Mbi tragjeditë e pahetuara në vendin e çudirave

Tri tragjedi të rënda të ndodhura brenda harkut kohor prej më pak se tre vitesh do të mjaftonin për të tronditur edhe shtete qindra herë më të mëdha se vendi i çudirave, por këtu, aksidentet e tmerrshme ku digjen të gjallë gra e burra të moshuar, vajza e djem të rinj, fëmijë që posa kanë nisur ta shijojnë jetën, dikush i konsideron të rëndomta, ndaj për to askush nuk bart as përgjegjësi morale e lëri më përgjegjësitë tjera, që në vendet demokratike janë të padiskutueshme.

Pa keqkuptime. Aksidente me pasoja të rënda, me humbje jetësh dhe dëmesh materiale ndodhin kudo, por askund si këtu ato nuk mbyllen me farsa, nuk kalojnë pa hetime serioze dhe pa ndëshkime fajtorësh konkretë, sepse nuk ekziston pasojë që vin pa një shkas konkret. Në veçanti nuk futen në kllapat e harresës tragjeditë që marrin aq shumë jëtë njërëzish, sepse kësisoj hapen udhët e përsëritjes së tyre.

Të kujtojmë se pa një hetim serioz dhe pa dhënë kush përgjegjësi kaluan edhe dy fatkeqësitë e mëdha ajrore që ndodhën në Maqedoninë e Veriut para 28 vitesh. Tragjedia e parë ndodhi më 5 mars 1993, kur aeroplani u rrëzua fill pas fluturimit nga aeroporti i Shkupit, me çrast humbën jetën 89 udhëtarë, kurse rrëzimi i aeroplanit të dytë ndodhi më 22 nëntor të të njëjtit vit, në aeroportin e Ohrit, ku gjetën vdekjen 115 njerëz.

Sipas lajmeve të kohës, të paverifikuara kurrë nga organet e hetuesisë, rasti i parë ndodhi për shkak të mosrespektimit të detyrës nga autoritetet e aeroportit të Shkupit, të cilët, në vend se ta lyejnë trupin e aeroplanit me njëmijë litra lëng special për mbrojtje nga ngrirja, e spërkatën atë vetëm me 500 litra të përzier me ujë. Gjithnjë sipas lajmeve të medieve të asokohshme, edhe fatkeqësia në Ohër – përplasja e aeroplanit në majen e një kodre, ndodhi për shkak të pakujdesisë së përgjegjësve të aeroportit, të cilët nuk i ndezën dritat e pistës.

Nëse tagjeditë e posapërmendura “drejtësia” i justifikoi me moskonsolidimin e shtetit dhe demokracisë në vendin e çudirave, çfarë të thuhet për mungesën e organeve të hetuesisë pas tri tragjedive të fundit: rrokullisjes së autobusit të kompanisë “Durmo Turs” nga Gostivari në autostradën Shkup-Tetovë, më 13 shkurt 2019, ku humbën jetën 14 udhëtarë; djegies së spitalit modular në Tetovë, më 8 shtator 2021, ku u dogjën për së gjalli 14 njerëz të sëmurë me Covid-19 dhe tragjedisë së 23 nëntorit 2021, kur në Bullgari u dogj autobusi i kompanisë “Besa Turs” nga Shkupi me 46 udhëtarët që ktheheshin nga Turqia në Maqedoni.

Rastet janë tejet të rënda e të dhembshmë, sepse bëhet fjalë edhe për shuarje të familjeve të tëra. Prandaj u ka dalur boja farsave të pushtetarëve të papërgjegjshëm, që në gjëma të mëdha premtojnë zbardhje rastesh dhe ndëshkime fajtorësh, për të heshtur pastaj si peshq gjer në tragjedinë e radhës.  “Nuk kanë dhe faj”, sepse familjarët e tyre bëjnë qëjfe me foristrada të kushtueshme dhe s’udhëtojnë me autobusë pa leje udhëtimi e pa kontrolle të mirëfillta teknike. As kërkojnë derman prej Coronës në baraka të djegshme plastiku.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button