Darko Kocevski është sekretari i ri Komunës së Tetovës, sektorët ende funksionojnë me ushtrues detyre

Dje u emërua sekretari i ri i Komunës së Tetovës, i cili është avokati i diplomuar Darko Kocevski i cili vjen nga administrata e komunës. Sektorët dhe drejtoritë vazhdojnë të funksionojnë me ushtrues detyre, nuk ka emërime të reja. Deri tanë është emëruar vetëm drejtori i NP “Tetova”, shkruan Portalb.mk.

Sekretari i ri i Komunës së Tetovës, Darko Kocevski në tetë vitet e kaluara ka qenë i punësuar në Sektorin për Veprimtari Publike, ku ishte asistent menaxher.

“Sekretari i ri i Komunës është Darko Kocevski, njeri punëtor dhe i aftë. Kocevski vjen nga administrata e komunës dhe në bazë të aftësive dhe meritokracisë është përzgjedhur sekretar i komunës.” thanë nga Komuna e Tetovës.

Nga Komuna e Tetovës njoftuan për Portalb.mk se momentalisht nuk ka emërime tjera, të gjitha njësitë dhe drejtoritë vazhdojnë me ushtrues detyre.

Në kuadër të komunës së Tetovës funksionojnë tetë sektorë dhe tre njësi të tjera, si Njësia Territoriale Kundër Zjarrit, Seksioni për Revizion të Brendshëm dhe Seksioni për Resurse Njerëzore, si dhe tre ndërmarrje publike.

Kryetari i komunës, Bilall Kasami tha se për momentin funksionojnë në kushte të jashtëzakonshme, ku emërimi i udhëheqësve të sektorëve dhe i ndërmarrjeve është një proces që duhet të respektohet në baza ligjore.

“Duhet të shoh a kam plan për punësim dhe për avancim që në bazë të planit të bëhet çdo punësim dhe avancim në administratë. Pra ende jemi në analizë të situatës dhe në moment kur do të kemi bazë ligjore dhe zgjidhje kadrovike do të nis emërimi i kuadrove.” tha Bilall Kasami.

Deri më tani është emërtuar drejtori i ri i NP “Tetova”, në krye të kësaj ndërmarrje tani si drejtor është Nuredin (Luli) Fetai. Te ndërmarrja e transportit publik, vazhdon të qëndrojë drejtor Darko Spirovski.  Te NP “Parkingu i Qytetit si ushtrues detyre momentalisht është Igor Dodevski.

Ndryshe, Kasami gjatë periudhës së fushatës zgjedhore në #Debatpërnime premtoi se kur do të bëjë emërimet e sektorëve dhe drejtorive, nga 11 prej tyre premtoi se gjashtë do të udhëhiqen nga gra, ku deri më tani vetëm 3 prej tyre kanë qenë të udhëhequra nga gratë. I pyetur nga Portalb.mk se a do e mbaj këtë premtim Kasami tha “Do të presim”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button