fbpx

Copë gome, shkëndija, sinjalizimi keq: “Autopsia” e kilometrit 31

Hetimi kërkon përgjigje – a është përplasur autobusi me anën e djathtë në gardh para se t’i ndodh ndonjë problem (i shkaktuar nga faktori njeri, teknik dhe i komunikacionit) ose më pas, raporton DW, transmeton Portalb.mk

Tre mjekë nga Instituti për mjekësi gjyësore në Shkup prej sot i bashkëngjiten ekipit të ekspertëve në Sofje, që do të bëjë autopsi dhe identifikimin e trupave të shtetasve të vdekur të Maqedonisë në aksidentin e autobusit në Bullgari. Disa nga shtatë pasagjerët e mbijetuar dhe të hospitalizuar në spitalin në Sofje “Pirogov”, të cilët janë në gjendje të rëndë psiqike për shkak të humbjes së anëtarëve të familjeve, nga sot do të pranojnë mbështetje psikologjike për ballafaqim me traumat, ndërsa organet e hetimit do ta kërkojnë shkakun për aksidentin – trajektorinë e saktë të autobusit, nëse ka pasur distancë të frenimit dhe çka e ka shkaktuar zjarrin.

Në hetim, me një pjesë të informatave duhet të ndihmojë edhe prokuroria e Maqedonisë.
“Kemi shprehur gatishmëri për bashkëpunim në sigurimin e të gjitha provave që janë të domosdoshme për zbardhjen e tragjedisë rrugore. Duke e pasur parasysh që autobusi është i regjistruar në RMV, sikurse edhe firma që e ka organizuar udhëtimin, është i domosdoshëm bashkëpunim i dy prokurorive” thotë për DV Kryeprokurori Publik, Lubomir Joveski.

“Me ardhjen tonë në vendin e aksidentit dhe me bashkëpunimin me organet bullgare, aty për aty ramë dakord që organet e Maqedonisë të sigurojnë asistencë juridike, para se gjithash, lidhur me nevojën për t’u siguruar gjurmë biologjike nga Instituti për mjekësi gjyqësore për identifikimin e të vdekurve dhe transferimin e tyre sa më të shpejtë në vend”, sqaron prokurori.
Thotë që bashkëpunimi me prokurorinë bullgare edhe deri më tani ka qenë i shkëlqyeshëm, ndërsa me bashkëpunim të drejtpërdrejtë në këtë rast shmangen procedura më të gjata po të ishin zhvilluar ato nëpërmjet ndihmës juridike ndërkombëtare.

Njëri nga shoferët e tjerë është paraqitur në numrin 112

Organet hetuese bullgare i pret një detyrë me shumë përgjegjësi. Duhet të realizojnë hetim dhe ekspertizë për atë që ndodhi mëngjesin e kaluar në aksin e autostradës “Struma”.

Vonë në mbrëmje, mbetjet e autobusit të djegur u larguan nga vendi i aksidentit, por nuk po heshtin supozimet për aksidentin dhe për zjarrin e autobusit të transportuesit nga Maqedonia “Besa trans” – Shkup. Sipas të dhënave jozyrtare, nga hetimi, autobusi që pësoi aksidentin ka qenë i treti me radhë nga katër autobusët në turën e njëjtë të transportuesit dhe operatorit në fjalë. Gazeta “24 çasa” ka publikuar informacionin që njëri nga shefat e “Besa trans” ka qenë në njërin nga autobusët e tjerë, ndërsa për tragjedinë ka dëgjuar në kalimin kufitar Gueshevo.
“Ai ka qenë në autobusin që ka lëvizur para mjetit transportues të djegur. Në pikën kufitare ka arritur pas më shumë se një ore pas tragjedisë. Kur i kanë treguar se çfarë ka ndodhur, është tronditur. Shpejtë është kthjellur dhe është kthyer në vendin e ngjarjes. Aty është takuar me kryeministrin Stefan Janev, ministrin e punëve të brendshme Bojko Rashkov dhe kryeshefin e shërbimit të zjarrfikësve Nikollaj Nikollov, të cilët ishin në vendin e aksidentit”, shkruan gazeta.

Sipas 24 çasa, incidentin e ka parë një nga shoferët e autobusëve tjerë të “Besa Trans”, i cili menjëherë është lajmëruar në numrin 112, ndërsa nëntë minuta më vonë në terren ka pasur tre ekipe me 22 zjarrfikës, ndër të cilët ka pas edhe policë.

“Gjetëm autobus të kapluar tërësisht nga flakët, ndërsa pasagjerët ishin të vdekur. Prandaj nuk u futëm brenda, shuanim nga jashtë”, ka treguar një zjarrfikës për “24 çasa”.

Ai ka thënë që disa dëshmitarë kanë folur për shpërthim.

“Ka mund të jetë edhe nga shpërthimi i rrotës së djathtë të autobusit, edhe nga përplasja në gardhin mbrojtëse”, ka deklaruar ai.
Ka bërë të ditur që para vendit të aksidentit është gjetur një copë gome e autobusit. Ende nuk është verifikuar nëse është nga autobusi i djegur.

Kjo përkon me dëshminë e pasagjerit Lulzim Sulejmani nga Presheva, i cili bashkë me të fejuarën e tij, Medina Lutfi (25) nga Sopoti i zonës së Kumanovës janë të hospitalizuar në “Pirogov”.

“Autobusi derisa ishte në lëvizje, u përplas nga ana e djathtë në gardhi. Rrotat plasën dhe shpërtheu zjarri, kishte shumë tym. Pastaj autobusi lëvizi 20 metra në të majtë. Dhe u ndal vetvetiu. Njerëzit filluan të vjellin, të bërtasin si në filma horror. Arrita të dal për shkak se e mora çekiçin në autobus dhe e theva xhamin. E nxora të fejuarën dhe pesë persona të tjerë”, deklaroi Sulejmani për TV “Klan”.

Sinjalizim pa ndriçim të mjaftueshëm
Sipas Vlladimir Todorov, anëtar i këshillit drejtues të Shoqatës “Ekspertë autoteknikë për siguri në rrugë”, shenja që ka sinjalizuar për dalje për zonën për parkim ka qenë gabimisht i vendosur dhe pa ndriçim të mjaftueshëm. Sipas tij, është e mundur ky të jetë shkaku për aksidentin, “sepse mungon ndriçim i mjaftueshëm në gardhin mbrojtëse, përnjëherë gjendeni në kthesën në drejtim të parkingut”.

Në këtë aspekt sugjeroi edhe Dijana Rusinova nga Qendra Evropiane për Politika Transportuese e Bullgarisë. Sipas saj, ajo shenjë nuk ka qenë i vendosur në mënyrë të parregullt dhe në lartësi tepër të madhe.
“Ajo shenjë duhet të vendoset më poshtë që të shihet më mirë”, deklaroi ajo.
Duke iu referuar personave nga ekipi hetimor, “24 çasa” shkruan se është e mundur që shoferi thjeshtë të mos e ketë vërejtur skajin e gardhit mbrojtës, për shkak se, të ashtuquajturit “sytë e macës” kanë qenë të pa pastër.

Pyetjet të cilave duhet t’iu përgjigjet hetimi është nëse autobusi me anën e djathtë është përplasur në gardhi para se t’i ndodh ndonjë problem (i shkaktuar nga ndonjë faktor njerëzor, teknik dhe komunikacioni) ose më pas?

Autobusi në Bullgari është futur ditën e hënë në orën 21.12 nga kalimi kufitar Kapitan Andreevo, ndërsa distancën prej 304 kilometra deri në vendin e aksidentit e ka kaluar për 4 orë e 51 minuta.
“Sipas kamerave nga pikat kufitare dhe të Agjencisë për rrugë, hetuesit mund të nxjerrin informata të nevojshme për verifikim të shkaqeve për aksidentin”, deklaroi Bojko Ranovski, drejtori i agjencisë ekzekutive “Administrata automobilistike”.Sipas informatave nga kjo agjenci, nga KK “Kapitan Andreevo” deri në vendin e aksidentit nuk janë regjistruar shkelje të rregullave të komunikacionit nga ana e autobusit të djegur. Ranovski për radion nacionale të Bullgarisë deklaroi që nuk ka prova se autobusi ka lëvizur me shpejtësi të madhe dhe vlerëson që janë respektuar të gjitha pauzat obligative.

Dëshmitarë e supozime

Sipas deklaratave të dëshmitarëve, autobusi së pari ka lëshuar shkëndija, ndërsa sipas disa të tjerëve ka qenë duke u djegur, para se të përplaset në gardhin mbrojtëse. Disa e ndërlidhin këtë me tuba plastike që janë gjetur në pjesën e pasme, më pak të dëmtuar të autobusit, ku supozohet se është transportuar naftë. Por, e gjithë kjo është në suaza të spekulimeve.

“Ekspertët do të tregojnë shkakun për shpërthimin e zjarrit. Edhe pa naftë shtesë, në autobus ka dizel në rezervoarin, vaj hidraulik, vaj transmetues dhe të tjera, që krijojnë ngarkesë shumë të madhe të derivateve, që autobusi të digjet ashtu për 1 minutë”, ka deklaruar për “24 çasa” një zjarrfikës, i cili ka thënë që në praktikën e tij prej mbi 25 vjeçare nuk ka parë tragjedi të këtillë.

E sigurt është që nuk do të mund të verifikohen të dhënat nga takografi– pajisja teknike që e incizon lëvizjen e autobusit, për shkak se është djegur. Ajo që nuk është djegur, janë të dhënat për autobusin në shërbimet kompetente të Maqedonisë. Sipas MPB-së, kontrolli i fundit i rregullsisë teknike të autobusit është bërë më 5 tetor 2021.

Mirëpo, praktikisht, ky autobus është përdorur “në të zezë” në transportin ndërkombëtar. MPB ka konstatuar që ai autobus nuk ka qenë i paraqitur nga transportuesi në pajtim me nenin 11 paragrafin (5) të Ligjit për transport në komunikacionin rrugor, arsye për të cilën nuk ka figuruar në bazën elektronike të të dhënave në Ministrinë për Transport dhe Lidhje. Ministri për Transport dhe Lidhje, dje njoftoi që transportuesi ka kryer transport ndërkombëtar pa certifikatë të licencës për mjetin motorik konkret, (që është obligim nga Ligji për transport në komunikacionin rrugor), për çka po zhvillohet procedurë për heqje të licencës për punë të transportuesit. Qeveria e ka ngarkuar Inspektoratin Shtetëror për Transport të zbatojë mbikëqyrje të çrregullt inspektuese në kompaninë “Besa trans”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button