Kosovë, studimet e gjuhës serbe pas dy dekadash në Prishtinë

Zarife Çoçaj, 32 vjeç, nga Prizreni, gjithmonë ka dëshiruar që të bëhet përkthyese profesionale, ndërkaq tashmë e ka rastin që ta realizojë ëndrrën e saj, duke marrë parasysh se është regjistruar në drejtimin e Ballkanistikës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, transmeton REL.

“Edhe pse nuk kam përvojë si përkthyese e gjuhës serbe në atë shqipe, në të ardhmen e shoh veten si përkthyese.”tha Çoçaj.

Ballkanistika është një program studimor katërvjeçar, i cili është hapur në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës që nga ky vit akademik, me qëllim, ndër të tjera, që të promovojë komunikimin ndërgjuhësor dhe ndërkulturor në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kjo, gjithashtu, do të thotë se gjuha serbe po mësohet për herë të parë që nga viti ’99 në Universitetin e Prishtinës, në mësimdhënien që funksionon sipas sistemit arsimor të Kosovës. Por, në Kosovë funksionon si i ndarë edhe sistemi arsimor i Serbisë dhe në Mitrovicën e Veriut, në veri të Kosovës, ku popullsia serbe është shumicë, funksionon i ashtuquajturi Universitet i Prishtinës, i cili punon në bazë të planit dhe programit të Serbisë. Këto dy universitete, aktualisht, nuk kanë asnjë pikë kontakti ndërmjet tyre.

Megjithatë, për studentët e Ballkanistikës, mësimi i gjuhëve është mundësi për të mësuar gjuhën e fqinjit dhe që popujt e rajonit të mund të kuptohen dhe afrohen më lehtë.

“Është e dobishme të kuptohemi me njëri-tjetrin, para së gjithash dhe që për këtë nuk duhet të jetë vetëm gjuha angleze. Besoj se (Ballkanistika) do të jetë e dobishme për brezat e rinj”, shton Çoçaj.

Kurrikula e programit të studimeve në drejtimin e Ballkanistikës parashikon që përveç gjuhës shqipe dhe serbe, studentët të zotërojnë mirë edhe një nga gjuhët ballkanike, si boshnjakishtja, kroatishtja apo maqedonishtja. Gjithashtu, në vitin e katërt, studentët do të kenë mundësi të mësojnë një gjuhë ballkanike shtesë, sipas zgjedhjes, pra greqisht ose bullgarisht.

Teuta Kastrati nga Prishtina, për dallim nga Zarife Çoçaj, ka përvojë në përkthimin nga shqipja në serbisht dhe anasjelltas, por gjithsesi ka dashur të përgatitet profesionalisht për këtë profesion.

Për këtë arsye, ajo, në moshën 52-vjeçare, ka regjistruar studimet për Ballkanistikë, ndonëse qëmoti i ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik. Ajo konsideron se ky departament në kuadër të Fakultetit të Filologjisë, është dashur që të hapet më herët, sepse “Kosova është shoqëri multikulturore”.

“Ka për t’u pranuar në të ardhmen (programi i Ballkanistikës) nga ana e gjeneratës së re në Kosovë”, thekson Teuta Kastrati.

Këtë vit, në Ballkanistikë janë regjistruar gjithsej 11 studentë nga Kosova, njëri prej të cilëve është Bojan Stamenkoviq, serb nga Kamenica, qytet në afërsi të Gjilanit.

Stamenkoviq tashmë e njeh mirë gjuhën shqipe dhe nuk e ka problem që edhe ligjëratat t’i ndjekë në këtë gjuhë. Është regjistruar në Ballkanistikë, në mënyrë që në të ardhmen të jetë përkthyes profesionist dhe planifikon të jetë ligjërues i gjuhëve zyrtare.

“Realisht, për mua është e njëjtë nëse (ligjëratat) janë në gjuhën shqipe apo serbe. Natyrisht, tani është më e gjerë, ka terminologji të re, por duket interesante. Si nxënës të zellshëm, mezi presim çdo ligjëratë”, thotë Stamenkoviq.

Ai iu sugjeron bashkëkombësve të tij që ta shfrytëzojnë këtë rast dhe në vitin e ardhshëm të regjistrohen në Ballkanistikë.

“Pasi që mësuan se jam regjistruar në Ballkanistikë, interesimin e kanë shfaqur të paktën edhe tre apo katër të tjerë nga rajoni prej nga jam unë dhe të cilët kanë kryer fakultete, por kanë dëshirë që të regjistrohen edhe në Ballkanistikë. Besoj që vitin e ardhshëm do t’i kem edhe të paktën tre kolegë nga Kamenica”, tregon Stamenkoviq.

Studentët e Ballkanistikës i ndjekin ligjëratat në gjuhët: serbe, kroate, shqipe dhe angleze. Tani për tani, ligjëratat mbahen në formatin online, por është planifikuar që ligjëratat të organizohen në fakultet, në Prishtinë, me prani fizike të studentëve.

Ballkanistika si model i afrimit

Përveç profesorëve nga Kosova, në këtë departament janë edhe profesoresha Ana Sivaçka nga Beogradi dhe Josip Lasiq nga Kroacia.

“Meqenëse në Ballkanistikë studiohen gjuhët ballkanike, në mesin e së cilave shqipja dhe serbishtja krah për krah, rëndësia e këtij programi reflektohet në faktin se ai u jep studentëve mundësinë të njihen me gjuhën dhe kulturën e fqinjëve në Ballkan, gjë që është me rëndësi të paçmueshme për përmirësimin e komunikimit dhe bashkëpunimit”, thotë Ana Sivaçki.

Ajo u ligjëron studentëve, në vitin e parë të Ballkanistikës, Fonetikën dhe Fonologjinë e gjuhës moderne ballkanike.

Siç sqaron ajo, për studimet e Ballkanistikës janë regjistruar studentët, të cilët përveç gjuhës amtare shqipe, nuk flasin asnjë gjuhë tjetër të Ballkanit, por siç thekson ajo, ka edhe nga ata që janë “folës të avancuar”.

Për këtë shkak, studentët, tani për tani, janë ndarë në dy grupe dhe planprogrami është plotësisht i përshtatur me këtë situatë.

“Një mënyrë e tillë e punës kërkon angazhim shtesë të profesorëve, sidomos duke pasur parasysh që për mësimin, le të themi, serbisht ose kroatisht, pothuajse nuk ka materiale mësimore në gjuhën shqipe. Por, një qasje e tillë është e nevojshme për të arritur një nivel të lartë të cilësisë së mësimdhënies”, thekson Ana Sivaçki.

“Studentët në Ballkanistikë do të kenë dobi të shumëfishta”

Sivaçki, gjithashtu, thekson se ky program studimi është përshtatur me nevojat e tregut të punës dhe me faktin që ai “zhvillon aftësitë e nevojshme për cilësinë e kryerjes së një sërë punësh që janë shumë tërheqëse sot”.

“Ato mbulojnë fushat e interpretimit dhe përkthimit, marketingut, gazetarisë, punës në institucione qeveritare, organizata ndërkombëtare dhe kompani private”, thotë ajo.

Këtë e thekson edhe koordinatorja e programit të studimeve të Ballkanistikës, Seniha Krasniqi.

“Të mos harrojmë hulumtimin, i cili është bërë nga zyra e IOM-it (Organizata Ndërkombëtare për Migracionin). Ka nevojë të madhe për përkthyes për gjuhët zyrtare në Kosovë (shqip dhe serbisht). Rezultatet e hulumtimit tregojnë se për pesë vjet do të nevojiten mbi 100 përkthyes të gjuhës serbe në shqip dhe anasjelltas”, thotë Krasniqi dhe shton se ky profesion është ende në deficit të madh.

Ajo thotë se ata që do të diplomohen në Departamentin e Ballkanistikës do të mund të punojnë si studiues apo ekspertë në fushën e gjuhëve dhe kulturës ballkanike.

Në bazë të të dhënave në faqen zyrtare të Fakultetit Filologjik, të gjithë ata që përfundojnë studimet në Ballkanistikë, do të mund të punojnë si përkthyes të njërës prej gjuhëve ballkanike, të jenë mësues të gjuhëve zyrtare në Kosovë, këshilltar dhe hulumtues për marrëdhëniet ndërkulturore ndërmjet njerëzve në Ballkan, për organizatat qeveritare dhe joqeveritare ose të jetë ekspert rajonal të komunikimit në sektorin publik ose privat.

Pse Ballkanistika u hap dy dekada pas luftës?

Programi i Ballkanistikës u akreditua për herë të parë në vitin 2015, por pa sukses, sepse në atë kohë Universiteti nuk mund të gjente staf profesional.

Ndërkohë, për hapjen e këtij programi në Universitetin e Prishtinës pasuan përgatitje më intensive, ndërkaq që mbështetja erdhi nga Ambasada amerikane në Kosovë, nga Mbretëria e Bashkuar dhe Kroacia, si dhe nga Zyra e Komisionerit për Gjuhët, e cila funksionon në kuadër të Qeverisë së Kosovës.

Profesoresha Ana Sivaçki thekson se mosnjohja e gjuhës është një nga pengesat kryesore për ndërveprimin dhe bashkëjetesën e komuniteteve të ndryshme në Kosovë. Ajo rithekson se, nëse shikohet perspektiva e gjerë dhe i gjithë tregu ballkanik, mundësitë për punësim dhe bashkëpunim rriten në mënyrë dramatike me njohuritë gjuhësore.

“Me këtë hapen mundësitë për ndërlidhje, rrjetëzim dhe bashkëpunim jo vetëm në nivel të Kosovës, por edhe në mbarë rajonin. Në këtë kuptim, mësimi i gjuhëve është hapi i parë për t’u afruar, veçanërisht kur bëhet fjalë për të rinjtë. Mbi një bazë të tillë, marrëdhëniet e mira zhvillohen më tej në praktikë, prishen paragjykimet dhe stereotipet dhe krijohen lidhje në nivele të ndryshme – sociale, ekonomike, kulturore e shumë të tjera”, thotë Sivaçki.

Edhe koordinatorja e këtij programi studimor, Seniha Krasniqi, vlerëson se “mësimi i çdo gjuhe të re është i dobishëm” dhe shton se “gjuhën e fqinjëve mund ta ktheni në përfitime praktike financiare, përmes punësimit”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button