Joveski: Nuk kemi informata të reja për aksidentin, bashkëpunojmë plotësisht me prokurorët bullgarë

Deri në këto momente prokuroria nuk ka informata të reja në lidhje me aksidentin tragjik, as nuk jemi dakorduar që të na dorëzojnë të gjitha informatat. Ne jemi të bindur në profesionalizmin e prokurorëve bullgarë dhe se do të zbardhin të gjitha rrethanat rreth tragjedisë, tha prokurori publik Lubomir Joveski, transmeton Portalb.mk.

Në deklaratë për televizionin Telma, Joveski konfirmoi se ka pasur probleme të caktuara mbrëmë që ekspertët e vendin nga mjekësia ligjore të hyjnë në obduksion, por ato janë tejkaluar dhe tani përfaqësuesit e vendit nga mjekësia ligjore punojnë në obduksion.

“Ne që nga dje u dakorduam me prokurorin që e udhëheq hetimin në Bullgari të sigurojmë gjurmë biologjike nga familjarët e të vdekurve. Dje në Institutin për Mjekësi Ligjore u mblodhën pjesa më e madhe e këtyre gjurmëve. Në mëngjes u informova se edhe dy – tre anëtarë të familjeve duhet të japin gjurmë biologjike dhe presim gjatë ditës së sotme të përfundojë ky proces. Jemi dakorduar me prokurorin bullgar të dërgojë hetues që t’ua dorëzojmë mostrat nga analizat e ADN-së që do të realizohen në Shkup dhe të cilat do të krahasohen me të dhënat nga obduksionet e të vdekurve dhe analizat e ADN-së të kryera në Sofje”, theksoi Joveski.

Ai tha se tani për tani nuk mund të tregojë se kur do të bëhet dërgimi i kufomave nga Bullgaria në vend, por megjithatë, pret që ajo të ndodhë së shpejti.

Në lidhje me kompaninë “Besa trans”, Joveski tha se në këtë moment nuk do t’i komentonte faktet dhe rrethanat e caktuara.

“Gjatë kësaj procedure të hetimit që e udhëheqin prokurorët bullgarë, para së gjithash ne kemi shprehur gatishmëri të bashkëpunojmë plotësisht për gjithë këto pyetje, dokumentet dhe të dhënat që u nevojiten”, potencoi Joveski.

Ai shtoi se, fillimisht do të pritet rezultati i procedurës në Bullgari ndërsa më pas, pavarësisht prej gjithë asaj, do të vlerësohet dhe do të sillet vendim adekuat në Prokurorinë Publike.

Sipas tij, duhet të ndërmerren të gjitha masat që të mos vihet deri në tragjedi të këtilla.

Ndryshe, aksidenti i autobusit të RMV-së në Bullgari ku humbën jetën 45 persona, 7 të tjerë janë plagosur dhe 1 nuk dihet se ku ndodhet, ka tronditur mbarë vendin dhe Evropën. Hetimin po e bën Prokuroria e Bullgarisë, ndërkaq të kyçur janë edhe ekspertë nga Maqedonia e Veriut.

Ende nuk dihen arsyet dhe shkaqet që kanë shkaktuar aksidentin. Ajo që dihet, sipas udhëtarëve të mbijetuar, është që autobusi fillimisht e ka humbur kontrollin, pastaj është përplasur në bankina dhe më pas është ndjerë një shpërthim dhe për shkurt kohë i tëri është djegur.

Në mesin e viktimave ka pasur edhe 12 fëmijë, por edhe të rinj dhe më të moshuar të cilët kishin qenë në një ekskursion në Turqi me agjencinë turistike “Besa Trans Shkup”.

Për shkak aksidentit tragjik, prej dje janë shpallur tre ditë zie në RMV dhe nga një ditë në Bullgari dhe Kosovë. Telegrame ngushëllimi arrijnë nga katër anët e botës.

Lajme tjera lidhur më këtë temë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button