RMV, mes shumicës stabile dhe zgjedhjeve të parakohshme

Partia më e madhe nga radhët e pushtetit LSDM, e cila mbrëmë i shpalli zgjedhjet brendapartiake për kryetarin e ri, thanë se shumica parlamentare është stabile, që aktualisht është 61 deputetë dhe se pret që të krijohen mundësi për zgjerim të mëtejshëm, kështu duke pasur mundësi për hyrje të Alternativës në Qeveri. Kryesia Qendrore e Alternativës e ka autorizuar kryetarin Afrim Gashin që  të negociojë me kryeministrin Zoran Zaev ose eventualisht me mandatarin e ri për përfshirjen e tyre eventuale në Qeveri. BDI-ja është e pavendosur nëse do e pranojë kryetarin e ri të LSDM-së, për Alternativën thonë se  çdo parti progresive është e mirëseardhur në Qeveri. VMRO kërkon zgjedhje të parakohshme ndërkaq nga Aleanca për Shqiptarët nuk kanë ende qëndrim për zhvillimet e fundit deri sa të ketë vendim përfundimtar, shkruan Portalb.mk.

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë mbrëmë pas mbledhjes të Këshillit Ekzekutiv dhe Kryesisë Qendrore pranuan dorëheqjen e liderit të kësaj partie Zoran Zaev. LSDM-ja do të mbajë zgjedhjet brenda partisë për kryetarin e ri me 12 dhjetor.

Sot, zëvendësministri aktual i Financave dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, shpalli kandidaturën për kryetar të ri të LSDM-së.

Nga mbledhja e mbrëmshme, Zaev informoi se shumica parlamentare është stabile, që aktualisht është 61 deputetë dhe se pret që të krijohen mundësi për zgjerim të mëtejshëm, kështu duke pasur mundësi për hyrje të Alternativës në Qeveri.

“Komiteti Qendror vlerëson se ka vend për bisedime për anëtarësim në Alternativën në bazë të parimeve, vlerave dhe programit.” thanë nga LSDM.

Alternativa pas mbledhjes së mbrëmshme njoftuan se Kryesia Qendrore e Partisë  ka autorizuar kryetarin Afrim Gashi që të negociojë me kryeministrin Zoran Zaev ose eventualisht me mandatarin e ri për përfshirjen e tyre eventuale në Qeveri.

“Kryesia Qendrore e Partisë ka autorizuar kryetarin që të komunikojë me të gjithë autorët politik, në këtë rast edhe kryeministrin aktual, por edhe eventualisht mandatarin e ri, për të parë se cili është koncepti i tyre për të dalë nga kjo krizë. Ne do ta dëgjojmë versionin e tyre të zgjidhjes së këtij ngërçi, do të shohim se a ka gatishmëri për program të përbashkët qeveritar, dhe a ka gatishmëri që në emër të këtyre synimeve partnerët e deritanishëm qeveritarë të heqin dorë nga një pjesë e pushtetit të tyre, për të krijuar një ekuilibër të ri.” thanë nga Alternativa.

Vendimi final sipas Alternativës do të merret nga Kuvendi Qendror i Alternativës, pas negociatave me ekzekutivin.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim nuk janë të vendosur nëse do e pranojnë për mandat kryesuesin e ardhshëm nga LSDM-ja. Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, sot para mediave deklaroi se Zaev është tejet i nevojshëm në Qeveri për ecjen e proceseve.

Grubi tha se në lidhje me Alternativën kontakte të vazhdueshme ka kryeministri Zaev dhe i informon në çdo kohë, por edhe ata vetë kanë kontakte me anëtarët e partisë, dhe se çdo parti progresive është e mirëseardhur në Qeveri.

“Të gjithë ata deputetë që dëshirojnë Maqedoni progresive janë të mirë se ardhur sepse vetëm kështu mund ta çojmë përpara shtetin. Nuk është koha për krizë, koha është të përveshim mëngët, ashtu siç bëmë për NATO, për Marrëveshjen e Prespës. Konsiderojmë se shumica parlamentare do të stabilizohet dhe duhet ta përfundoj mandatin deri në vitin 2024. Për zgjedhje të parakohshme parlamentare mund të diskutohet bashkërisht me ato presidenciale të cilat duhet të mbahen në vitin 2024 në prill ose maj. ” tha Artan Grubi.

Nga VMRO-ja opozitare për zgjedhjen e liderit të ri të LSDM-së thanë se nuk do të zgjedhin lider të ri, por vazhdimin e zaevizmit.

“Zaevit i duhet një njeri që do ta vazhdojë zaevizmin dhe do t`i mbrojë bizneset e familjes Zaev. Nuk zgjedh LSDM-ja, por Zaevi. Ai tashmë ka zgjedhur kandidatin që anëtarët e partisë duhet që vetëm ta votojnë.” tha deputeti nga VMRO, Dragan Kovaçki.

Menjëherë pas shpalljes së kandidaturës të Dimitar Kovaçevskit për kryetar të LSDM-së reaguan edhe nga VMRODPMNE, nga atje thanë se Dimitar Kovaçevski është pengu i Zaevit dhe nuk është kuadër i ri.

“Ai është njeriu që duhet të vazhdojë me politikat katastrofike dhe kriminale të LSDM-së.” thanë nga VMRO.

Nga atje thanë se nuk mjafton që Zaevi të mos jetë Kryeministër dhe lideri i LSDM-së, por se vendit i duhen zgjedhje të parakohshme dhe Qeveri e re, që sic thonë, gjërat të ndryshojnë në mënyrë thelbësore. Por për LSDM-në dhe BDI-në siç ato thonë shumica parlamentare vazhdon të mbetet stabile.

Ndërkaq nga Aleanca për Shqiptarët të cilët janë në koalicion me Alternativën, nuk kanë dale ende me qëndrim për zhvillimet  e fundit në skenën politike deri sa të ketë vendim përfundimtar.

Kujtojmë se, pas paralajmërimit për dorëheqje të Zaevit, vendi u fut në krizë politike, pasi Pas kësaj, opozita maqedonase dorëzoi iniciativë për votim të mosbesimit të Qeverisë, ndërsa në listën e kësaj iniciative ishin nënshkruar edhe deputetët e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Lëvizjes Besa dhe “Të majtës”, me çka ishin siguruar 61 deputetë për rrëzim të Qeverisë. Megjithatë, deptueti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi nuk u paraqit në seancën ku duhej të diskutohej dhe të votohej për mosbesimin e Qeverisë, me çka opozita nuk arriti të sigurojë kuorum as për të filluar seancën dhe me këtë, mocioni dështoi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button