Vrasjet në Gllogjan të Kosovës, reaguan funksionarët

Tre persona kanë vdekur nga gjuajtjet me armë zjarri drejt një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të komunës së Deçanit në orët e mbrëmjes të sotme. Spitali i Pejës ka konfirmuar për se nga të shtënat me armë zjarri në Gllogjan kanë mbetur të vdekur dy nxënës dhe shoferi i autobusit. Nxënësit e vdekur nga ky rast i përkasin moshës 19 vjeç dhe 17 vjeç, ndërsa nxënësi ilënduar i përket moshës 17 vjeçare. Njëri prej viktimave ka vdekur në vendin e ngjarjes derisa dy të tjerë më vonë, transmeton Portalb.mk.

Për këtë rast reaguan funksionarët e shtetit të Kosovës, nga Bashkimi Evropian por edhe nga Maqedonia e Veriut.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sulmin e ka vlerësuar si akt kriminal dhe ka ftuar organet e rendit që sa më shpejtë t’i zbulojnë autorët e krimit.

“Tronditës lajmi për aktin kriminal në Gllogjan, në të cilin sipas të dhënave aktuale kanë humbur jetën 3 persona dhe ka mbetur një i plagosur. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të të vrarëve dhe uroj shërim të shpejtë për të lënduarin. Ftoj organet e rendit që sa më parë t`i zbulojnë autorët e krimit dhe t`i sjellin para drejtësisë. Sulmi ndaj autobusit me nxënës është goditje ndaj rendit e sigurisë sonë. Siguria e qytetarëve është prioritet, ndaj nuk do të zmbrapsemi në përmbushjen e këtij misioni.” tha Osmani.

Albin Kurti tha së Policia është mobilizuar plotësisht për ta hetuar këtë krim.

“Sonte u tronditëm nga lajmi për sulmin me armë zjarri ndaj autobusit me nxënës në Gllogjan të Deçanit. Sipas Policisë së Kosovës nga ky sulm kanë mbetur të vrarë tre qytetarë të vendit tonë, prej të cilëve dy nxënës. Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve, shokëve e shoqeve, që humbën më të dashurit në këtë sulm. Të plagosurit i dëshirojmë shërim të shpejtë. Policia është mobilizuar me kapacitetet e saj të plota për ta hetuar këtë krim të rëndë, e për të mundësuar drejtësi.” tha Kurti.

Kryeparlamentari i Kosovës Glauk Konjufca ftoi organet e rendit që sa më parë të zbulojë autorët.

“Sonte u tronditem nga rasti tragjik i cili ndodhi në Gllogjan të Deçanit. Nga lajmet qe po lexojmë deri tani, kanë humbur jetën tre qytetarë ku dy prej tyre janë fëmijë. Bashkëndjejmë me familjarët e viktimave nga kjo ngjarje me përmasa kriminale. I nxis organet e rendit që sa më parë të zbulojnë autorët e këtij krimi të rëndë dhe t’i sjellin ata para drejtësisë. Orët janë të gjata.” tha Konjufca.

“I tronditur dhe i trishtuar nga sulmi kriminal në Gllogjan, ku kanë humbur jetën tre persona, prej të cilëve dy nxënës. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve që humbën më të dashurit e tyre, bashkëndjejmë me ju në këto momente të rënda për të gjithë ne. Apeloj që organet e rendit sa më parë, të zbulojnë e të kapin autorin e këtij veprimi të ulët kriminal.”  tha Ramosaj.

Ministrja e Drjejtësisë, Albulena Haxhiu tha se ky është një krim i rëndë mbi nxënësit dhe qytetarët.
“Në këto momente të rënda, bashkëndjejmë me familjarët e viktimave dhe lutemi për shëndetin e personave të plagosur. Ekipi i Institutit të mjekësisë ligjore është në vendin e ngjarjes dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me institucionet. Ky rast duhet të zbardhet sa më parë dhe kriminelët duhet të përballen me drejtësinë!” tha Haxhiu.

Lumir Abdixhiku, kreu i LDK-së tha se rasti është më shumë se krim.

“I trishtuar e tronditur me aktin makabër sonte në Deçan. Është më shumë se krim! Në këto momente të rënda, jemi me familjarët e viktimave dhe të lënduarve në Deçan. Ndajmë dhimbjen dhe lutjet me ta. Organet e rendit dhe drejtësisë të veprojnë shpejtë e në kapacitet të plotë. Të sjellin para ligjit e drejtësisë autorin e këtij krimi monstruoz, që sulmon një autobus të mbushur me nxënës e fëmijë.”tha Abdixhiku.

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj apeloi deri te organet e rendit që sa më parë të zbulojnë dhe ta kapin autorin.

“I trishtuar nga sulmi kriminal që ndodhi në Gllogjan, ku humbën jetën tre persona, prej të cilëve dy nxënës. Bashkëndjejmë me familjarët e të vrarëve, duke u lutur për durim dhe forcë, në këto momente të rënda për të gjithë ne. Falënderoj kryetarin Bashkim Ramosaj, Policinë, Prokurorinë dhe ekipet mjekësore emergjente për punën e tyre. Apeloj që organet e rendit sa më parë, të zbulojnë e të kapin autorin e këtij veprimi të ulët kriminal dhe i njëjti të sjellet para drejtësisë”, tha Haradinaj.

Ish ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku cilësoi si akt terrorist sulmin me armë zjarri ndaj autobusit në Gllogjan të Kosovës,

“E tronditur deri në palcë. Ajo çka ka ndodhur sonte në Deçan është akt terrorist. Ngushëllime familjarëve të viktimave. Organet e rendit duhet urgjentisht të angazhohen e ta zbardhin këtë sulm,” shkroi Çitaku.

Shqipëria

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se jetët e marra në Kosovë nga plumbat e një egërsie që meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë, na kanë brengosur të gjithëve.

“Ngushëllime vëllazërore familjeve të goditura në zemër nga humbja absurde. Kurajo e mbështetje institucioneve të Kosovës në këtë moment sfidues.” tha Edi Rama.

President i Shqipërisë, Ilir Meta u shpreh thellësisht i tronditur nga siç e ka quajtur ky akt kriminal dhe ka shprehur ngushëllime për familjarët.

“Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e plotë familjeve të të vrarëve dhe të gjithë popullit të Kosovës, duke bashkëndarë me ta dhembjen e madhe për këtë ngjarje shumë të rëndë. Të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë dhe përgëzoj ekipet mjekësore për përkushtimin dhe profesionalizmin, që po dëshmojnë!” tha Meta.

Reagim pati edhe nga kryetari i PD-së Lulzim Basha.

“Dhimbje dhe trishtim për ngjarjen e sotme në Deçan. Ngushëllimet më të ndjera familjeve të viktimave. Shërim të shpejtë nxënësit që po merr ndihmën mjekësore. Jam i sigurt se autoritetet do bëjnë gjithçka për zbardhjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi makabër.” tha Basha.

Bashkimi Evropian dhe SHBA-të

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell reagoi në Twitter për rastin në fjalë.

“Të tmerruar nga sulmi i tmerrshëm në Gjakovë. Zemra ime shkon për viktimat dhe familjet e tyre. Përgjegjësit duhet të gjenden dhe të sillen para drejtësisë për këtë krim të tmerrshëm. Unë qëndroj me të gjithë kosovarët në këto momente të dhimbshme. Ne do të vazhdojmë të punojmë për pajtimin në Ballkanin Perendimor.” tha Borrell.

I ngarkuari me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe i ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.

“I shokuar nga sulmi i dhunshëm ndaj nxënësve në Gllogjan. Autoritetet po punojnë që të sjellin autorët e krimit para drejtësisë së më parë. Ngushëllime të thella për familjet e viktimave dhe i uroj shërim të shpejtë të lënduarit.” tha Giacobbe.

Ndërkaq në reagimin që ka bërë Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, është thënë që shpresojnë se i dyshuari të sillet sa më shpejt para drejtësisë.

“Të shokuar dhe thellësisht të pikëlluar nga sulmi i neveritshëm drejt autobusit të nxënësve. Bashkimi Evropian në Kosovë shpreson se keqbërësi do të sillet shpejt para drejtësisë. Mendimet dhe lutjet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre. Ne urojmë shërim të shpejt për të plagosurin.” tha Zyra e BE-së.

Maqedonia e Veriut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka reaguar pas sulmin me armë zjarri ndaj autobusit në Gllogjan të Kosovës, ku jetën e humbën shoferi i autobusit dhe 2 nxënës.

“Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, shpreh keqardhje për tragjedinë e tmerrshme që ndodhi në Kosovë.Nuk ka fjalë ngushëllimi për prindërit e fëmijëve që tragjikisht humbën jetën, e as për të gjithë qytetarët e Kosovës që po vajtojnë për jetët e humbura.” tha Zaev.

Reagoi edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

“Plaga e pashëruar rëndohet edhe më shumë nga skenat shokuese nga Gllogjani i Deçanit të Kosovës time. Jeta e njeriut është e shenjtë, Zoti e fal, Zoti e merr, jo njeriu. E dënoj në formën më të rreptë të mundur sulmin ç’njerëzor në Gllogjan që la viktima dhe të plagoaur. I tronditur thellë, bashkëndjej me familjet e viktimave dhe me çdo qytetarë të Kosovës e të gjithë shqiptarët kudo që jemi në këtë botë të trazuar.” tha Ahmeti.

Bilall Kasami, kreu i Lëvizjes Besa tha se kjo ishte një plagë tjetër.
“I trishtë lajmi për rastin makabër në Gllogjan. Bashkëndjejmë me familjarët e viktimave në këto momente të vështira!” tha Bilall Kasami.
Ziadin Sela, kreu i Aleancës për Shqiptarët u shpreh i tronditur me sulmin makabër mbi autobusin me nxënës të linjës Gjakovë – Deçan.
“Bashkëndjejmë dhimbjen me familjarët e viktimave dhe lutemi për të lënduarit. Besojmë në institucionet e Kosovës për të sjellur shpejtë para drejtësisë autorin e këtij sulmi makabër.” tha Sela.

Lideri i Alternativës, Afrim Gashi ka shprehur ngushëllime deri tek familjarët e tre viktimave nga sulmi.

“Sulmi dhe vrasja e shkaktuar në autobusin që shkonte për Gllogjan na vjen në kohën kur ende nuk na janë tharë lotët dhimbjes së aksidentit të autobusit në Sofje. U shpreh ngushëllime familjarëve të viktimave dhe lutem për shpirtin e tyre, me shpresë që kurrë më të mos na përsëriten ngjarje si kjo. Me lutje e dhimbje!” tha Gashi.

Autobusi po qarkullonte në relacionin Gjakovë – Deçan në kohën kur ndodhi gjuajtja me armë. Rasti ka ndodhur rreth orës 19:00, ku humbën jetën tre persona. Sipas zëdhënësit të Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashit në autobus kanë qenë tetë persona. Nuk dihet ende se cilët kanë qenë atentatorët dhe shkaku i qëllimit me armë drejt autobusit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button