Zëvendës prokurori bullgar: Personat në autobus vdiqën nga asfiksia, informacionet tjera janë spekulative

Në media qarkullojnë informacione absolutisht spekulative për aksidentin e autobusit. Shfaqen dëshmitarë okularë, por në fakt nuk ka as edhe një të vetëm. Në pyetje janë marrë dy prej pasagjerëve në autobus, të cilët kanë qenë zgjuar në momentin e fatkeqësisë. Indikacionet teknike janë jashtëzakonisht objektive. Autopsitë tregojnë se të gjithë kanë vdekur nga asfiksia, kanë thithur tym, që do të thotë se kanë qenë të gjallë dhe kanë vdekur si pasojë e zjarrit, nuk ka pasur shpërthim, ka pasur vetëm djegie intensive. Kështu deklaroi zëvendëskryeprokurori Borislav Sarafov në një konferencë në lidhje me incidentin e rëndë rrugor në autostradën “Struma”, raporton BGNES, transmeton Portalb.mk.

Versioni për transportin e karburantit bie poshtë kategorikisht. Nuk ka bidona benzine, nuk ka gjetje me materiale të tjera djegëse, tha ai.

“Versioni i një akti terrorist është hetuar profesionalisht nga ne. E hedhim poshtë kategorikisht, nuk është akt terrorist”, shtoi Sarafov, duke saktësuar se puna e hetuesve presupozon që edhe ky version të hetohet.

Marrja në pyetje vazhdon, inspektimet vazhdojnë. Autobusi do të kontrollohet nga inspektorët e qarkullimit rrugor, tha zëvendësprokurori i përgjithshëm.

Ai bëri të ditur se për momentin versioni bazë dhe kryesor është ai i gabimit njerëzor.

Sa i përket versionit për shenjat joadekuate të rrugëve, sinjalistikë e keqe, organizim jo i mirë i komunikacionit, Sarafov bëri të ditur se për momentin organizimi i komunikacionit në pjesën e treguar është i organizuar keq.

Rrethoja mbrojtëse në të cilën është futur autobusi është e rrezikshme dhe ka ndikuar në aksident, tha ai.

Prokurorja Sijka Mileva tha se, gjatë marrjes në pyetje të një personi prej të mbijetuarve ka thënë se, janë shpëtuar tetë persona dhe jo shtatë. Njëkohësisht, në vendin e tragjedisë janë gjetur 44 trupa. Për këtë, hetuesit e verifikojnë versionin që të shohin nëse ka edhe një të mbijetuar dhe ku është ai. Është e mundur që ai të ketë kaluar kufirin me automjet tjetër, autobus tjetër, ajo duhet të verifikohet.

Po ashtu, kryeprokurori bullgar Ivan Geshev i shoqëruar nga një hetues sot do të vij në Shkup për të dorëzuar personalisht kërkesë për ndihmë juridike në Prokurorinë e Maqedonisë së Veriut. Prokurorët bullgarë duhet të marrin profile të ADN-së nga të afërmit e të vdekurve në aksidentin me autobus të dy ditëve më parë për identifikimin e viktimave.

“Një hetues dhe prokuror do të nisen për në Shkup. Aty kolegët tanë do të paraqesin drejtpërdrejt kërkesën tonë për ndihmë juridike dhe do të marrin profilet e ADN-së të përgatitura nga pala maqedonase. Vetëm në këtë mënyrë mund t’i identifikojmë emrat e viktimave, pastaj t’i lëshojmë trupat dhe t’ua kthejmë të afërmve”, tha Sarafov.

Ndërkohë sot është dita e tretë dhe e fundit e zisë në territorin e Maqedonisë, e cila u shpall pas aksidentit tragjik me autobus në Bullgari, ku humbën jetën 45 persona dhe 7 të tjerë mbetën të lënduar. 

Në ndërkohë, vazhdon hetimi për aksidentin e rëndë me autobus, ku humbën jetën 45 persona në autostradën “Struma” në Bullgari.

Televizioni bullgar Nova, njoftoi se gjashtë hetues nga Shërbimi Hetimor Kombëtar dhe tre prokurorë nga Prokuroria rajonale në Përnik punojnë në procedurën para hetimore.

Zëdhënësja e kryeprokurorit, Sijka Mileva siguron se sa më shpejt, hetuesit bullgarë do t’i marrin dokumentet e nevojshme nga kolegët e tyre maqedonas.

Ndërkohë shtatë të mbijetuarit qëndrojnë për trajtim në spitalin Pirogov. Gjendja e tyre është stabile Dy prej tyre iu nënshtruan një operacioni ditën e djeshme. Njëri prej tyre ka djegie më të rënda në të dyja duart. Autoritetet shëndetësore po shqyrtojnë mundësinë e transportimit në shtëpi të atyre që janë në gjendje stabile.

Lajme tjera lidhur më këtë temë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button