Udhëzues për eko-aktivizëm: Secili e ka për detyrë ta mbrojë mjedisin jetësor

Si t’i përdorim ligjet e Maqedonisë për të mbrojtur mjedisin jetësor, cili është roli i aktivizmit qytetar dhe sa mund të kontribuojë secili individ për të jetuar në një mjedis më të mirë, janë udhëzimet që gjenden në botimin “Së bashku PËR natyrën: Udhëzues për eko-aktivizëm” që e publikoi Instituti për studime të komunikimit dhe Shoqëria ekologjike maqedonase. Udhëzuesi fokusohet në mekanizmat ligjorë për mbrojtjen e mjedisit jetësor, eko-aktivizmin si angazhim qytetar, por edhe për mënyrën e krijimit të fushatave për nisma mbështetëse me interes publik, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Kudo në botë, por edhe në vendin tonë, qeveritë, institucionet apo kompanitë janë në gjendje të marrin vendime që prekin natyrën dhe burimet natyrore, si ujërat, pyjet, tokat, malet, ose të vlerësojnë shkallën në të cilën një pjesë e caktuar e natyrës mund të përdoret.

Natyra nuk mund të thotë asgjë për rëndësinë e këtyre vendimeve, megjithëse fakti është se interesi ekonomik zakonisht tejkalon interesin e mjedisit jetësor, madje edhe në zonat e përcaktuara si parqe kombëtare ose si vende të trashëgimisë botërore nga UNESCO.

Si rezultat, janë nisur 369 nisma në mbarë botën që synojnë dhënien e të drejtave të natyrës. Shumica e tyre janë të suksesshme, kështu që subjektet e natyrës ose speciet specifike të kafshëve si balena e kaltër, panda e madhe, orangutani dhe të tjerë, aktualisht kanë të drejta ligjore.

Në vendin tonë, themelet për sigurimin e të drejtave për mbrojtje të mjedisit jetësor, përveç konventave ndërkombëtare detyruese si Konventat e Aarhusit dhe Bernës, bazohen në Kushtetutë dhe ligjin për mjedisin jetësor.

Te ne ka shumë shembuj të aktivizmit qytetar që kanë kontribuar në ndryshime pozitive në shoqëri përmes përdorimit të mjeteve juridike që ekzistojnë në ligje dhe akte ndërkombëtare. Këto janë sukseset e disa organizatave mjedisore nga Maqedonia për ndalimin e ndërtimit të hidrocentralit “Crn Kamen”, rezervuarit “Fusha e Lukovës”, hidrocentralit “Ura Boshkut” dhe padia e qytetit të Velesit dhe shoqatës mjedisore “Villa Zora” kundër shtetit, sepse lejoi që qyteti dhe banorët e tij të helmoheshin nga shkritorja për 30 vjet pa ndërprerje, pas së cilës ky kapacitet përfundimisht shkoi në histori.

Doracaku për eko-aktivizëm kujton gjithashtu se secili individ ka të drejtë për mjedis të shëndetshëm, por edhe detyrë për ta mbrojtur atë. Çdo person apo organizatë e shoqërisë civile ka të drejtë të kërkojë informacion mjedisor në bazë të së drejtës për qasje në informacione publike dhe duhet patjetër t’i marrë atë brenda një muaji.

Nga ana tjetër, ligjet e Maqedonisë lejojnë që çdo person, kompani apo organizatë që pëson ndonjë lloj dëmtimi mjedisor për shkak të sjelljes së pamatur të dikujt, ta padisë autorin dhe të kërkojë dëmshpërblim ose kthim në gjendjen fillestare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button