fbpx

Zgjidhjet e mbështetura tek Natyra – veprime për të parandaluar ndryshimet klimatike në Maqedoninë e Veriut

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) dhe Zyra Rajonale e Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) për Evropën Lindore dhe Azinë Qëndrore (ECARO) organizuan ngjarjen e parë të përbashkët “Rritja proporcionale e Zgjidhjeve të mbështetura tek Natyra (ZMN) në Maqedoninë e Veriut” – nga politika deri në zbatimin në terren, ku u prezantua Standardi Global i IUCN-së për Zgjidhjet e Mbështetura tek Natyra, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë periudhës së COP26, i cili përfundoi vetëm pak ditë më parë, për herë të parë, liderët botërorë e kuptuan qartë lidhjen midis biodiversitetit global dhe krizave klimatike dhe rolin kritik që luan natyra si në përshtatje ashtu edhe në zbutje. Ky është një hap i rëndësishëm dhe i mirëpritur. Zgjidhjet e Mbështetura tek Natyra mund të japin një kontribut kyç si në zbutjen ashtu edhe në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, ndërkohë që mbështesin ruajtjen e biodiversitetit, shëndetin, çrrënjosjen e varfërisë dhe synime të tjera shoqërore të dakorduara në kuadër të Synimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm”, theksoi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini në fjalimin e tij hyrës.

“Ekziston një nevojë urgjente për të vepruar në të gjitha nivelet përderisa duam të parandalojmë degradimin e mëtejshëm të mjedisit jetësor dhe të përshtatemi me efektet e ndryshimeve klimatike”. Zgjidhjet e Mbështetura tek Natyra kanë një rol thelbësor në zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe reduktimin e rreziqeve nga fatkeqësitë. Megjithatë, që ZMN-të të jenë efektive, ato duhet të njihen plotësisht në politikat, ligjet dhe planet financiare kombëtare”, tha Boris Erg, Drejtor i Zyrës Rajonale të IUCN-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qëndrore.

“E mirëpresim vendosmërinë e vendimmarrësve kryesorë në Maqedoninë e Veriut të njohin ZMN-në si një mundësi për integrim më të mirë të politikave të zgjuara klimatike dhe zbatimin e tyre të gjerë në terren”, shtoi ai.

“Rreziqet e fatkeqësive që lidhen me efektet e ndryshimeve klimatike janë gjithnjë e më të theksuara nga viti në vit dhe shkaktojnë pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve, të mirave materiale dhe degradim të madh mjedisor. Prandaj, në kuadër të Sistemit Kombëtar të Menaxhimit me Kriza, planifikohen dhe zbatohen masat gjithëpërfshirëse të koordinuara për parandalim, zbutje dhe adaptim”, tha drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angelov.

Si një koncept i përbashkët që po zhvillohet gjithnjë e më shumë në mbarë botën, qasja e Zgjidhjeve të Mbështetura tek Natyra përqëndrohet në adresimin e sfidave të zhvillimit, njëkohësisht siguron rezultate pozitive lidhur me biodiversitetin dhe mirëqenien njerëzore. ZMN-të ofrojnë zgjidhje me kosto efektive që prezantojnë artikulim të zhvilluar të menaxhimit gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrës të burimeve natyrore duke ndihmuar njerëzit dhe planetin. Sigurimi i cilësisë së zbatimit të ZMN-së ësht siguruar nga Standardi Global i IUCN-së për ZMN-të, i lançuar nga IUCN në vitin 2020 me qëllim të përmbushjes së nevojës për qasje të standardizuar për hartimin, zbatimin, vlerësimin dhe verifikimin e ndërhyrjeve të ZMN-së. I përkthyer në gjuhën maqedone, në mesin e gjashtë gjuhëve të tjera globale, Standardi është një kornizë thelbësore për rritjen e vëllimit dhe ndikimit të qasjes së ZMN-së, parandalimin e rezultateve të pafavorshme ose keqpërdorimit, dhe për të ndihmuar politikbërësit, agjencitë financuese dhe palët e tjera të interesuara për të vlerësuar efektivitetin e ndërhyrjeve të ZMN-ve.

Ngjarja është organizuar në kuadër të projektit ADAPT: Zgjidhje të Mbështetura tek Natyra për shoqëritë rezistente në Ballkanin Perëndimor, dhe në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën për Menaxhimin e Krizave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për rëndësinë e rritjes së rezistencës së ekosistemeve dhe komunitetit ndaj ndryshimeve klimatike dhe degradimit të mjedisit jetësor me aplikimin e Zgjidhjeve të Mbështetura tek Natyra në Maqedoninë e Veriut. Kjo ngjarje mblodhi së bashku të gjitha palët e interesuara, menaxherët e burimeve natyrore dhe vepruesit kryesorë kombëtar në ruajtjen e natyrës, duke përfshirë edhe zyrtarët e lartë qeveritar, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, OJQ-ve, akademisë dhe sektorit privat në një veprim të përbashkët për të adresuar përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe reduktimin e rrezikut të fatkeqësive në vend.

Projekti ADAPT është një nismë trevjeçare e financuar nga Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar (SIDA) dhe e zbatuar nga Zyra Rajonale e IUCN-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qëndrore. Projekti punon në rritjen e rezistencës së ekosistemit dhe komunitetit ndaj ndryshimeve klimatike dhe rreziqet nga fatkeqësitë me aplikimin e Zgjidhjeve të Mbështetura tek Natyra në gjashtë ekonomi nga Ballkani Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. 

Standardi Global i IUCN-së për Zgjidhje të Mbështetura tek Natyra dhe udhëzuesi për standardin janë të disponueshme në portalin e bibliotekës së IUCN-së në linqet vijuese edhe në gjuhën shqipe: Standardi Global i IUCN-së dhe Udhëzuesi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button