Dy nga të lënduarit në aksidentin e autobusit po kthehen në shtëpi, transporti i eshtrave pritet javën e ardhshme

Fillon kthimi në vend i të lënduarve në aksidentin e autobusit në autostradën “Struma” në Bullgari. Dy të shtruarit e parë në spitalin e Sofjes “Pirogov” do të lirohen sot, dy të tjerë nesër, dy më 30 nëntor dhe një person më 1 dhjetor. Të lënduarit janë në gjendje të mirë dhe stabile shëndetësore, transmeton 360 Shkallë.

Qytetari me shtetësi serbe, siç ka bërë të ditur dje ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në organizim të Ministrisë së Shëndetësisë do të transferohet në Serbi, ndërsa i yni në Shkup. Të lënduarit fillimisht do të vendosen në ambientet shëndetësore derisa të lirohen për trajtim shtëpiak.

Për bartjen e eshtrave duhet të përgatitet një plan veprimi nga Grupi Punues i formuar nga Qeveria dhe në krye me Osmanin. Të gjitha shpenzimet e transportit dhe varrosjes së viktimave i bartë Qeveria.
Gjatë kontrollit shtesë të kryer ditën e djeshme nga hetuesit e Shërbimit Hetimor Kombëtar Bullgar, një tjetër trup i një fëmije është gjetur në autobusin e djegur të “Besa Trans” në autostradën “Struma”. Me këtë, numri i trupave të gjetur në autobus u rrit në 45.

Një zëdhënës i kryeprokurorit të Bullgarisë, Siyka Mileva, tha në një konferencë për shtyp të enjten se 44 trupa ishin gjetur në vendin e aksidentit, duke shtuar se një nga pasagjerët e mbijetuar i kishte thënë asaj se si kishte thyer xhamin e autobusit dhe tha se kishte tetë të shpëtuar në vend se shtatë.

Ambulanca e Sofjes konstaton se shtatë pasagjerë të lënduar nga vendi i aksidentit janë transportuar në spitalin e Sofjes “Pirogov”.

Dilema për “pasagjerin e tetë” u zgjidh pasi u konfirmua nga Sofja se në listën e pasagjerëve të lënduar nga aksidenti ishte futur gabimisht një person shtetas bullgar. Ai i është drejtuar redaksisë së “24 Çasa”, duke sqaruar se nuk ka lidhje me aksidentin në autostradën “Struma”. Ai tha se ishte një shtetas bullgar dhe ishte shtruar në Repartin e Traumatologjisë të Spitalit Urgjent Pirogov në Sofje të shtunën me një krah të thyer.

Duke qenë se emri i tij ishte në listën e pasagjerëve të lënduar nga aksidenti i autobusit Besa Trans, rezulton se gabimisht është futur në atë listë nga klinika, thekson “24 Çasa”, duke shtuar se tashmë ka dalë nga spitali.

Përfaqësues të Prokurorisë Publike të Bullgarisë ndodhen në vend dhe sot në Prokurorinë Publike të RMV-së do t’i dorëzohen analizat e ADN-së nga familjarët e të vdekurve, së bashku me dokumentacionin e siguruar deri më tani, kryesisht dokumentet e sekuestruara nga “Besa Trans” dhe të dhëna nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Siç informoi dje prokurori publik shtetëror Ljubomir Joveski, në ekspertizën për vërtetimin e identitetit nga analiza e ADN-së do të marrin pjesë dy përfaqësues të Mjekësisë Ligjore, vetëm siç tha ai “me qëllim të përshpejtimit të procedurës”.
Prokurori Joveski thotë se nuk ka dyshim për gjetjen e një trupi tjetër, sepse nga pamjet shihet se autobusi është shumë i dëmtuar.

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dje në lidhje me informacionin e fundit që ka arritur në MPB nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Kriminologjisë, informoi se material biologjik është siguruar nga familjarët e 44 pasagjerëve. Ky material do t’i dorëzohet shërbimeve kompetente në Bullgari, të cilat do të bëjnë lidhjen nga familjarët me mbetjet e gjetura, ndërsa për pasagjerin e 45-të është siguruar materiali biologjik në Sofje.

Spasovski bën të ditur se autobusi i “Besa Trans” ka qenë teknikisht në rregull. Kontrolli i fundit teknik është bërë më 5 të muajit të kaluar. Ai iu referua edhe detajeve të aksidentit. Ai tha se me datë 23.11.2021 ekipi i MPB-së ka qenë i pranishëm në vendin e aksidentit të trafikut që ka ndodhur në autostradën A-3, segmenti Sofje – Dupnicë në Republikën e Bullgarisë.

Pas përpjekjes së djeshme të pasuksesshme të inspektorëve për të kryer kontroll të jashtëzakonshëm në ndërmarrje, ministri Spasovski në konferencë për media konfirmoi se kontrollet po bëhen jo vetëm në objektet e “Besa Trans”, por edhe në lokacione të tjera për të siguruar dëshmi.

Sipas informacioneve fillestare, autobusi pas goditjes së parë u dogj vetë, ndërsa arsyet ende po vërtetohen. “Besa Trans” ka pasur dy licenca. Licencën për transport ndërkombëtar ia kanë marrë, ndërsa ajo për transport urban tashmë i kishte skaduar.

Autobusi i aksidentuar ishte në drejtim të Maqedonisë së Veriut, pasi që ishte nisur nga Stambolli ku udhëtarët kishin qenë për ekskursion. Maqedonia e Veriut shpalli 3 ditë zie, ndërkaq nga të gjitha anët arrijnë telegrame ngushëllimi për familjet e viktimave.

Lajme tjera lidhur më këtë temë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button