Rritja e numrit të të infektuarve dhe të vdekurve nuk është si pasojë e vaksinimit

Duke e parë pasqyrën e plotë dhe duke e marrë parasysh kontekstin e shifrave të prezantuara, në asnjë mënyrë nuk mund të nxirret përfundim se vaksinat janë shkaktare për rritjen e numrit të të infektuarve dhe vdekjeve. Edhe pse ekziston mundësia që një person i vaksinuar të infektohet me koronavirus, vaksina mbron nga format e rënda të sëmundjes dhe në një masë të madhe parandalon zhvillimin e një pasqyre të rëndë klinike të sëmundjes, shtrimin në spital dhe vdekjen. Prandaj, vaksina jo vetëm që nuk është fajtore për rritjen e numrit të të vdekurve, por përkundrazi, shpëton jetë, shkruan Vërtetëmatësi

Postim në Facebook  i mashtron përdoruesit e rrjeteve sociale sikur krahasimi i numrave të të sapoinfektuarve dhe të vdekurve nga koronavirusi në muajin shtator të vitit 2020 dhe në shtator të vitit 2021 tregon se vdekjet ndodhin si pasojë e vaksinimit. 

Krahasim i rasteve të vdekjes, vjet dhe këtë vit. Vitin e kaluar nuk kishim vaksinë, e tani kemi. A do kenë guximin ta pranojnë se rritja e numrit të vdekjeve vjen si rezultat i vaksinave?? Për fat të keq kjo ndodh edhe në Britaninë e Madhe, edhe në SHBA edhe në Australi..
Deri kur do e lejojmë një gjë të tillë? 

Të dhënat të cilat e shoqërojnë postimin në formë të një fotografie, vërtetë janë marrë nga Ministria e shëndetësisë, por nuk mund të interpretohen pa patur një kontekst adekuat, që në këtë postim mungon. Nuk mund të nxirret asnjë përfundim vetëm duke prezantuar të dhëna pa dhënë një sqarim më të gjerë për situatën nga e cila janë nxjerrë ato të dhëna.  

Kështu, shtatori i vitit 2020 dhe shtatori i vitit 2021 dallojnë për kah shumë gjëra, dhe këto dallime ndikojnë edhe tek shifrat që i kemi. 

Është me shumë rëndësi të thuhet se në shtator të vitit 2020, përveç se që nuk kishim vaksina, nuk e kishim as llojin Delta të koronavirusit, që fillimisht u shfaq në Indi kah fundi i vitit të kaluar. Qendra amerikane për parandalim dhe kontroll të sëmundjeve (CDC), në fund të muajit korrik publikoi një hulumtim me të cilin vërtetohet se lloji Delta është shumë më infektiv nga llojet e tjera të koronavirusit. 

Lloji Delta është po aq ngjitës sa edhe lija e dhenve (variçella) dhe mund të përhapet edhe tek personat e vaksinuar edhe tek ato të pavaksinuarit. Lija e dhenve mund të përhapet nëpërmjet të ajrit në largësi prej vetëm disa metrash. 

CDC e thekson vaksinimin si mbrojtjen më të mirë kundër llojit që „është aq infektiv sa që vepron si një lloj tjetër, i ri i virusit, duke u përhapur më shpejt se ebola e se gripi“. Nga CDC edhe atëkohë theksuan se  „lufta me koronavirusin ka ndryshuar“. 

Për këtë paralajmëruan edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (ОBSH): 

Pas 11 javësh rënie të numrit të infeksioneve në Evropë, përsëri kemi një rritje të numrit si rezultat të llojit Delta të virusit, që do bëhet dominant deri kah fundi i gushtit, por për dallim nga viti i kaluar këtë vit kemi vaksina efikase dhe mundësi për ta evituar përkeqësimin e mëtejmë“,tha Hans Kluge nga OBSH pasi vizitoi qendrën e vaksinimit kundër Kovid-19 në Lubjanë.  

Situata nga muaji shtator i vitit 2020 dhe muaji shtator i vitit 2021 dallon dhe sipas masave të zbatuara nga Qeveria si pjesë e protokolleve për mbrojtjen e popullatës nga infektimi me koronavirusin. 

Kopshtet e fëmijëve nuk punonin deri më 9 shtator të vitit 2020, ndërsa viti shkollor filloi në tetor. Për ta ndaluar përhapjen e virusit në fuqi ishte ndalesа për organizimin e eventeve me muzikë (dasmave, mbrëmjeve të maturës, kremtimeve fetare, etj). 

Deri më 23 shtator të vitit 2020 nga puna u liruan edhe prindërit e fëmijëve deri në moshën gjashtë vjeçare për shkak të mosfunksionimit të kopshteve të fëmijëve, ndërsa deri në 23 shtator zgjati edhe pushimi i vazhduar i lindjes. 

Pothuajse deri nga fundi i shtatorit të vititr 2020 (22 shtator) nuk punonin kinematë, teatrot, opera dhe baleti, nuk kishte as manifestime me projeksione filmike, projekte multimediale, festivale dhe manifestime të tjera nda veprimtaria kulturore. 

Për dallim nga atëherë, këtë verë u lejuan të gjitha llojet e kremtimeve edhe në mjedise të mbyllura edhe në mjedise të hapura, gjë që ndikoi në rritjen e transmisionit të virusit dhe rritjen drastike të numrave të të infektuarve. Masat që u zbatuan dhe që ishin që fuqi këtë shtator, vlenin vetëm për personat e pavaksinuar. Për hyrje në objektet hotelierike nuk ka kurrëfarë kufizimi për personat e vaksinuar të cilët duhet të tregojnë çertifikat për pranimin e të paktën një doze të vaksinës kundër Kovid-19. E njëjta gjë vlen edhe për organizimin e llojeve të tjera të manifestimeve, si dhe për organizimin e eventeve. 

Nga data 1 shtator e vitit 2021 u soll vendimi që për hyrje dhe dalje nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut të gjithë detyrimisht duhet të kenë çertifikatë/vërtetim që i kanë pranuar vaksinat kundër SARS-CoV-2, ose që janë shëruar nga Kovid-19 në 45 ditët e fundit duke filluar nga dita e shërimit ose marrjes së testit PCR negativ ose testit të shpejtë për antigjene. Por, këto masa filluan të zbatohen në shtator, ndërkohë që shifrat që i shohim për muajin shtator janë rezultat i lirimit të masave gjatë verës, si edhe si rezultat i sezonit turistik kur kishte një numër të madh të personave që hynë e që dolën nga vendi. 

Të dhënat mbi të cilat bazohet kjo, si dhe shumë publikime të tjera antivaksere të publikuara ditëve të fundit, burojnë nga një kronikë televizive. Por, në postimet në Facebook është dhënë vetëm një pjesë e vogël e poentës kryesore të kronikës, e që është kundërargument për të gjitha postimet në rrjetet sociale.  

Kronika ka të bëjë me numrin e personave të sëmurë nga koronavirusi që nuk kanë qenë të vaksinuar dhe që kanë qenë të vaksinuar. Një e dhënë e rëndësishme në kronikë është se 77% e rasteve të reja dhe 79% e hospitalizimeve me Kovid-19 janë në mesin e personave  pavaksinuar. Sipas këtyre të dhënave të cilat i publikon Ministria e shëndetësisë, 85% e personave që kanë vdekur nga Kovid-19 kanë qenë të pavaksinuar. 

Edhe në vetë kronikën, nga e cila në mënyrë selektive janë marrë vetëm të dhëna të caktuara për tu publikuar në rrjetet sociale, përfundimi është se „për momentin arma e vetme kundër Kovid-19 është vaksinimi“. 

Duke e parë pasqyrën e plotë dhe duke e marrë parasysh kontekstin e shifrave të prezantuara, në asnjë mënyrë nuk mund të nxirret përfundim se vaksinat janë shkaktare për rritjen e numrit të të infektuarve dhe vdekjeve.  

Edhe pse ekziston mundësia që një person i vaksinuar të infektohet me koronavirus, vaksina mbron nga format e rënda të sëmundjes dhe në një masë të madhe parandalon zhvillimin e një pasqyre të rëndë klinike të sëmundjes, shtrimin në spital dhe vdekjen. Prandaj, vaksina jo vetëm që nuk është fajtore për rritjen e numrit të të vdekurve, por përkundrazi, shpëton jetë. 

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button