Harmonizimi i ligjeve të transportit 

Qoftë gjatë vitit 2022 apo një ditë, Maqedonia e Veriut do t’i nisë bisedimet me BE-në. Këtu, kjo qeveri dhe të tjerat që do të vinë kanë shumë punë për të bërë në hapjen dhe mbylljen e kapitujve të BE-së. Shkurt, duhet t’i harmonizojnë mirë ligjet kombëtare me ato të BE-së. Dhe kjo nuk është vetëm një përshkrim i tyre me ligjet e shtetit të MV-së, por zbatimi i tyre në praktikë që kanë ndikim në jetën e përditshme të banorëve të shtetit të varfër e me korrupsion të lartë. Le t’i hedhim një vështrim një kapitulli mjaft të rëndësishëm jo vetëm për Ballkanin, por edhe për Maqedoninë e Veriut. Kapitulli i 15 i legjislacionit të transportit i BE-së thotë: “Ky ligj synon përmirësimin e funksionimit të tregut të brendshëm duke promovuar shërbime transporti të sigurta, efikase dhe të qëndrueshme ndaj mjedisit dhe miqësore për përdoruesit. Më tej thuhet se ky ligj mbulon sektorët e transportit rrugor, hekurudhave, rrugëve ujore të brendshme, transportit të kombinuar, aviacionit dhe transportit detar”. Ky ligji ka të bëjë me standardet teknike dhe të sigurisë, standardet sociale, kontrollin e ndihmës shtetërore dhe liberalizimin e tregut në kontekstin e tregut të brendshëm të transportit. Siç vërehet ligji është shumë i shkurtër dhe kjo mund të duhet si mahi për Shkupin zyrtarë, pasi me dekada qeveritë e MV-së kanë folur për Evropën dhe asgjë nuk kanë bërë në ndërtimin e rrugëve të mira, të sigurta dhe me standarde në tërë territorin e republikës. Viteve të fundit qeveria ka bërë disa përmirësime në pjesën lindore dhe jugore të vendit duke i përshtatur autostradat dhe hekurudhat deri diku me ato të vendeve fqinjë. Gjendja paraqitet e keqe në pjesën tjetër të shtetit në atë veri-perëndimore, ku që nga koha e Titos nuk është investuar në sigurinë e rrugëve magjistrale dhe atyre rajonale. Të mos flasim për hekurudhën që lidh Shkupin me Kërçovën ku treni i viteve të 50-ta ende lëviz në rajonet ku nuk ka shenja të sigurta të sinjalizimit.

Rastet fatale nëpër autostradat e pasigurta dhe në hekurudhat për tre dekada i kemi të njohura. Aksidentet e shumta nuk kanë vetëdijësuar organet qeveritare dhe lokale për investime në infrastrukturën rrugore dhe të hekurudhave e të mos flasim më për atë ajror ku dy tragjeditë e viteve të 90-ta që ndodhën në MV mbetën ende të pazgjidhura. Edhe pak ato investime apo arnime të rrugëve që janë bërë në pjesën veri-perëndimore, janë bërë janë jashtë kritereve të BE-së, apo atyre moderne. Koha ka treguar se po të njëjtat paraqesin rreziqe të reja për sigurinë e vozitësve dhe të pasagjerëve e këto qofshin të riparuara si rrugë automobilistike apo si ura që lidhin pjesë të dy brigjeve.

Korrupsioni i thellë që ka ndodhur me dekada dhe që vazhdon ta ngulfasë këtë vend, tash ka shpërthyer në të gjitha anët. Sa zyrtarë të lartë të organeve shtetërore janë prekur nga ndikimi i parave të oligarkëve për të kontrolluar jo vetëm një vendkalim kufitar po më shumë? Është koha që qeveria të tregohet më serioze duke filluar nga MPB-ja, Prokuroria, Gjykatat dhe organet tjera hetuese. Sepse korrupsioni dhe shkelja e vazhdueshme e ligjeve më nuk mund të fshihet. Nëse kjo qeveri e ka ndërmend ta bëjë këtë vend të duket si një shtet dhe shoqëri evropiane, atëherë duhet t’ia nisë punës bashkë me ministritë dhe institucionet. Përveç aspektit ligjor, me rëndësi është që komunikacioni rrugor të jetë i sigurt dhe t’i përmbushë kushtet e BE-së apo qoftë të një shteti si Serbia, Turqia, ose fundja të rrugëve të Kosovës dhe të Shqipërisë. Ndryshe është e turpshme që një pjesë e banorëve të MV-së të qarkullojnë në autostradat e shokut Tito që dikur ishin të mira, por tash janë jashtë kritereve dhe asaj çka shohim në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim.

Përveç kësaj, organet gjegjëse nuk duhet të bëjnë lëshime ndaj kompanive qofshin nacionale, multinacionale apo lokale në injorimin e ligjeve dhe ikjen nga përgjegjësia. Këtu pa dyshim se roli i korrupsionit është vendimtar në tendencat për shkeljen e normave nga vozitësit e automjeteve dhe prej pronarëve të kompanive. Në një shtet normal me pak pamje evropiane dhe të një vendi kandidat për në BE shkelje të tilla ligjore nuk duhet të ndodhin. Shteti gjithsesi duhet të investojë në rrugë, shëndetësi dhe arsim duke i bërë të sigurta të gjitha mjetet, autostradat dhe rrugët tjera të transportit. Siguria e pasagjerëve, e vozitësve dhe aktorëve tjerë përbëjnë një union të njëjtë që bashkëveprojnë në një sistem të organizuar automobilistik, hekurudhor, ajror dhe detar, ku shteti bashkë me organet përkatëse duhet të jenë të drejtë, të veprojnë shpejtë dhe aspak të jenë të korruptuara. Përndryshe BE do të jetë larg për ne dhe shumë afër do të gjendemi vendeve me kushte të ulëta jetese, pasiguri maksimale ku jeta e njeriut nuk do të çmohet nga askushi e pikësëpari nga shteti. Natyrisht në një shoqëri të tillë numri i viktimave të pafajshme do të rritet, pasi rendi dhe ligji nuk funksionon dhe jeta e njeriut shihet nga këndi etnik dhe fetar. A është duke shkuar Maqedonia e Veriut në këtë drejtim? Të presim 2022 nëse do të sjellë ndryshime ose do të vazhdohet me të vjetrën.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button