Kur fjalët humben në dhimbje…

Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë dhimbjen. Dhimbja ndjehet, si valët që të kaplojnë dhe mbi të cilat nuk ke kontroll dhe je tërërisht i pafuqishëm për të luftuar me to. Dhimbja ndjehet si gozhda e ndryshkur kur depërton në lëkurë dhe shkakton plagë të thella që nuk shërohen. Dhimbja mbetet në kujtesë edhe kur ngjarja që e ka shkaktuar atë ka kaluar.

Cilën fotografi do ta mbajmë mend më gjatë, cila pamje do të na ndjekë sa herë që ta kujtojmë të martën që shkoi? Pamja e autobusit të shkrumuar për disa sekonda? Fotografitë e të rinjve që shkuan në shëtitje e nuk u kthyen? Apo fotografitë e fëmijëve të cilët para kohe e përmbyllën fëmijërinë e tyre për të mos u rritur kurrë? Cilat fjalë ngushëlluese mund t’ua themi familjarëve që brenda një nate humbën gjithçka që kishin të vlefshme, humbën njerëzit e dashur, humbën kuptimin e jetës. Mundemi vetëm të vuajmë për këtë tragjedi të rëndë, sepse fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur dhimbjen, pikëllimin, zhgënjimin, zemërrimin… Sa vështirë përmbahen të gjitha ato emocione, por dhimbja është ajo që vendos të gjitha në hije, dhimbje për 46 jetë të shuara para kohe në një rrugë pa kthim. Dhimbja për ata që i kemi njohur e me të cilët kemi ndarë pjesë nga ekzistenca jonë, por mbi të gjitha dhimbja për çdo jetë të humbur në këtë tragjedi.

Vendosja e përgjegjësisë për rastet e tilla të gabimit njerëzor është esenciale jo vetëm për për tragjedinë e së martës por edhe për të parandaluar raste të tjera në të ardhmen. Vetëm tri vite më parë kishim një tragjedi tjetër ku shumë persona humbën jetën e përgjegjësia sot e kësaj dite nuk arrin të vendoset. Për më tepër, ajo që është më e rëndësishme është parandalimi i situatave të tilla përmes kontrollit dhe procedurave të repta dhe jo anashkalimi i parregullsive që si që e shohim mund të bëhet fatal. Nuk ka kompenzim apo përgjegjësi që do t’i kthejë pas gjithë ato jetë të humbura. Por bartja e rregullt e përgjegjësisë dhe kontrolli më i reptë në të ardhmen mund të parandalojë tragjedi tjera.

Para se të arrijmë të flasim për përgjegjësinë, këto janë momente të zisë kur të gjithë solidarizohemi dhe e ndjejmë dhimbjen dhe humbjen e tjetrit. Pamjet shokuese të kësaj tragjedie do të na ndjekin pas përgjithmonë. Kujtimet e të gjithëve që humbën jetën në këtë tragjedi të tmerrshme do të mbesin mes nesh, së bashku me të gjitha fjalët e pathëna, planet e shumta dhe ëndërrat e mbetura në gjysmë.

Ngushëllime për familjarët e viktimave. Shërim të shpejtë të lënduarve në këtë tragjedi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button