Dogani: Komunat e Pollogut duhet të paguajnë 200 mijë euro për vënien në funksion të NPP “Rusino-Pollog”

Ndërmarrja e përbashkët rajonale e nëntë komunave të Pollogut “Rusino-Pollog” e cila do të menaxhojë me mbeturinat në këtë rajon, pritet të fillojë së shpejti me punë pasi kishte vonesa të shumta për shkak të pandemisë dhe zgjedhjeve lokale. Drejtori i kësaj ndërmarrjeje Besim Dogani tha se procedurat për fillimin e punës janë përfunduar ndërkaq nëntë komunat bashkërisht duhet të paguajnë një shumë prej 200 eurosh për vënien në funksion të ndërmarrjes, shkruan Portalb.mk.

Ndërmarrja rajonale NPP “Rusino-Pollog” me punë praktike në terren ende nuk ka filluar të funksionojë, drejtori i kësaj ndërmarrjeje Besim Dogani tha se kanë përfunduar të gjitha procedurat të cilat lidhen me fillimin e punës, siç është furnizimi publik për agjenci për punësim të përkohshëm përmes të cilës duhet të punësohen punonjësit e parë. Është përfunduar furnizimi publik për operatorin ekonomik i cili do të bëjë mirëmbajtjen e deponisë Rusino, respektivisht mbulimin dhe mirëmbajtjen e mbeturinave.

Ndërkaq, në procedurë  është furnizimi publik për sigurim fizik të deponisë Rusino 24 orë.

Dogani tha se të hënën pritet të jepen nëntë vendimet e para të përkohshme për punonjësit në teren dhe një pjesë prej tyre të cilët do të menaxhojnë me peshoren matëse do të dërgohen në trajnim për mënyrën e funksionimit të peshores, mënyrën e matjes, regjistrimit të kamionëve të cilët do të flakin mbeturina në deponinë Rusino.

Besim Dogani, foto nga facebooku i tij
Besim Dogani, foto nga facebooku i tij

“Momentalisht janë tre operator të peshores matëse, dy punonjës terreni të cilët do të punojnë në deponinë Rusino dhe janë tre roje të cilët do të vendosen te shtëpiza në hyrje të rrugës për në deponi. Kemi pasur vështirësi gjatë kësaj periudhe shumë mbeturina flaken skajeve të rrugëve pa mos mbërritur në deponinë Rrusino. Vendosëm që përmes shtëpizës për rojtar ta shmangim këtë problem, prandaj do të kemi tre rojtarë të cilët do të bëjnë verifikimin e mjeteve të cilat do të hyjnë në rrugën e deponisë. Është një administrator edhe unë si drejtor, ku gjithsej bëhemi dhjetë persona në ndërmarrje.” tha për Portalb.mk Besim Dogani.

Afatet të gjitha që ishin paraparë përmes studimit të gjitha janë shkelur për shkaqe të ndryshme, si pandemia ku komunat nuk kishin buxhet të mjaftueshëm për të shlyer obligimet e tyre, pastaj u arrit që komunat ti shlyejnë obligimet për borxhin për themelim të ndërmarrjes pastaj për shkak të kodit zgjedhor nuk kishte mundësi të bëhet asnjë furnizim publik për tre muaj sa zgjatën procedurat zgjedhore.

“Tani pasi mbaruan të gjitha këto i kryejmë këto furnizime. Ashtu siç thash të hënën presim ti japim kontratat e para, t’i dërgojmë në trajnim  dhe pas trajnimit menjëherë të bëjmë pranim-dorëzimin e peshores, sistemit për filtrimin e ujërave të zeza dhe t’i vëmë në përdorim pasi të jenë trajnuar këto njerëz dhe pasi të kemi bërë pranim-dorëzimin me zbatuesin e punëve. “ shtoi Besim Dogani.

Nëntë komunat themeluese të kësaj ndërmarrjeje e kanë shlyer shumën prej 20 mijë eurove e cila ishte si kapital themelues të ndërmarrjes. Ndërkaq komunat duhet bashkërisht të paguajnë një shumë prej 200 mijë eurove për vënien  e ndërmarrjes në funksionim, domethënë kjo shumë do të ndahet në mënyrë proporcionale me numrin e banorëve të komunave. Ky obligim do duhej të ishte shlyer në fillim të vitit 2021, por për shkak të pandemisë dhe zgjedhjeve nuk arritën ta shlyejnë, por e shlyen vetëm mjetin themelues.

Menaxhimi i mbeturinave vazhdon të mbetet problem esencial i Pollogut

Sikurse deponitë e tjera komunale në vend, “Rusino” nuk ka A-leje ekologjike të integruar të lëshuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe mund të thuhet se deri më tani ka punuar ilegalisht, pa përmbushur standardet ligjore për një lokacion të tillë. Ka dhjetëra deponi të tilla komunale në të gjithë Maqedoninë, por problemi me “Rusino”-n është se është deponi rajonale ku deponohen mbeturinat nga nëntë komunat në rajonin e Pollogut.

Deponnia Rusino, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Deponnia Rusino, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Qeveria e RMV-së tashmë ka siguruar 1,9 milionë franga zvicerane për krijimin e një sistemi të ri të vetë-qëndrueshëm për menaxhim të mbeturinave komunale në rajonin e Pollogut, me të cilat “Rusino” tashmë ka zbatuar masa të shpejta për rehabilitimin e deponisë. Në terren është ndërtuar rrugë e re e asfaltuar, është instaluar peshore për të matur sasinë e mbeturinave që hynë në deponi dhe rampë me objekt të përkohshëm për akomodimin e personave përgjegjës, si dhe është ndërtuar sistem me kanale, puse për ri qarkullim të kullimit nga deponia, si dhe ka pas ndërhyrje të tjera ndërtimore për mbrojtjen e tokës.

Tani më është krijuar Ndërmarrja Publike Rajonale për menaxhimin e integruar të mbeturinave në rajonin e Pollogut “NPP Rusino/Pollog”, e cila në të ardhmen duhet të menaxhojë deponinë.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor njofton se me fonde shtesë të pakthyeshme nga Zvicra, në vlerë prej 6 milionë franga zvicerane, deponitë ilegale në rajonin e Pollogut do të pastrohen dhe do të ndërtohet impiant për kompostim të mbeturinave organike. Fondet zvicerane do të përdoren edhe për një fushatë për të rritur vetëdijen publike të qytetarëve në lidhje me menaxhimin e mbeturinave.

Komuna e Gostivarit thonë se ata kanë rënë dakord me autoritetet qendrore që në deponinë “Rusino” të zbatohen masa përmirësuese që do ta kthejnë atë në një deponi të koordinuar, të kontrolluar për një periudhë pesëvjeçare. Pas pesë vjetësh, ajo duhet të mbyllet, ndërsa ndërkohë duhet të kërkohet një pozicion për lokacion më të përshtatshëm për ndërtimin e një deponie të gjelbër siç janë ato në vendet evropiane dhe sigurisht Ministria e Mjedisit Jetësore dhe komunat e Pollogut po punojnë në atë drejtim.

Në Maqedoni, për 17 vjet nuk mund të ndërtohet asnjë deponi rajonale sipas standardeve të BE -së, në të cilën përqindja më e madhe e mbeturinave të krijuara do të përzgjidhej dhe riciklohej, kompostohej ose digjej. Sot në Maqedoni, ka dhjetëra deponi ku mjedisi jetësor vazhdimisht ndotet, pa asnjë kontroll se kush hedh çfarë në këto vende, si dhe ku përfundon shkarkimi i mbeturinave që dekompozohen në natyrë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button