fbpx

Besimi: Përkrahje shtesë për fermerët përmes fondi të ri dhe më shumë mjete për zhvillimin e gjelbër

Fondi i ri intervenues për përkrahjen e fermerëve do të formohet në vitin 2022. Mjetet në vlerë prej 250 milionë denarë janë siguruar me intervenim të amendamenteve të Propozim buxhetit për vitin 2022, për të cilin vazhdon debati në Komisionin amë parlamentar.

“Përmes diskutimit me anë të argumenteve të fuqishme mund të arrijmë një zgjidhje. “Të gjithë jemi të vetëdijshëm se bujqësia është një sektor i rëndësishëm në ekonominë tonë dhe se ka nevojë të intervenohet kur tregu është i çekuilibruar, veçanërisht kur çmimet janë në atë nivel ku fermerët nuk mund t’i mbulojnë shpenzimet”, tha ministri i Financave Fatmir Besimi në kuadër të debatit lidhur me amendamentet, i cili filloi në Komisionin amë parlamentar.

Ai theksoi se formimi i Fondit intervenues në Agjencinë për përkrahje të bujqësisë dhe zhvillimit rural në vitin 2022 do të përkrahë standardin e fermerëve.

Ky do të jetë instrument shtesë i subvencioneve tashmë ekzistuese në bujqësi, të cilat përndryshe në vitin 2020 dhe 2021 ishin në nivelin më të lartë deri më tani. Në vitin 2020 në kushtet e pandemisë janë paguar 8.8 miliardë denarë, ndërsa në vitin 2021 me rishikimin e buxhetit janë ndarë 8.5 miliardë denarë.

Në kuadër të diskutimit, ministri tha se ka trend në rritje sa i përket mjeteve për zhvillimin e gjelbër.

“Në vitin 2021 për herë të parë në buxhet vendosëm programin për zhvillim të gjelbër i cili ishte planifikuar në vlerë prej 685 milionë denarë, ndërsa në vitin 2022 mjetet janë projektuar në 3.6 miliardë denarë. Përgjithësisht, ka trend në rritje të mjeteve për zhvillimin e gjelbër dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor. Kështu, në vitin 2018 mjetet ishin në nivel prej 980 milionë denarë, në vitin 2019 – 1.1 miliardë denarë, 2020 – 1.5 miliardë denarë, 2021 – 2 miliardë denarë dhe për vitin e ardhshëm në vitin 2022 janë projektuar 3.6 miliardë denarë”, shtoi Besimi.

Gjithashtu, me programin e ri, vetëm për ndotjen e ajrit janë paraparë 1.7 miliardë denarë.

Ministri theksoi se përmes Bankës Botërore janë siguruar mjete për efikasitetin energjetik sa i përket objekteve publike. Me anë të 25 milionë eurove të parapara do të përmirësohet efikasiteti energjetik i ndërtesave publike, përfshirë institucionet shëndetësore, ndërsa projekti përfshin zëvendësimin e mënyrës së ngrohjes së ndërtesave, me qëllim që ato të bëhen ekologjike.

Projekti do të fillojë të realizohet në vitin 2022, ndërsa në proces e sipër janë aplikimet nga komunat.

Debati për amendamentet e parashtruara, i cili ka nisur dje, sipas Rregullores, zgjat pesë ditë. Në propozim buxhet janë parashtruar gjithsej 223 amendamente.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button