Për momentin fajtore vetëm kompania, 113 herë e ka kaluar kufirin pa pasur licencë

Para më shumë se një muaji, autobusi i kompanisë “Besa trans” e ka kaluar kontrollin teknik dhe nuk ka pasur lëshime të cilat tregojnë se janë regjistruar parregullsi. Brenda këtij viti 113 herë e ka kaluar kufirin me certifikatë të licencës së një automjeti tjetër, shkruan TV21.

“Është evidente se janë përdorur certifikata nga automjete të tjera dhe prandaj tani është e nevojshme që në kuadër të këtij hetimi të vërtetohen të gjitha këto fakte, të ketë përgjegjësi penalo-juridike për të gjitha këto lëshime që janë bërë gjatë periudhës së fundit në lidhje me regjistrimin e automjeteve. E dini se të gjitha licencat i regjistron Drejtoria Doganore e RMV-së dhe procedura që është zbatuar në suaza të Drejtorisë Doganore për rastin konkret për “Deve Bair” të vazhdojë edhe për vendkalimet e tjera kufitare ku ka hyrë dhe dalë ky automjet”, tha Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme.

Dy shoferët e ndjerë nuk ishin të regjistruar si të punësuar në kompani.

“Shoferi i parë nuk është i punësuar në kompani dhe ka pasur certifikatë të vlefshme deri në 11/2023. Shoferi i dytë po ashtu nuk ishte i regjistruar si të punësuar për ta kryer veprimtarinë. Certifikata i kishte skaduar që në 2020, në muajin shtator. Në shtetin tonë, nga muaji mars kemi ngecje në pjesën e marrjes së certifikatave për shoferë. Në muajt e fundit kemi 1500 shoferë të cilëve u ka skaduar certifikata dhe duhet përsëri të japin provim”, deklaroi ministri për Transport dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski.

Përgjegjësi tani për tani autoritetet nuk shohin tek vetja dhe të njëjtën ia hedhin kompanisë.

“Secili që e ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi. Kudo qoftë të qëndrojë gabimi, duhet të mbajë përgjegjësi. Deri në këtë moment sipas informacioneve që i kemi, Ministria për Transport dhe Lidhje nuk ka asnjë shkelje për shkak se kanë obligim që t’i regjistrojnë automjetet e reja ose të kërkojnë certifikata e licencës, dokumentacion shtesë kanë sipas ligjit personat juridike të cilët realizojnë transport të tillë”, shtoi Boçvarski.

Sipas informacioneve fillestare, autobusi pas goditjes së parë u dogj vetë, ndërsa arsyet ende po vërtetohen. “Besa Trans” ka pasur dy licenca. Licencën për transport ndërkombëtar ia kanë marrë, ndërsa ajo për transport urban tashmë i kishte skaduar.

Autobusi i aksidentuar ishte në drejtim të Maqedonisë së Veriut, pasi që ishte nisur nga Stambolli ku udhëtarët kishin qenë për ekskursion. Maqedonia e Veriut shpalli 3 ditë zie, ndërkaq nga të gjitha anët arrijnë telegrame ngushëllimi për familjet e viktimave.

Lajme tjera lidhur më këtë temë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button