fbpx

Vendosja e barazisë gjinore në vend të parë

Rrallëherë në botë të drejtat e grave dhe vajzave janë sfiduar në një mënyrë kaq shqetësuese si në Afganistan. BE-ja e ka bërë të qartë se ndihma e ardhshme e BE-së për zhvillim do të varet nga respektimi i normave për të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat e grave dhe vajzave. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë gratë dhe vajzat në mbarë botën, duke iu përmbajtur vlerave dhe besimeve tona.

Të drejtat e njeriut, liria dhe demokracia, barazia përfaqësojnë vlerat thelbësore që e bëjnë Bashkimin Evropian atë që është. Ato i pasurojnë shoqëritë tona dhe forcojnë qëndrueshmërinë. Barazia gjinore është kyçe për paqen, sigurinë, prosperitetin ekonomik dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Kjo është arsyeja pse puna në të gjitha nivelet për të promovuar dhe ruajtur progresin në barazinë gjinore është një prioritet dhe pikësynim politik për BE-në. Plani III i Veprimit Gjinor i BE-së dhe buxheti i ri i veprimit të jashtëm të BE-së ofrojnë një udhërrëfyes për veprim global drejt një bote të barabartë gjinore. Ne punojmë ngushtë së bashku me partnerë shumëpalësh, rajonalë dhe dypalësh, përfshirë organizatat e shoqërisë civile, për të arritur ato pikësynime. Kemi akoma një rrugë të gjatë për të bërë; nuk ka vend për vetëkënaqësi.
Në shumë vende, pandemia ka përkeqësuar pabarazitë ekzistuese gjinore në fusha të ndryshme si në: arsim, trajnim profesional, shëndetësi, siguri, shëndet dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese dhe mundësitë ekonomike. Përveç kësaj, karantina për shkak të COVID-19 shpesh ka çuar në rritje të dhunës me bazë gjinore, veçanërisht dhunës në familje. Në të njëjtën kohë, një pjesë e konsiderueshme e barrës së kujdesit ka rënë mbi gratë dhe vajzat. Punëtorët në ekonominë joformale dhe në vende pune që kërkojnë aftësi të ulëta (shumica prej të cilëve janë gra), migrantët dhe ata që u përkasin pakicave, kanë qenë më të rrezikuar dhe përballen me forma të shumta dhe të ndërthurura të diskriminimit.

Për më tepër, mbyllja e shkollave i ka ekspozuar vajzat ndaj një rreziku të shtuar të shfrytëzimit seksual, shtatzënisë së hershme, punës së fëmijëve dhe martesës së detyruar. Fondi Malala vlerëson se 20 milionë vajza më shumë rrezikojnë të braktisin shkollën, duke iu shtuar numrit prej gjithsej 150 milionë vajzash – që është baraz me një të tretën e popullsisë së BE-së – pa perspektivë arsimore.
Sipas një raporti të fundit të OKB-së, shpenzimet ushtarake në vitin 2020 ende i tejkalonin shpenzimet në mbarë botën për shëndetin, madje edhe në një vit që dominohej nga pandemia e koronës. Për rimëkëmbje të qëndrueshme nga pandemia COVID-19, ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të promovuar barazinë gjinore.

Tani është koha për të bërë më shumë

Kjo sfidë tani kërkon një përgjigje globale, kur po ndërtojmë të ardhmen, që dëshirojmë për fëmijët dhe nipërit tanë që ata të rriten në një botë post-pandemike që është më e barabartë, më e larmishme dhe ku mundësitë e barabarta janë realitet. Duhet t’i trajtojmë shkaqet kryesore të pabarazisë gjinore dhe diskriminimit në mënyrë që të arrijmë ndryshim të qëndrueshëm.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet Anëtare, si dhe institucionet financiare evropiane kanë qëndruar me gratë dhe vajzat e botës gjatë gjithë pandemisë. Si Skuadri Europa, ne kemi mobilizuar tashmë 46 miliardë euro në mbështetje të mbi 130 vendeve partnere, me fokus të veçantë te gratë dhe të rinjtë.

Tre shembuj për ilustrim: Në Nepal, ndihmuam një milion vajza dhe djem të vazhdojnë arsimimin e tyre nëpërmjet të mësuarit të bazuar në radio. Në Togo, mbështetëm krijimin e një skeme të të ardhurave universale dhe emërimin e grave në krye të komunave të reja. Në mbarë botën, Iniciativa Spotlight e BE-OKB-së ka ndihmuar 650,000 gra dhe vajza të parandalojnë ose trajtojnë dhunën ndaj tyre, dhe ka edukuar 880,000 burra dhe djem mbi maskulinitetin pozitiv, zgjidhjen jo të dhunshme të konflikteve dhe prindërimin.
Megjithatë, për të përballuar sfidat në rritje, duhet të bëjmë më shumë. Ky është qëllimi i Planit III të Veprimit Gjinor. Ai promovon lidershipin dhe pjesëmarrjen kuptimplotë të grave, vajzave dhe të rinjve në jetën politike, ekonomike, sociale dhe kulturore, si dhe në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me paqen dhe sigurinë.

Punojmë për ta rikthyer zhvillimin njerëzor në rrugën e duhur

Tani po e bëjmë realitet këtë plan me ndihmën e instrumentit të ri NDICI-Global Europe prej 79.5 miliardë eurosh që do të mbështesë veprimin e jashtëm të BE-së në shtatë vitet e ardhshme.
Mbështetja për arsimin dhe veçanërisht arsimimin e vajzave do të ketë një rol qendror. Ashtu si ne mbështesim arsimin në raste urgjente, BE-ja ka punuar me vendet partnere gjatë gjithë pandemisë për të minimizuar ndikimin e saj tek fëmijët dhe për të lehtësuar një kthim të sigurt në shkollë.
Tashmë ofrojmë më shumë se gjysmën e të gjithë ndihmës globale për arsimin si Skuadri Europa. Do të rrisim më tej financimin, për të promovuar barazinë gjinore përmes arsimit cilësor në të gjitha nivelet. Premtimi ynë i përbashkët prej 1.7 miliardë eurosh për Partneritetin Global për Arsimin në korrik – për të transformuar arsimin për vajzat dhe djemtë në deri në 90 vende dhe territore – është pjesë e këtij fillimi të ri
Ne po i shumëfishojmë përpjekjet tona, nga mbështetja e arsimimit dhe mundësive ekonomike të grave dhe vajzave deri te përmirësimi i qasjes së tyre në shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues. Deri në vitin 2025, 85% e të gjitha veprimeve të reja të jashtme të BE-së – në të gjithë sektorët – do të kontribuojnë në barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.

Kjo tani është duke u finalizuar me vendet tona partnere bazuar në konsultimet e ngushta me organizatat e shoqërisë civile, aktivistet për të drejtat e grave dhe të rinjtë.
Duhet ta kthejmë zhvillimin njerëzor në rrugën e duhur dhe të arrijmë Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm deri në vitin 2030, duke mos lënë askënd pas.
Është e rëndësishme ta bëjmë këtë ashtu si duhet.

Autorë:
Josep Borrell – Përfaqësues i Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë
Jutta Urpilainen – Komisare në KE për Partneritet Ndërkombëtar

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button