Kosovë: Tre të vrarë nga gjuajtjet me armë zjarri drejt një autobusi

Tre persona kanë vdekur nga gjuajtjet me armë zjarri drejt një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të komunës së Deçanit në orët e mbrëmjes të sotme, transmeton REL.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar Shkodran Nikqi nga Prokuroria Themelore e Pejës. Sipas Nikqit, si pasojë e gjuajtjeve janë vrarë tre persona derisa ka edhe të lënduar.

Spitali i Pejës ka konfirmuar për Klankosova se nga të shtënat me armë zjarri në Gllogjan kanë mbetur të vdekur dy nxënës dhe shoferi i autobusit.

Nga ky spital thanë se për numrin e të plagosurve nuk dihet por që autoambulanca është duke e bërë bartjen e  tyre nga komuna e Deçanit.

Nxënësit e vdekur nga ky rast i përkasin moshës 19 vjeç dhe 17 vjeç, ndërsa nxënësi ilënduar i përket moshës 17 vjeçare.

Njëri prej viktimave ka vdekur në vendin e ngjarjes derisa dy të tjerë më vonë.

Autobusi po qarkullonte në relacionin Gjakovë – Deçan në kohën kur ndodhi gjuajtja me armë.

Rasti ka ndodhur rreth orës 19:00.

“Prokuroria e Pejës dhe njësitet relevante të Policisë tashmë janë në vendin e ngjarjes duke e hetuar rastin”, ka deklaruar Nikqi.

“Rreth orës 19:00, Policia është njoftuar se në fshatin Gllogjan ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të një autobusi. Me këtë rast, Policia është në dijeni se dy persona kanë pësuar lëndime. Policia është në vend të ngjarjes dhe duke e hetuar rastin”, tha zëdhënësi i Policisë së Pejës, Fadil Gashi.

Sipas tij në autobus kanë qenë tetë persona.

Nuk dihet ende se cilët kanë qenë atentatorët dhe shkaku i qëllimit me armë drejt autobusit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button