Dhuna ndaj grave, fenomen mjaftë i përhapur edhe në Pollog

Gati se çdo ditë që kalon dëgjohet për raste të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Ky fenomen është mjaft i pranishëm edhe në rajonin e Pollogut. Këtë e thonë dhe shifrat nga SPB Tetovë ku deri më 31 shtator të këtij viti, janë regjistruar 42 vepra penale në lidhje me dhunën në familje të kryera ndaj grave, të cilat janë kryer duke shkaktuar lëndime trupore, ose duke rrezikuar sigurinë e grave, shkruan Portalb.mk.

25 nëntori njihet botërisht si dita e eliminimit të dhunës ndaj grave, për këtë arsye sot në hapësirat e Universitetit të Evropës Juglindore u organizua panel diskutimi për po këtë qëllim. Panelistet ishin nga fusha të ndryshme mes të cilave edhe ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu.

Nikoqirja e kësaj ngjarje, Pro-dekanja e Fakultetit Juridik në UEJL, Arta Selmani tha se element shumë i rëndësishëm për parandalimin e këtij fenomeni është vetë edukimi i gjeneratave të reja, ku përmendi disa lëndë të kësaj fushe të cilat edhe i ofrojnë për studentët si Fakultet Juridik.

“Ne si Fakultet Juridik në kuadër të Klinikës Ligjore Pro Bona kemi pasur raste ku kemi ofruar ndihmë dhe këshilla juridike për viktimat e dhunës në familje, klinikë kjo e cila funksionon falas në Fakultetin Juridik.” tha Arta Selmani

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu tha se dhuna në familje është përgjegjësi institucionale dhe se duhet raportuar , dhe institucionet të kryejnë punën e tyre, pasi si rezultat i mosveprimit nga ana e institucioneve ka shumë jetë të humbura.

“Për herë të parë dhuna në familje adresohet si prioritet qeveritar, pra një ndër pesë prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë është adresimi i dhunës në familje.  Ne tash për herë të parë e kemi ndryshuar ligjin për ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje, dhunës me baza gjinore, dhunës ndaj grave. Po ashtu ne kemi nëntë strehimore në Kosovë që strehojnë viktimat e dhunës në familje kur ato nuk kanë ku të shkojnë, për shkak të mungesës së pronës. Probleme kemi te mungesa e zbatimit të legjislacionit nga institucionet përkatëse.” tha Albulena Haxhiu.

Nëpërmjet linjës direkte (online) me pjesëmarrësit në diskutim ishte edhe Adelina Badivuku, psikoterapiste dhe aktiviste për të drejtat e grave nga Britania e Madhe. Ajo foli në përgjithësi për dhunën ndaj grave si një fenomen global duke ndarë me pjesëmarrësit disa të dhëna shqetësuese nga raporti i fundit i OKB-së për dhunën ndaj grave. Duke theksuar se kryerësit e këtyre veprave dënohen shumë pak.

“Ne po dështojmë në përdorimin e mësimeve nga e kaluara për të bërë ndryshime sot në drejtim të dhunës ndaj grave. Ne duhet të bëjmë ndryshime thelbësore.” tha Adelina Badivuku.

Profesoresha e Juridikut, Vedije Ratkoceri theksoi se në vendin tonë kemi ligje shumë të mira të cilat i rregullojnë këto çështje por që nga zbatimi kemi mangësi.

“Fatkeqësisht në vendin tonë kemi mungesë të përkrahjes institucionale. Ajo çka dëshmohet në praktikë është mungesa e empatisë nga gjinia mashkullore kur i trajtojnë rastet e dhunës në familje kur viktima janë gratë. Prandaj kjo mungesë e besimit në institucione qoftë në gjykatë apo polici, shpesh i demotivon gratë të raportojnë dhunën dhe të parandalojnë tragjeditë të cilat mund të ndodhin më vonë.” tha Vedije Ratkoceri.

Për Rita Behadinin, aktiviste dhe bashkëthemeluese e Qendrës për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” pavarësia ekonomike e grave është faktor vendimtar në përforcimin e rolit të gruas në shoqëri dhe në familje.  Ajo sqaroi se pavarësia ekonomike e grave është element shumë i rëndësishëm, pasi sipas saj gratë e pavarura ekonomikisht largohen më lehtë nga mjedisi ku janë pre e dhunës se ata të cilat janë të varruar ekonomikisht qoftë nga bashkëshorti apo dikush tjetër.

Inspektorja e Ministrisë së Punëve të Brendshme e RMV-së për dhunën në familje, Nermine Izairi tha se pothuajse çdo ditë ka raste të paraqitjes së dhunës në familje.

“Duhet të kemi edukim, duhet policët të kenë trajnime në vazhdimësi, gjë që nuk ndodh. Ne jemi personat e parë të cilët takohemi me viktimën e dhunës në familje, ne jemi ato që duhet të marrim masa.” tha Nermine Izairi.

Në shkurt të  këtij viti në Maqedoninë e Veriut hyri në fuqi dhe Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen e grave nga dhuna në familje. Përmes këtij ligji, rregullohet ndërveprimi i institucioneve gjatë marrjes së masave për parandalimin e dhunës me bazë gjinore ndaj grave dhe dhunës në familje, veprimi i institucioneve për mbrojtjen e grave nga dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në familje, koordinimi i ndërsjellë i institucioneve dhe organizatave, shërbimet për mbrojtjen e viktimave dhe mbledhja e të dhënave për dhunën me bazë gjinore ndaj grave dhe dhunës në familje. Shteti detyrohet të sigurojë risocializim të viktimave të dhunës, sigurim shëndetësor dhe mundësi ekonomike.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 25 nëntorin si Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave. Në këtë datë zhvillohet fushata 16-ditore e njohur si “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila përfundon në 10 dhjetor, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button