Tentim i pasuksesshëm i Inspektoratit Shtetëror për të kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshme në “Besa Trans”

Inspektorati Shtetëror i Transportit dje ka tentuar, por nuk ka arritur të kryej mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në kompaninë “Besa Trans”, autobusi i së cilës u dogj në Bullgari, pasi siç deklaroi për MIA-n, drejtori Rufat Huseini, zyrat e kompanisë dhe të agjencive të saja kanë qenë të mbyllura dhe askush nuk është paraqitur në telefon, transmeton Portalb.mk.

“Dje kemi shkuar në hapësirat e “Besa Trans”, në selinë, por ishin të mbyllura askush nuk paraqitej në telefon. Prej aty shkuam në zyrat e dy agjencive që i kanë në Shkup, të cilat po ashtu ishin të mbyllura dhe nuk kishte askush. E dimë se në Tetovë ka një agjenci, por inspektori ynë prej atje informoi se edhe ajo është e mbyllur. Nuk mund të kryejmë mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese”, deklaroi Huseini.

Askush, siç tha ai, nuk paraqitet në telefon, as pronari i “Besa Trans”, as dikush në zyrat.

“Tani do të dorëzojmë një letër me shkrim dhe do të caktojmë termin që të na pret dhe ta hap zyrën, nëse nuk e pranon letrën, atëherë do të bëhet dorëzimi përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha Huseini.

Pas aksidentit tragjik që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të 23 nëntorit në autostradën “Struma” të Bullgarisë, kur një autobus i transportuesit “Besa Trans” duke u kthyer nga Stambolli ka goditur në rrethojën mbrojtëse të autostradës dhe u dogj, Qeveria obligoi Inspektoratin Shtetëror të Transportit që të kryejë mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese. Me mbikëqyrjen, duhet të përfshihet gjithçka që është në kuadër të kompetencave të inspektoratit në pajtueshmëri me Ligjin për transport në trafikun rrugor.

“Konkretisht, licenca për realizim të transportit të lirë ndërkombëtar të udhëtarëve, numri i automjeteve dhe certifikatave të licencave për ato automjete dhe nëse janë në pronësi të kompanisë, shoferë të paraqitur në marrëdhënie pune në kompani, vërtetim për kushte teknike të eksploatimit për çdo automjet, certifikata për profesionalizëm për transport ndërkombëtar të udhëtarëve, certifikatë e drejtuesit për kompetencë profesionale, evidencë për autorizime të dhëna rrugore për vitin e fundit. Mbikëqyrja jonë do të përfshijë këtë dokumentacion”, tha Huseini.

Kujtojmë se, katër ditë pas aksidentit të autobusit të RMV-së në autostradën “Struma” në Bullgarinë Perëndimore, autoritetet bullgare konfirmuan se në fatkeqësi kanë ndërruar jetë 45 persona dhe jo 46 siç raportuan paraprakisht, ndërkaq 7 persona kanë shpëtuar. Autobusi ishte në drejtim të Maqedonisë së Veriut, pasi që ishte nisur nga Stambolli ku udhëtarët kishin qenë për ekskursion. Maqedonia e Veriut shpalli 3 ditë zie, ndërkaq nga të gjitha anët arrijnë telegrame ngushëllimi për familjet e viktimave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button