe në Maqedoninë e Veriut edhe në Bullgari.

Kujtojmë se presidenti bullgar, Rumen Radev në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor më 6 tetor në Slloveni deklaroi se, përderisa bullgarët në Maqedoni i nënshtrohet asimilimit suptil dhe u shtypen të drejtat themelore në raport me etnitë tjera, Bullgaria nuk do të thotë “po” për fillimin e negociatave me BE-në.

Përndryshe, Bullgaria është kundër pranimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve historike dhe gjuhësore. Por edhe nëse ka ndonjë marrëveshje, gjendja e keqe pasqyron paralizën e planit të BE -së që të ndërtojë “unazë miqsh” nga Ukraina në Tunizi, duke ofruar lidhje më të ngushta, por edhe tregti dhe ndihmë.
Bullgaria nga fundi i vitit 2020, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Megjithatë Bashkëkryetari i koalicionit “Ndryshimi vazhdon”, Kiril Petkov, i cili fitoi në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Bullgari dhe është kandidati më serioz për kryeministër të ardhshëm, po jep shpresë në lidhje me marrëdhëniet bullgaro-maqedonase, duke thënë se nuk duhet të rrënohet i gjithë procesi i fqinjësisë së mirë me Maqedoninë e Veriut dhe ata të pranohen në BE vetëm në bazë të një kriteri – historisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button