Lehtësimi i qarkullimit, në fokus të takimit Shqipëri – Kosovë (VIDEO)

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive, Shqipërisë dhe Kosovës, po zhvillohet të premten më 26 nëntor në qytetin e Elbasanit. Në hapje të mbledhjes fjalimet e tyre i kanë mbajtur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, transmeton REL.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri i ShqipërisëRama, ka thënë se tregu i përbashkët i punës, lehtësimi i procedurave për leje qëndrimi, njohja e sigurimeve shoqërore në të dy shtetet, lehtësimi për lëvizje të lirë, hapja e pikës kufitare të Shishtavecit në Kukës, rregullimi i regjimit lokal të kufirit, njohja e diplomave, lehtësimi i kontrolleve në dogana, shërbimet konsullore në ndërtesa të përbashkëta – janë marrëveshjet që do të nënshkruhen sot.

Rama ka theksuar se këto marrëveshje do të lehtësojnë jetën e qytetarëve të të dyja vendeve.

“Krijomë kushte më të favorshme për të dy anët e kufirit për aksesin në tregun e punës dhe për një tjetër hap në bashkimin gradual të tregjeve në një hapësirë të vetme, ku shqiptarët mund të punojnë studiojnë dhe krijojnë familje, duke përfituar çdo kontribut dhe të drejtë sociale, pavarësisht vendosjes gjeografike në Kosovë dhe Shqipëri. Njohja e sigurimeve shoqërore është një marrëveshje që është pjesë e së njëjtës paketë”, është shprehur Rama.

Kryeministri Rama foli edhe për Abetaren e unifikuar, për të cilën tha se do të jetë e gatshme vitin e ardhshëm.

Kreu i qeverisë ka nënvizuar se sfidë e përbashkët është që të rritet zbatimi i marrëveshjeve mes dy vendeve.

Ndërkaq, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij ka thënë se progresi në numër i marrëveshjeve duhet të shoqërohet me cilësinë e zbatimit të tyre, sepse “ato janë me rëndësi sa ekonomike, aq edhe historike”.

Ai ka përmendur një “traumë kolektive” kur tha se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të ndrydhur kur flasin për Shqipërinë, për shkak të ndryshimeve të simboleve kombëtare.

“Të thuash se jemi të lumtur që jemi një komb i ndarë, do të ishte marrëzi; të thuash se kemi dy shtete sepse kështu jemi më të fortë, do të ishte sa tepri edhe shkurtpamësi. Të thuash se angazhohesh për bashkim kombëtar, do të të shquanin për nacionalist; e të thuash se do të bashkohemi në Bashkimin Evropian, të shquajnë për diplomat”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se duhet të “flasim si diplomatë, por të punojmë si patriotë”.

“Patriotizëm sot është të luftosh korrupsionin dhe krimin e organizuar, të luftosh për mediat dhe lirinë e mendimit, të luftosh për gjyqësor të pavarur dhe ekonomi gjithëpërfshirëse me drejtësi sociale – e vetëm ky lloj patriotizmi do t’i forcojë shtetet tona dhe do të jetësojë ëndrrat e qytetarëve tanë për të jetuar krenarë në vendin e tyre”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka përkujtuar edhe tërmetin në Shqipëri, me rastin e dyvjetorit të kësaj tragjedie ku mbetën të vdekur 51 persona.

Kjo është mbledhja e parë, në të cilën merr pjesë Albin Kurti si kryeministër i Kosovës.
Në këtë mbledhje pritet të nënshkruhen marrëveshje të rëndësishme si heqja e leje-qëndrimit të përkohshëm për qytetarët e të dy vendeve, njohja e sigurimeve shoqërore dhe për lehtësi të ndërsjella në procedurat doganore.

Ky është takimi i shtatë i përbashkët zyrtar ndërmjet dy qeverive dhe takimi i parë i qeverive Rama–Kurti.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë që nga viti 2014 mbajnë mbledhjet e përbashkëta ku premtohet në vazhdimësi për bashkëpunim të ndërsjellë dhe nënshkruhen marrëveshje në fusha të ndryshme.

Deri më tani janë mbajtur shtatë mbledhje të përbashkëta (përfshirë mbledhjen e 26 nëntorit 2021) dhe janë nënshkruar mbi 80 marrëveshje, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi.

Këto marrëveshje kanë pasur për qëllim një qeverisje të përbashkët strategjike, në veçanti eliminimin e barrierave tregtare mes dy shteteve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button