Më 29 nëntor do të fillojë fushata “BE-ja me TY” për Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane

Të hënën, më 29 nëntor 2021 në ora 11:55, Ambasadori Dejvid Gir, Shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe Nikola Dimitrov, Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane do të promovojnë fushatën e re ‘BE-ja me ty”, që ka në fokus Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane. Fushata synon të rrisë vetëdijen për Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe qëllimin e saj kryesor – arritjen e emetimeve neto zero të gazrave serrë deri në vitin 2050, duke e bërë kështu Evropën kontinentin e parë neutral ndaj klimës, njoftuan nga Delegacioni i BE-së, transmeton Portalb.mk.

Maqedonia e Veriut u zotua të punojë drejt këtij pikësynimi – 2050,  së bashku me Bashkimin Evropian përmes Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes në vitin 2020 të Procesit të Berlinit. E ndërtuar rreth sloganit ‘Nuk ka Planet Rezervë‘, fushata bën thirrje për një angazhim të fortë politik dhe veprim të menjëhershëm në të gjitha nivelet, sepse koha po mbaron.

Ndryshimet klimatike dhe degradimi i mjedisit janë kërcënim ekzistencial për rajonin, Evropën dhe botën. Këto kërcënime kërkojnë një përgjigje urgjente dhe ambicioze dhe secili prej nesh mund të bëjë një ndryshim duke u përfshirë. Sepse e ardhmja e të gjithë neve varet nga një planet i shëndetshëm. Bashkimi Evropian mori rolin udhëheqës në luftën globale kundër ndryshimeve klimatike dhe vendosi Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane si plan për transformimin e Evropës, duke përfshirë rajonin e Ballkanit Perëndimor në një kontinent neutral ndaj klimës deri në vitin 2050.

Fushata ‘BE-ja me TY’ mbi Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane formon një “Muze të së Ardhmes” si një kujtesë për atë që mund të humbasim gjatë jetës sonë për shkak të ndryshimeve klimatike dhe degradimit të mjedisit. Është një thirrje zgjimi për humbjen e mundshme të gjërave thelbësore të planetit, si uji i freskët, ajri i pastër, por edhe i artikujve lokalë të çmuar, si domatja “Jabuchar” e Maqedonisë së Veriut. Prandaj, fushata bën thirrje për një angazhim të fortë politik për të zbutur ndryshimet klimatike, për të parandaluar ndotjen, për të mbrojtur biodiversitetin, për të promovuar bujqësinë e qëndrueshme dhe prodhimin e ushqimit, për të dekarbonizuar energjinë dhe transportin. Ndryshimi mund të bëhet vetëm përmes iniciativës dhe veprimit – si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel lokal. Bashkimi Evropian mund të ndihmojë duke ofruar ekspertizë, këshilla dhe me financim të konsiderueshëm sipas instrumenteve që disponon.

Në këtë “garë deri në zero”, ne kemi nevojë që të gjithë të arrijnë në vijën e finishit dhe që të gjithë të kontribuojnë për ta bërë realitet Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, thonë nga Delegacioni i BE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button