Situata me Covid-19 në Tetovë duke u stabilizuar, por vaksinimi duhet të vazhdojë

Situata me Covid-19 në Tetovë shkon duke u stabilizuar. Për thuajse një muaj (1 – 24 nëntor), sipas informatave në përpunuara nga të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, në Tetovë janë regjistruar gjashtë persona të vdekur, 254 raste të infektimeve, 239 pacientë të shëruar ndërsa numri i rasteve aktive me Covid-19 në Tetovë është 152, shkruan Portalb.mk.

Për krahasim, në njëzet ditëshin e parë të nëntorit të kaluar shifrat e të infektuarve ishin 1,632 dhe numri i vdekjeve ishte 53, sot këto shifra janë më të ulëta.

Ditëve të fundit, sipas informatave nga Covid Qendra në Tetovë, nuk ka të shtruar në spital. Sidoqoftë, autoritetet shëndetësore vazhdojnë të apelojnë për kujdes maksimal dhe respektim të protokolleve të mbrojtjes nga ky virus, sepse situata mund të dal nga kontrolli menjëherë.

“Situata me Covid-19 në Tetovë është stabile, nuk kemi pacientë të shtruar, numri i vizitave ambulatore varion nga 30-40 pacientë çdo ditë, por fatmirësisht nuk kemi pranime. Qytetaret duhet te vazhdojnë me respektimin e masave anti-covid, si dhe të vaksinohen. Vetëm me imunizimin kolektiv do të mund të parandalojmë përhapjen e virusit, si dhe për të parandaluar infektimin me llojin e ri të Covid Delta plus, i cili fatmirësisht ende nuk është aktiv në vendin tonë.” tha Dr. Miranda Pajaziti nga Covid Qendra.

Rajoni i Tetovës konsiderohet si rajon me përqindje të ulët të të vaksinuarve, numri i përgjithshëm i qytetarëve nga ky rajon tani më është mbi 54%.

“Numrat janë zvogëluar në krahasim me periudhën më parë, aplikohen deri në 300 doza të vaksinës së parë, të dytë apo të tretë për shkak të përqindjes së lartë të mbi 54 për qind të të vaksinuarve në rajonin e Tetovës, të cilët kanë marrë një apo dy doza të vakcinës.” tha Borislav Jorgakievski, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit Tetovë.

Vaksinimi i qytetarëve në Tetovë momentalisht bëhet vetëm në Pallatin e Kulturës.

Mjeku Besnik Mustafai tha se procesi i vaksinimit në Tetovë te kjo pikë shkon në mënyrë të rregullt dhe të vazhdueshme.

“Ditëve të fundit vërehet një rritje interesi nga ana e qytetarëve të cilët vijnë të vaksinohen me dozën e parë, njëkohësisht rritja është paralele edhe te qytetarët që vaksinohen me dozën e tretë. Si pasojë e shtrëngimit të masave nga Ministria e Shëndetësisë ,dukshëm vërehet ngritje e interesit te qytetareve për vaksinimin. Unë shfrytëzoj rastin që të apeloj deri te të gjithë ato qytetarë që ende nuk janë imunizuar, që sa më parë të vaksinohen pasi që të gjithë e dimë se rrugëdalje e vetme që sa më shpejt ta tejkalojmë ketë pandemi është imunizimi sa më masiv i qytetareve.” tha Besnik Mustafai, mjek.

Ndryshe, sipas Ministrisë së Shëndetësisë dje në vend u regjistruan 442 raste të reja me Covid-19 nga 2,939 testime të kryera. Dhjetë pacientë humbën jetën, ndërkaq 373 u regjistruan si të shëruar.

Deri më tani në vend janë kryer gjithsej 1.456.023 testime për Covid-19. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Covid-19 në vendin tonë që nga fillimi i pandemisë është 213.307, numri i të shëruarve është 197.493, numri i të vdekurve është 7.474, ndërsa numri i rasteve aktive është 8.339.

Për informata më të detajuara për situatën me virusin korona, klikoni në këtë link: http://gdi.mk/corona/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button