Akuza mes Kosovës e Serbisë për destabilizim të rajonit

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se lufta është kthyer sërish në kërcënim real për Ballkanin. Në takimin e Komisionit të Partneritetit në nivel ministror të Kartës SHBA-Adriatik që po zhvillohet në Zagreb të Kroacisë, ka akuzuar Rusinë e Serbinë se po e bëjnë luftën një rrezik të vërtetë për rajonin e Evropën. Asaj i ka reaguar drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është personi i vetëm që po e destabilizon rajonin, raporton Koha.net.

Për ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, lufta është kthyer sërish në kërcënim real për Ballkanin. Luftën rrezik për Ballkanin dhe Evropën, sipas Gërvallës, po e bëjnë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Këtë Gërvalla e ka thënë në takimin e Komisionit të Partneritetit në nivel ministror të Kartës SHBA-Adriatik, që po zhvillohet në Zagreb të Kroacisë. Të njëjtën Gërvalla e ka shkruar edhe në një postim në rrjetin social Twitter.

“Kërcënimi Vuçiq – Putin e bën luftën një rrezik të vërtetë për Ballkanin dhe Evropën, për herë të parë që nga vitet 1990”, ka shkruar ajo.

Në këtë postim asaj i ka reaguar drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Ai ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është personi i vetëm që po e destabilizon rajonin.

“Donika Gërvalla personi i vetëm që po e destabilizon rajonin është Albin Kurti duke avokuar për Shqipërinë e madhe, duke refuzuar Marrëveshjen e Brukselit, duke vendosur forca speciale të armatosura deri në dhëmbë kundër qytetarëve të paarmatosur në veri të Kosovës e Metohisë”, ka deklaruar Petkoviq.

Në Zagreb, Gërvalla gjithashtu ka kërkuar që destabilizimi i Ballkanit nga Rusia e Serbia të adresohet qartë nga BE-ja dhe NATO-ja.

Gërvalla ka thënë se duhet ulur e analizuar mirë ajo që po ndodh në terren.

“Këtu nuk bëhet fjalë më vetëm për bisedime diplomatike. Le të bisedojmë si evropianë të vërtetë, NATO dhe SHBA, me qëllim të evitimit të asaj që mund të ndodhë nëse nuk veprojmë siç duhet dhe me vendosmëri … Duhet t’i shikojmë thjesht përpjekjet e Dodikut, Vuçiçit dhe Putinit në Bosnjë dhe e shihni se copëtimi i shteteve, i iniciuar nga Serbia dhe Rusia, është në tavolinë”, është shprehur Gërvalla.

Gërvalla ka shtuar se duhet marrë hapa të guximshëm ndaj vendeve që po e destabilizojnë rajonin, si Serbisë e Rusisë, e siç ka thënë, pjesërisht edhe ndaj Kinës, për ta zbutur rrezikun e madh.

Ajo ka theksuar se në këtë rast nuk kemi të bëjmë më me një krizë, e cila do të zgjidhet vetëm duke dërguar në rajon disa diplomatë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button